MID’HAT FRASHËRI U TRET PËR NE, ISMAIL KADARE BËN MIRË TË RRËFEHET!

Nga PhD .Ilir Hysa

(Përgjigjje kërkesës së ardhur nga Prof. Albert Doja)

I nderuar Prof. Doja!

Po ju shkruaj në përgjigje të kërkesës suaj për një “mendim më të balancuar” dhe t’ju sqaroj më në detaje rreth arsyeve pse nuk do t’i ndyshoja asgjë shkrimit tim të datës 25 tetor të titulluar “Kërkoni ndjesë publikisht për Mid’hat Frashërin, z. Kadare!”. Mid’hat Frashëri nuk ka “kusure”. Ai mbetet pikë referimi për brezat dhe për shërbimin publik, ai mbetet Ylli Polar i universit shqiptar. Ai jetoi si shërbestar i devotshëm i kombit shqiptar dhe çdo ditë që kalon e sjell atë më afër njerëzve dhe tokës që ai deshi në mënyrë të pakushtëzuar, nga Çamëria në Kosovë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Më lejoni të kundërshtoj argumentin tuaj se Mid’hat Frashëri dhe Ismail Kadare duhen parë si kollosë të barabartë. Letërsia mënjanë, ekuivalenca mes tyre do të ishte e dëmshme pasi shembujt e tyre jetësorë janë si të krahasosh ditën me natën.

Së pari, pa shkuar më tej, më lejoni t’ju kujtoj se ju po krahasoni dy individë në pozita krejt të pabarabarta: Nga njëra anë, Ismail Kadare—ende gjallë dhe me një reputacion të mbështetur nga fama e tij— dhe të cilin unë e ftoj të kontestojë ato që kam thënë unë. (Me siguri ju po thoni me vete se Kadare ka punë më të rëndësishme sesa të merret me mua.) Jam mëse i bindur se ai nuk do t’a bëjë një gjë të tillë, sepse gjithçka që kam thënë unë është e vërtetë. Nga ana tjetër, kemi Mid’hat Frashërin i cili po bën 70 vjet që mbylli sytë dhe gati 80 vjet që baltoset padrejtësisht për “fajin” e vetëm që gjithë jetën ia kushtoi kombit shqiptar, por që populli i tij nuk ia diti për nder. Ky është debati i pabarabartë që kemi sot.

Së dyti, më lejoni të konstatoj se duke lexuar komentin tuaj krijova përshtypjen se po më konsideroni ekstremist kur kërkoni nga unë një mendim më të balancuar. Mendimi im është i balancuar për faktin se unë i njoh edhe meritat edhe mëkatet e Kadaresë. Për këtë arsye e kam quajtuar gjeniun tonë mëkatar. Ju mund t’ju duket e pabesueshme që unë kam folur me krenari për veprat e Ismail Kadaresë kur më është paraqitur rasti për t’a bërë një gjë të tillë. E kam bërë edhe për audienca joshqiptare kur kam qenë i ftuar për të folur për Shqipërinë në mediat amerikane. Nëse jeni të interesuar, mund t’ju dërgoj prova të kësaj që po them. Por kjo nuk më pengon të them edhe disa të vërteta të hidhura. Atë kam bërë në shkrimin e datës 25 tetor, atë po bëj edhe sot. Për t’u kthyer tek tema jonë dhe për të përmbledhur atë që po them më poshtë, thënë shkurt, Mid’hat Frashëri nuk i ka asgjë borxh as Shqipërisë dhe as Kadaresë, ndërsa ky i fundit i është borxhli shqiptarëve në përgjithësi dhe Lumo Skëndos tonë të anatemuar në veçanti.

