LSI: PS në bashkinë Skrapar lë pa ndihmë ekonomike qindra familje

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar mungesën e qëllimshme të disa këshilltaëve të PS në bashkinë Skrapar, në mbledhjen ku do miratohej ndihma ekonomike.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, kryetari i Bashkisë Skrapar Nesim Spahoi dhe deputeti i LSI Nasip Naço fajëson deputetin socialist Adnor Shahmeti pasi ka urdhëruar këshilltarët për bojkot, duke lënë 876 familje të paaftësisë dhe 418 aplikantë të ndihmës ekonomike pa të ardhura

Nesim Spahiu: 876 familje të paaftësisë do të mbeten pa të ardhura për veten dhe familjet e tyre për shkak të “këshillave” verbale të deputetit të Partisë Socialiste z.Adnor Shahmeti që u jep “këshilltarëve” të subjektit të tij. Po ashtu edhe 418 aplikantë të ndihmës ekonomike do mbeten pa të ardhura nga kjo mungesë e këshilltarëve duke treguar papërgjegjshmërinë morale ndaj komunitetit që ata përfaqësojn

Nasip Naço: Unë do doja që deputeti i zonës Adnor Shameti të heqi dorë nga veprimet e tij meskine dhe së bashku me të gjithë deputetët e Qarkut të bëhet zgjidhja e problemit, dhe jo problemi vetë. Ai duhet të heqi dorë nga presionet se ndihma ekonomike është dhuratë e tij. Ai duhet ta kuptojë se presioni me ndihmën ekonomike dhe të KEMP-it, nuk do ti sjellë votat e munguara RIlindjes prej vitesh në Skrapar.

Deklarimet e tij se do jetë prezent në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për tu bërë të qartë se KEMP-I dhe përkrahja sociale janë dhuratë e këtij deputeti delirant.

Janë jo pak, por rreth 876 familje, përfituese të paaftësisë së përkohshme, të cilat do të mbeten pa të ardhura, duke bërë që ata t’i drejtohen listave të dyqaneve dhe duke u lënë si rrugë të vetme braktisjen dhe largimin jo vetëm nga Skrapari, por dhe nga Shqipëria.

E njëjta situatë është dhe për 418 aplikantë të rinj të ndihmës ekonomike, të cilët do mbeten pa të ardhura, vetëm për shkak të mungesës së këshilltarëve të Rilindjes në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Qëllimi i deputetit të Rilindjes është i qartë: sa më të varfër të jenë njerëzit, aq më e lehtë është që përkundrejt varfërisë tu blejë votën e tyre.

Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi skrapallinjtë, janë të varfër, por janë krenarë dhe nuk mund të shiten dhe blihen. Koha e ka vërtetuar.