Miqtë e Lirisë dhe mallkimi ynë

Nga Hasan Metuku

U shfaqën në Tiranë ditet e fundit përfaqësues të Europës së Bashkuar për të vizituar, Shqiptarët e ndarë dhe politikën e ndarë të shqiptarëve.

Shqiptarët janë të ndarë më shumë në mbështetēs të pushtetit dhe jo të tillë, sesa janë të ndarë nga niveli i jetesës që kanë , cilësia e edukimit, siguria për jetën dhe pronën apo nga shtrembërimi i të vërtetës që ndodh dhe sjell degradimin e fuqisë që ka fjala e lirë në vendet demokratike, Evropiane e Perëndimore.

Historkisht, nuk ka gjë që ndan Shqiptarët më shumë se politika, aq sa në llogore kanë qenë gjithmonë të ashpër, të egër ndaj njëri-tjetrit, madje në politikë i kanë udhëhequr njerëz jo vetëm të rëndomtë, kriminelë apo hajdutë, pra kryesisht njerëz pa moral, pa vlera, por për më tepër njerëz që nuk e kanë dashur dhe duan vendin e tyre.

Ne Shqiptarët kemi prodhuar në 100 vjetët e shtetit një Holokaust kundër njëri-tjetrit, sistemin më eksperimental komunist në planet, regjim hibrid e të pa qëndrueshëm pas viteve 90-të dhe së fundmi, me Edi Ramën kemi kulmuar në atë që shkenca politike do përkufizonte si Kleptocracy dhe shtet të dështuar.

Nga një vend i harruar për Evropën për gjysëm shekulli , pas viteve 90-të Shqiptarët janë mbështetur vazhdimisht nga Amerikanët, Evropianët dhe miqtë e Lirisë në Botën e qytetëruar, dhe ndonëse Shqiptarët janë shkolluar më shumë dhe kanë jetuar më mirë e kanë parë më tepër, politika ka ndryshuar pak, ose fare pak.

Nuk kemi arritur të ndërtojmë një Republikë ku pushteti ushtrohet nga njerëzit duke zgjedhur me votë të lirë përfaqësuesit e tyre. Thënë thjeshtë , në Shqipëri, kemi kërkuar gjithmonë zgjidhje por jo nëpërmjet zgjedhjeve.

Sot, populli i mbështetur nga opozita, kërkon zgjedhje dhe jo vetëm zgjidhje për zgjedhjet!

Por siç u pa, vizita e Miqve evropianë shkoj siç parashikohet nga protokolli i folklorit tonë, Shqiptari thotë që “jam Zot në shtëpinë time” (Populli dhe opozita ) dhe “mikun e presim si mbret” u shpreh (Qeveria)!

Edi Rama, pret si miq në Shqipërinë që e ka kthyer në shtëpinë e askujt, Shqiptarët e diasporës që i përzuri babai i tijë shpirtëror Enveri, dhe 700 mijë refugjatët që përzuri vetë këto 6 vite ç’qeverisje ,këto të fundit do konvertohen në diasporë kur të rritet e të vijë në pushtet Zaho.

Miqtë e Lirisë do vazhdojnë ta vizitojnë Shqipërinë dhe Shqiptarët e larguar nuk do kenë vend ku të kthehen, atdheu i tyre, është çiflig i komunistëve dhe bijve të tyre në breza.

Deri kur do të vazhdojë të jetojë ky mallkim?!

Deri atëherë kur ne Shqiptarët ta shohim njëri-tjetrin me syrin e mjegulluar të urrejtjes politike dhe të mos mësojmë se njerëzit e qytetëruar jo vetëm mbijetojnë, por jetojnë.

Miqtë e Lirisë, do arrijnë kështu të integrojnë Shqiptarët në Evropë, duke i pranuar si emigrantë, si qytetarë, por jo Shqipërinë si shtet evropian!