Së treti, nuk ka dyshim që në plan ndërkombëtar Kadareja n’a ka dhënë emër të mirë, por nëse i referohemi sjelljes së tij brenda universit shqiptar, ai si qenie njerëzore, jo si shkrimtar, shqiptari Kadare, ka lënë shumë për të dëshiruar. Në qoftë se ju thoni se për hir të njohjes ndërkombëtare të letrave shqipe që n’a ka siguruar Kadareja ne duhet t’ia falim kusuret, ai vendim le të bëhet pjesë e një debati kombëtar, por atë debat duhet t’a nisë vetë Kadareja dhe jo vetëm të shkruajë një parathënie për veprën e Mid’hat Frashërit e të shtiret sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kadareja nuk ka qenë vetëm shkrimtari i oborrit, siç thoni ju, dhe që vetëm i thurte lavde pushtetit. Ai u bë pjesë aktive e makinës vrastare, duke u ngjitur deri në majat më të larta të saj, përkrah Nexhmije Hoxhës. Tragjedia e shumë famijeve shqiptare erdhi si pasojë e mbështetjes që Kadare i dha atij pushteti gjakatar. Desidentët e vërtetë zgjodhën protestën e hapur dhe e paguan shtrenjtë, ndërsa Kadare ndoqi rrugën e rehatisë personale e familjare, duke mbetur vegël e pushtetit.

Nuk ka pikë dyshimi se arsyeja pse eshtrat e Mid’hat Frashërit kanë mbetur në dhe të huaj për gati 70 vjet është e thjeshtë. Pra, nuk është e vështirë për t’u kuptuar që urrejtja e mbjellur nga një regjim gjakatar, të cilit Kadare i shërbeu me devotshmëri, përtej retorikës dhe alegorisë së supozuar të disa veprave të tij, ishte burimi. Pastaj, nuk mund të mohohet se Kadareja nuk e ka përdorur mjaftueshëm emrin e tij të madh për të n’a shëruar plagët kombëtare në gati tre dekada tranzicion. Kjo sepse ai ndjehet mëkatar dhe ashtu si ju, e përdor dënimin e komunizmit vetëm si sllogan, pa shumë përmbajtje. Ju pyes: Çfarë duhet korrigjuar nga historia e shkruajtuar nga historinët shërbëtorë të regjimit komunist që ajo të quhet histori e mirëfilltë kombëtare? A mos do të ishte më e udhës të injorohej gjithçka që ata fabrikuan? Edhe të edukuarit si ju i referohen asaj historie paçavure, ajo histori që hoqi firmën e Mid’hat Frashërit e patriotëve të tjerë nga Deklarata e Pavarësisë, asaj historie që tha se Kongresi i Manastirit dështoi sepse u dol me dy alfabete, asaj historie që gënjeu shqiptarët për tradhëtinë e Mukjes dhe që na dha filmat qesharakë të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Së katërti, në fillimet e tranzicionit, Kadare merakosej e shkruante “Eskili, ky humbës i madh” por nuk tha asnjë fjalë për “heretikët” që n’a kishin humbur në Shqipërinë tonë si Fishta e Koliqi dhe as për birin e familjes patriote të Frashërllinjve, e cila ka dhënë për kombin më shumë sesa çdo familje shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Sigurisht, kjo nuk pritet nga çdo shkrimtar. Por Kadare nuk është çdo shkrimtar. Ai është gjeniu ynë mëkatar. Por kuptohet, ai heshti sepse ai ishte peng i së shkuarës plot mëkate që e tundonin.

Kadare ka përdhosur figura të mëdha kombëtare si Fishta e Rugova që i kanë dhënë kombit me pastërti, plot zell e dëshirë. Ju mund të thoni se Kadare ka kërkuar ndjesë, por çeshtja është pse i ka bërë gabime të tilla. Unë mendoj se Kadare nuk çlirohej dot prej dogmës. Në fund të fundit, kohët e vështira janë ato që testojnë karakterin e një burri. Edhe në këtë dimension Kadare ka dështuar. Ai quante “jashtëqitja e kombit” ata që kërkonin të largoheshin të rropatur e të dëshpëruar nga izolimi dhe varfëria gjysëmshekullore drejt botës së lirë, vetëm për të përfunduar vetë si “jashtëqitje” në Francë pas njëfarë kohe.

