LLAGABERJA

Nga Zef Zefi

Nuk besoj se ekziston në fjalorin e gjuhës shqipe. Nuk besoj të ketë etimologji, ngaqë unë e mendoj onomatopeike, që ka për rrënjë fjalën “llak-llak”, siç nuk di dhe shtrirjen e saj në dialekte, nëndialekte apo të folme.
Fjala “llagabere” vetëm gramatikisht është femërore, po i referohet dhe shenon të dyja gjinitë(tani dhe tre a katër të rejat…majtisto-neoliberiste)
Llagabere në të folmen time të Mirditës i referohet një personi mashkull ose femer që nuk i pushon goja. Ka fjalën ose ligjërimin e vet për çdo argument pavarësisht sa di apo sa thotë ai/ajo për argumentin.

Llagaberja sapo ta hasësh, të zë rrugën e nuk të lëshon derisa të informojë për ç’ka ka ndodhur, por kryesisht me fantazinë e tij për ç’ka ka ndodhur, me versionin e tij të cilin me këmbëngulje kërkon të ta imponojë derisa ti dorëzosh aprovimin me tundje koke, buzëqeshje aprovuese ose me pohim të vendosur, deri në lavdërimin “të lumtë ajo gojë…se ashtu si ti mendoj edhe unë…, qoftë për ta hequr qafet, qoftë për oportunizëm.

Çdo lagje (ka raste dhe shtëpi grup tavolinë) fshat, qytet, qark dhe shtet e komb ka llagaberen e vet.
Llagaberja nuk zgjidhet, psh mblidhen llagaberet e zgjedhin të parin e tyre.
Jo llagaberja vetëzgjidhet, sapo të zbardhë e bardha ditë. Dhe llap. Llap pa pushim. Edhe me vete, duke folur me ty që nuk je aty në rastin e dhënë.

Llagaberja gjendet kudo, në tavolina, në dasma, morte, furgonë, autobus, mbledhje, takime mitingje, në kishë, xhami, deri në foltoret legjislative dhe ekzekutive të shtetit.

Llagaberja në tavolinë psh: e njohim të gjithë. Mundohemi t’i shmagemi ose ti ikim duke sajuar lloj lloj punësh dhe urgjencash, po ik në ta mban. Llagaberja është diabolik, ta lexon ballin si fallxhorja vizat e dorës. Të mban aty, deri dhe përkrahu, duke të lavdëruar, ndoshta dhe me nënqeshje per pjesën tjetër të grupit.
Llagaberja ligjëron për këdo, për gjithçka, ka raste që mekanizmi i ligjërimit eshtë interesant, elegant, autoironik, sarkastik, prodhon batuta me të cilat ndoshta nuk qeshet, por veshtrimi i tij kerkon nga ti që ta dhurosh një të zgërdhime.
Ndodh që llagaberes ia ka zënë gojën për pak sekonda shishja, gota ose luga dhe dikush nga grupi nis një argument
psh matematik, llagaberja pa e përcjellë në ezofag materialin e gojës, të nxjerr përpara shuplakën si polici rrugor “latën” “stop”
Ta merr argumentin. Argumentin tënd ia nënshtron mekanizmit të tij llagaberik, të sjell njëqind shembuj, nga thashethemnaja ose sajesa sa ta pjerdh ty “Dekartin”. Keto punë i di ai, siç di për mjeksinë, u mban leksione mjekëve, pedagogëve, akademikëve, shkrimtarve, muratorëve, hidraulikëve, bujqve.

Në fakt llagaberja si fjalë në semantikën e vet ka dispregjativen, ndaj dhe askush nuk e zë këtë fjalë në sy të bartësit të ketij shenjimi.

Psh në Mirditë llagabere mund të jetë kushdo që nuk është prezent, po asnjë prej prezentëve, edhe sikur të jenë me shumicë aty duke të parë në kokërr të syrit.

Llagaberja duke qënë një fjalë të paktën mbarëmirditase, ku “…në kuvend gjithkush ka rendin, kuvendo (pa rend) veç kur të përmendin…” është ligj mijëra vjeçar, mendo aty ku ky ligj nuk është njohur kurrë. Çfarë pushteti dhe kontrolli mbi mendjet, deri dhe impulset tona, ka llagaberja me gjithë sinoniminë e vet kaq të pasur madje të begatë.

Sepse asnjë nga ne të grupit, qoftë për koformizëm rrallëherë etikë, për oportunizëm a mungesë kurajoje, mbasi nuk do ta gjesh solidaritetin e grupit, nuk i themi, pusho (edhe pa “mut-muti”) të paktën për këtë argument të cilin më ka qëlluar ta di ma mirë se ti, ti nuk ke të drejtë.

Konkluzivisht llagaberja është dhe do të jetë detyrimisht i pari i sofrës i grupit, dirigjenti i muhabetit,(tani dhe i rrjetit) deri i pari i pushtet-shtetit.

RROFTË llagaberja!