Mangësitë e gazetarisë *
Nga Alexis Papachelas (Kathimerini)
Mjaft qytetarë shprehin zemëratë këtyre kohëve edhe ndaj nesh, gazetarëve – dhe kjo shprehje është e kuptueshme dhe e pranueshme- pasi ky sektor publik ka luajtur një rol të rëndësishëm në skicimin e “qeverisjes bashkëkohore”. A nuk do të duhet tashmë të paguajmë pasojat? Sipas meje, kjo është e drejtë.
Fillimisht, ngase përgjatë shumë viteve nuk e kemi kryer siç duhet punën tonë për të nxjerrë lakuriq të vërtetën e skandaleve financiare që përfshinë vendin, emrat e politikanëve, numrat e llogarive, tenderët abuzivë apo shitjet e armëve. Skandalet më të mëdha në vend u bënë publike vetëm pasi ato u hetuan nga autoritetet e huaja, e më pas ne gazetarët vetëm u mbajtëm iso, duke pështjelluar shpeshherë dyshimin me kërkimin gazetaresk. Kështu, gazetaria investigative shfaqi mangësi të theksuara brenda gjirit tonë.
Ne s’mund t’u bishtnojmë përgjegjësive tona, pasi shumë grupime në gjirin tonë vënë si parësore interesin vetjak – shpesh të lidhur me interesa ngushtësisht financiare- ndërkohë që duhet të përmbushin siç duhet detyrimin që mbartim. Një rast tipik i kësaj dukurie ishte ai i një politikani të përfshirë në afera financiare, i cili nga ana tjetër shquhej si politikan i veprimit dhe që u shkonte punëve deri në fund. Disa gazetarë që kritikuan me tone të ashpra u shpërfaqen më pas si qesharakë në sytë e publikut, pasi reagimi i tyre ishte nxitur nga mllefe personale apo edhe arsye përfitimi të pronarëve të tyre.
Shtypi është ngjitur në shkallaren e katërt të pushteteve shpesh duke shkelur me të dyja këmbët në hapësirat e ndërmjetme gazetari-politikë. Ne thuajse të gjithë brofëm në këmbë dhe u hodhëm pupthi në betejën e paragjykimeve, iu puthitëm politikës, duke u treguar krejt të paaftë për të mbajtur distancën e nevojshme.
Kjo ngjitshmëri gjer në puthisje e gazetarisë në shpinën e politikanëve u nxit edhe prej “përfitimeve të majme” që ofronte pushteti politik për mediat. Për shembull reklamat e larmishme, subvencionet, konçesionet, etj., çka fuqizuan ndërvarësinë media-politikë.
Nuk ka asnjë arsye që gazetarët t’i shmangen përgjegjësisë së nivelit të ulët në të cilin është katandisur debati publik në vend. Ditën që stacionet “serioze” televizive ftonin çdo Tom, Dick apo Harry për të dhënë opinionet e tyre, diskutimet serioze u zëvendësuan me llomotitje demagogjike. Ky ishte çmimi që gazetarët paguajnë në këtë gjendje kritike në të cilën ndodhemi, duke i dhënë përparësi emocioneve dhe frymës demagogjike në një kohë kur duhej të na sundonte logjika e ftohtë dhe forca e arsyes.
Me gjithë këtë situatë lëngatash të gjithanshme s’mund të anashkalohet fakti që kishte edhe prej nesh që e kryen ashtu siç duhet detyrën e gazetarit. Ndonëse imazhi i medias është rënduar e shformuar, pjesa më e dukshme e saj është publikimi i lajmeve të pakonfirmuara(shpesh të ashpra e denigruese).
Shumëkush ka mbetur pa frymë dhe pyet veten sesi mundet të shpresohet që vendi të normalizohet në këtë gjendje të koklavitur ku ndodhemi; ndërkohë që përballemi edhe me këtë situatë në botën mediatike. Prapëseprapë, përtej të gjitha mangësive që po shoqërojnë vendin, duhet të rrahim fort mendimet mes nesh se cilat mund të jenë arsyet e mangësive të kulturës sonë mediatike(nëse gjykohet se ajo frymon ende).
*Përgatiti ne shqip Zamir Gjurgji