Së katërti, ky është një debat që përcakton kush jemi ne si njerëz dhe si intelektualë. Ju komentoni diku se disave i “ka ngelur ora tek Mukja”. Më vjen keq t’ua them por kjo është shprehje e njohur që vjen nga zhargoni ogurzi i diktaturës. Duket qartë që versioni juaj i historisë nuk ka shumë ndryshim nga ai me të cilin n’a mashtruan për gjysëm shekulli. Ndjej keqardhje dyfish sepse ju keni bërë një emër të mirë si studiues në fushën tuaj dhe një vështrim i tillë i historisë nuk ju nderon. Nëse dikush si ju bën një zgjedhje të tillë tregon ose se është i/e indokrinuar ose se nuk ka interes në zbardhjen e së vërtetës por zgjedh qoshet e ngrohta, duke marrë anën e fituesit, jo të atij që ka të drejtë. Misioni i intelektualit është zbardhja e së vërtetës, jo domosdoshmërisht mbështetja e njerëzve me pushtet apo famë. Më lejoni t’ju kujtoj se ka një element hipokrizie në mënyrën si i parashtroni ju gjetjet tuaja të bazuara në urrejtje të tipit Pëllumb Xhufi dhe “hulumtime” të turpshme të tipit Auron Tare me kujtime gjeneralësh anglezë, pa asnjë dëshirë për të hulumtuar jetën e një individi për të kuptuar cili është ai. Ju duhet të lexoni çdo faqe tek “Diturija”, “Kalendari Kombiar”, “Albania”, “Lirija”, “Minerva”, “Përpjekja Kombëtare” e gjetkë të kuptoni kush ishte Mid’hat Frashëri. Dhe kur e bën këtë kupton se llogjika të dikton se një zemër e tillë nuk mund t’a tradhëtojë vendin e vet. Meqë jemi këtu, ju lutem më dërgoni të gjitha provat e bashkëpunimit të Mid’hat Frashërit më fashistët e nazistët.

Prof. Doja!

Dokumenta të tilla nuk ekzistojnë sepse nuk ndodhi dhe gjithçka është vetëm një gënjeshtër e madhe. Keqdashësit e kuq kanë përdorur një qarkore të Mid’hat Frashërit ku ai urdhëron forcat balliste të ndalin luftimet pas lajmit se përplasjet me partizanët kishin shkaktuar viktima. Edhe interpretimi i tezës se Shqipëria do të bëhej pjesë e federatës greke është keqdashës.

Edhe pse duket se ne kemi evoluar që nga koha kur ne n’a mbahej e fshehtë origjina familjare e Mid’hat Frashërit, konstatoj se ju sërisht tingëlloni sikur të përfaqësoni qeverinë e sotme, e cila e vlerëson të mjaftueshme t’a quajë Lumo Skëndon njeri të madh të letrave e kulturës shqiptare. Asnjë fjalë për burrin e shtetit, për diplomatin e klasit dhe për patriotin e kulluar. Për më tepër, ju duket se harroni ose nuk doni të pranoni se tradhëtia që bënë komunistët në Mukje për të plotësuar orekset e Jugosllavëve nuk ishte vetëm humbje për forcat nacionaliste. Ajo tradhëti ishte thikë pas shpine për Kosovën dhe interesat mbarëkombëtare. Mukja ishte pika e kthesës në histori. Ju me siguri nuk doni të dini as për tradhëtinë komuniste në Gërhot në shtator 1943, pak javë pas tradhëtisë së Mukjes. Në Gërhot u prenë në besë nga komunistët 36 burra më në krye komandantin Hysni Lepenica. Me siguri, nëse rrjedha do të kishte qenë ndyshe shqiptarët nuk do të kishin përjetuar barbarizmin gati mesjetar të Hoxhës. Më Shqipërinë sipas Dekalogut, programit politik të Mid’hat Frashërit që edhe pse i formuluar në vitet e Luftës së Dytë Botërore krahasohet sot denjësisht me programet e partive të mëdha europiane, Shqipëria do kishte qenë prej kohësh europiane dhe ndoshta as ju dhe as Kadareja nuk do kishit patur nevojë t’ia mbathnit në Francë dhe as unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së pesti, nëse pranojmë që komunizmi ishte rruga e gabuar, gjë që në teori e pranoni edhe ju, dhe se Mid’hat Frashëri ishte alternativa kryesore e tij, siç e provoi koha, atëherë del se i biri i Abdyl Frashërit kishte të drejtë. Më lejoni t’a përsëris: Koha tregoi se Mid’hat Frashëri kishte të drejtë. Ishte kjo arsyeja pse amerikanët mbështetën Mid’hat Frashërin dhe vendosjen e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në Nju Jork në verën e vitit 1949. Komiteti mori atributet e një qeverie në mërgim të mbështetur nga amerikanët. Ju nuk flisni as për vendimin e Mid’hat Frashërit për të shkrirë Ballin Kombëtar për të shmangur një luftë më të thellë civile. Mid’hat Frashëri nuk iku si frikacak. Ai e la Shqipërinë për të shmangur vëllavrasjen.

