Marrëveshje pa prokopi, “déjà vu” me Aleksandrin e Serbisë

Nga Zamir Gjurgji

Presidenti grek Prokopis Pavlopulos ka nxjerre nga binaret te ashtuquajturen marreveshje strategjike qe kryeministri Edi Rama e shpalosi në publik si marreveshja që do të davariste njeherazi, e zeza ne te bardhe, te gjitha mosmarreveshjet 70 vjeçare greko-shqiptare. Më herët, ishte zevendesministri grek Giorgios Katrougalos që me nje gjuhe me te drunjte sesa presidenti i tij, thesonte “..ne nuk do te pranojme kurrë ekzistencën e çështjes çame”. I gjendur shtang nga shpërdorimi që i bënë në publik të ashtuquajturës marrëveshja e 7 dekadave; homologu i Ciprasit provoi kuturu një “shinë te tretë(third rail), kur kërkoi të justifikohej me shprehjen “Kocias s’e kishte degjuar se ishte kerkuar ngrihej një memorial i çamëve ne Greqi, si kompensim i varrezave greke, madje si një kërkesë e justifikueshme”. Metafora e shinës së tretë në ligjërimin politik e jep qartë shkakun dhe pasojën e rrezikut vdekjeprurës. Në rastin më të mirë, ka rënë nga piedestali “marrëveshja strategjike”; ne rastin më të keq “Kali i Trojes” nuk ka pasur vetëm grekë, por edhe grekofilë e grekofonë në barkun e tij. “Dhimitri” dhe bursa e tij e Kokalisit ishte diskredituar më herët më gjuhen gjarpër të Kociasit, në prag të verës së 2015-ës, e për më tepër, në zemër të kryeqytetit shqiptar.

Në kulmin e retorikës “ultranacionaliste” të kryeministrit Rama teksa “Photo of the Day” shperfaqte Akropolin dhe shpëtimtarin e tij, kryeredaktori i gazetës “Kathimerini”, Aleksis Papaçelas, i mori nje interviste kercenuesit te BE-se, qe sterbetohej se do te bashkonte në kuptimin klasik Kosovën dhe Shqipërinë nëse nuk i hapeshin dyer e BE-se. Me një anglishte që nuk i rrjedh gjithsesi si frengjishtja, “globali” u zu shtang kur u pyet se në shtëpinë e tij flitej greqisht(të Kolekave bëhej fjalë). Mërmëritjet ta bënin të vështirë ta përkapje fjaleperfjalshem ligjërimin e tij, por justifikimi se ai nuk e fliste si te afermit e tij pasoi me një përgjigje që veç diplomaci s’kishte. I quajti “insane”( te çmendur) të gjithë ata që mendonin se mund të ndryshoheshin kufijte, ndërkohë që veç dy pyetje me parë kishte riktheksuar bashkimin klasik, nese! Çmenduri me kondicionel…!
Përse vallë i duhej tani një trill i tillë greko-shqiptar? A i kishte mbetur shtegdalje tjetër diplomatike?

Aq e trumbetuara marrëveshje strategjike me Serbinë, e cila sipas vegimit të tij do të hidhte pas shpine të gjitha mosmarrëveshjet e 7 dekadave shqiptaro-serbe i rezultoi flluske sapuni. U shperfaq si udhëheqesi i shqiptarëve që do të ribashkonte kufijte doganorë si Enveri me Titon, që ashtu rastësisht u projektua teknikisht dhe u vu ne zbatim nga Spiro Koleka(rreth 7 dekada me pare). U përpoq me mish e me shpirt që të rikrijonte Nju Jugosllavinë edhe me bekimin e Hanit, por në fillim të 2018-ës, madje edhe më gjuhën e Hanit, deklarohej në emër të BE-së se Serbia dhe Mali i Zi kishin berë hapa konkrete për integrim në BE. Ku i shkoi tërësia Nju Jugosllavi, kur flitet me të veçanta: Serbi e Mal i Zi? Madje ne Davos u nda edhe davaja rajon për kontinent: Shtypi pranë kryeministrit serb njoftonte se kryeministri francez Makron e kishte pranuar ftesën e homologut të tij serb, për të vizituar Beogradin; ndërsa shtypi pranë kryeministrit shqiptar njoftonte bujshëm se kryeministri grek e kishte pranuar ftesën e kryeministrit shqiptar për “marreveshje strategjike”. Ndërkohe që me homologët kosovarë nuk mbetet më te shpotitë e dozës së lehtë: “A nirthe”?, por tek metaforat me overdozë: “lopë-kanabist”.

Me një SHBA që e ka kërcënuar dhembë e dhemballë kur Sorosi ishte majë kalit; më një BE që në Vjenë i shfrehej në ligjeratë si “furious” se duhej të kthehej “në rrugen e drejtë”; “me rrugën e trëtë” të Blerit, që tashmë ka përfunduar në “shinën e tretë”; më një Itali që Rencin nuk e ka më kryeministër për të mbrojtur tahirë e tahiranë nga kanabizimi i Italisë; me një Greqi që “dyzetëshen e shenjtë” ia shet shtrenjtë; me një Turqi ku s’duhej t’ia prishë Sorosit për rrjetin Gylenin dhe ta mbajë shatra-patra me Erdoganin dhe financimet turke mish-peshk. Me një Zaev që bën çdo lloj piruete për gjuhen shqipe, por flet pa qime ne gjuhë para Vuçicit se Kosova eshte Serbi. Madje edhe me një Majko, qe më të qeshur e me të ngjeshur, e shpall si fajtorin e prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që funksionojne (ende) ne dobi të tij veç ne territorin amerikan të “Rrugës së Elbasanit”.

E ka dimrin e vetmisë së madhe, nëse do të perifrazoj (edhe) idhullin e tij letrar. Tashmë do bëhen trima edhe “besnikët”, sepse metafora e besnikut i qasej dhe i qaset preshit ne shpinë, por edhe në fundshpinë. Deja vu, edhe ne neobllokmeneri.