LOGJIKA E LEVANTINËVE
Nga Av. Xhafer Sadiku
Është interesante të dëgjosh levantinët, apo më mirë të themi “kokëxhelët” kur flasin për grupe të ndryshme të shoqërisë që u shkelen të drejtat.
Kështu, kur është fjala për dëmshpërblimin e ish të burgosurve politikë, ata thonë: pse duhet të paguajë shoqëria për ta?!
Njëjtë arsyetojnë edhe për kompensimin e pronarëve për pronat e zëna.
Së fundi, këtë e përsërisin edhe për banorët që u prishen shtëpitë nga mafia shtetërore e pastrimit të parave të pista.
Kokëxhelët nuk i kemi dëgjuar kurrë të ankohen për shumat e mëdha që përfituan nga buxheti elita e komunizmit, pas vitit 1997.
Këta nuk i kemi dëgjuar të ankohen për shumat e mëdha që paguhen për ata që fitojnë gjyqet, të pushuar pa të drejtë nga puna nga mafia në pushtet.
Këta nuk i kemi dëgjuar kurrë të flasin për vjedhjet e qindra milionave dollarë çdo vit që bëjnë pushtetarët nga buxheti i shtetit.
Nëse do të bënin një analizë të përciptë, ata do të arrinin në përfundimin se:
• Dëmshpërblimi i të burgosurve politikë do të eliminonte dënimet politike në të tashmen e të ardhmen.
• Kompensimi i pronarëve për pronat e zëna do ta bënte regjimin të respektonte pronën private dhe pronarët e saj.
• Pushimet arbitrare te punonjësve nga puna nga ana e drejtuesve do t’i detyronte këta të fundit të paguanin dëmin e shkaktuar.
Dhe së fundi, do të mbyllte kapitullin e sundimit të Shqipërisë nga një klikë jakobine që vazhdon praktikat terroriste të paraardhësve të saj.