Së gjashti, unë e mirëpres një debat intelektual rreth historinë tonë, por ju nuk mund të servirni demagogjinë e djeshme si fakte historike. Ajo kohë ka përfunduar njëherë e mirë. Nëse ju doni të merrni në mbrojtje Kadarenë, jeni i lirë t’a bëni një gjë të tillë por mos bëni kështu në kurriz të të vërtetës historike, aq më shumë në kurriz të atyre që nuk janë më mes nesh dhe nuk munden të mbrojnë veten. As në kurriz të atyre familjeve që patën guximin të përlesheshin me diktaturën që ju edhe unë të flasim lirshëm sot.

Sa për vetë Kadarenë, ndjesa për rolin e tij negativ gjatë diktaturës dhe konfuzionin e tij gjatë periudhës postkomuniste rreth figurave kombëtare do të ishte rruga e duhur që ai të bëjë paqe me veten dhe të ndihmonte në shërimin kombëtar. E kam takuar Kadarenë dhe jam bindur nga afër që ai është mjeshtër i fjalës. Por në të njejtën kohë, bashkë me të pranishëm të tjerë konstatova që ai ruan një lloj mllefi të pashpjegueshëm. Ju mund të thoni se ai mllef përfaqëson mendimtarin e stuhishëm Kadare. Ndodhta. Por ai egërsohej kur i bëheshin pyetje të cilat nuk i pëlqente. Kështu ndodhi para disa vitesh në Columbia University në Nju Jork ku ai ligjëroi për rolin e shkrimtarit në diktaturë dhe u pyet nëse ndjehej fajtor për rolin e tij gjatë diktaturës së Hoxhës dhe Alisë. I egërsuar Kadareja klithi: “Çfarë thotë ki mo?”, duke iu referuar drejtuesit të pyetjes.

I nderuar Prof. Doja!

Për t’a mbyllur, a mos po sugjeroni se Kadare i ka larë gjynahet me parathënien për Mid’hat Frashërin? Sigurisht që jo. Kadare e di këtë. Në një kohë kur vala populiste që ka përfshirë Europën n’a kujton se janë vlerat tona, jo partitë simotra në botë, ato që përcaktojnë kush jemi ne si popull, Kadare po bën hapa të vegjël për të mos mbetur shumë pas historisë së vërtetë që po shkruhet. Mid’hat Frashëri ishte mbartësi më besnik i vlerave shqiptare dhe u kryqëzua për hir të miqësisë së komunistëve shqiptarë me dushanët e popoviçët dhe ethet e tyre për pushtet. Kadare ishte pjesëmarrës aktiv në kryqëzatën ndaj Mid’hat Frashërit, dhe do nevojitet më shumë sesa një parathënie libri për t’i vënë gjërat në vendin e duhur. Ky proces duhet të fillojë me një ndjesë. Ndjesa nuk do t’a bënte Kadarenë më të vogël. Përkundrazi, do t’a lartësonte gjeniun tonë mëkatar dhe do të ndihmonte në shërimin e plagëve të kombit shqiptar.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Sinqerisht,
Ilir Hysa, PhD
Sh.B.A., 28 tetor 2018