Letër Ambasadorit Lu: Keni marrë në mbrojtje krimin e organizuar !
Nga Idriz Morina
Ambasador i nderuar ka disa ditë, që të paktën privatisht po debatojmë me shumë miq, pse ju nuk po reagonit për rastin “Tahiri”.
Natyrisht, edhe ne si shqiptarë, dhe të mbushur me ‘frymëzim’ nga letrat tuaja, veçanërisht ato ku Ju i jeni drejtuar shqiptarëve, që veç sa nuk na keni quajtur një komb kriminel.
Letrat tuaja, madje, pavarësisht mospajtimeve për akuza kolektive, i merrja për miqësore, si një shprehje e vullnetit të pastër, që nuk lë vend për diskutim dashamirësinë.
Por, kur tash i rilexoj letrat tuaja, dhe duke qenë se jo pak e njoh mentalitetin në Shqipëri, pasi e kam njohur nga afër për muaj të tërë në vitet e pas daljes nga diktatura, dhe ku kam njohur katrahurën shpirtërore që ia ka shkaktuar po diktatura, më rezulton i çuditshëm mos reagimi juaj ndaj proceseve në rrjedhje e sipër (kur diskutohej në Komisionin e ligjeve dhe më pas në Grupin Parlamnetar të PS-së dhe në fund në Kuvendin e Republikës).
Po të kishit qenë shqiptar, ashtu siç edhe ju e përshkruani deri diku (shqiptarin), do ta kisha kuptuar si sjellje prej një inatxhiu shqiptar, pra për shkak të përplasjes që keni pasur me kryeprokurorin Llalla, ju nuk doni me asnjë kusht ta pranoni, se kundërshtari juaj ka të drejtë të paktën në një rast, pra gjithmonë do të donit ta vërtetonit të kundërtën.
Reagimi juaj, një ditë pas vendimit të Kuvendit të Republikës, i cili e mori hapur në mbrojtje një të dyshuar për krim të organizuar, është edhe më i papranueshëm, që të merret si i sinqertë apo i kuptueshëm.
Ju ambasadorët amerikan jeni mirëpritur gjithmonë në reagimet e juaja, edhe atëherë kur mund të mos keni pasur të drejtë, pasi fjala e Amerikës shihej si fjala e Zotit ndër shqiptarë!
Z.Ambasador, sikur ta kishte përdorur veturën tuaj ky grup apo cilido grup i krimit të organizuar, cili do të ishte reagimi i Administratës Amerikane?
Po të shkonte kjo çështje në Kongresin amerikan, cili do të ishte votimi?
A do të kishte amnisti apriori nga Kongresi për ju, dhe a do të përplasej Kongresi me prokurorinë e shtetit?
Pa na u përgjigjur ju, ne besojmë thellësisht se nuk do të kishte guximin askush ta ndalonte hetimin e një skandali të bërë publik, jo më nga mediat (që i fyen e poshtëron Rama), por nga Prokuroria italiane dhe shqiptare, ndërsa po shkojnë drejt dekadës akuzat e bëra publike nga polici hetues Zagani për ish ministrin Tahiri?
Pra, edhe më keq se sa heshtja juaj ishte reagimi juaj.
Ajo miqësi deri në përulësi e shprehur ndaj shqiptarëve nga ana juaj në letrat tuaja për shqiptarët, nga edhe e kam marr shkasin të reagoj, ka shpërputhje totale me qëndrimin tuaj me skandalin më të madh në ndriçim e sipër.
Nuk mund të mos i evidentoj dy gjëra, që reagimet tuaja publike, nuk janë në nivelin diplomatik në shumë raste,
Dhe që kjo sjellje e juaja, e cila i bën të dyshimta edhe raportimet (relacionet tuaja) për State Departamentin, është pro drogës, pro krimit më të lartë të organizuar.
Ju flitni për problemet periferike, dhe doni të mbuloni me çdo kusht skandalin e shekullit. Më saktë turpin e shekullit.
Me këtë ju po dëshmoni se politika që keni ndjekur ju ka qenë në shërbim të forcimit të klaneve të drogës, dhe kërkoni që shoqëria shqiptare ta harroj drogën, në kohën që në qeverisjen e Ramës, jo vetëm trafiku ka shënuar kulmin, por sipas raportimeve në media, tashmë sipas mesatares së përdoruesve për kokë banori, ia ka kaluar edhe Britanisë për përdorimin e kokainës, një shtet ku tradita e përdorimit të drogës është më shumë se prej një shekulli, ndërsa trafikimi-tregtia e drogës nga kjo perandori i ka më shumë se tre shekuj.
Ndoshta edhe këtu buron obligimi juaj, që aleatët tuaj të mos e humbin tregun, apo ta kompensojnë nëpërmjet Shqipërisë.
Ndryshe nuk ka as logjikë diplomatike, dhe aq më pak me shpirtin e dëlirë, për dashurinë ndaj shqiptarëve që keni shprehur, ama vetëm deri tek droga! Para këmbëve të drogës, dashuria juaj për shqiptarët dorëzohet, venitet deri në zhdukje!
Më tej akoma,
Si u bë që edhe në Kosovë, ata që janë në krye të shtetit të jenë të pranueshëm, madje për dekada për diplomacinë tuaj, edhe pse janë zbuluar me dhjetëra skandale tronditëse, droga, trafiku i armëve, i naftës, i tenderëve dhjetëra e qindra milionësh, deri tek vrasja e njerëzve të pafajshëm, kundërshtarëve politik, … zbrazja e Shqipërisë dhe Kosovës me rreth 50 % (jo nga mortaliteti, por nga detyrimi për të ikur), gjithë kjo heshtje e gjatë, tek një shtet dhe diplomaci, që për gati 3 dekada i kemi varur jo vetëm shpresat, por e kemi dorëzuar fatin tonë!
E dimë dhe e kuptojmë që pikësëpari jemi fajtorë ne shqiptarët, se s’patëm intelektualë të duhur që ta drejtonin vendin më mirë, por ne kemi dyzina njerëz më të mirë, dhe që janë të gatshëm ti ndihmojnë shtetet tona drejt një të ardhme më të mirë, se sa këta që ju i përkrahni, dhe asnjëherë si sfidoni seriozisht.
Mundësia juaj është e pakufizuar për ti sfiduar këta grusht kriminelësh, që ju thoni: Në 27 vitet e fundit … politikanë të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”.
Sipas jush Berisha dhe Meksi nga e djathta, dhe nga e majta, Nano-Meta-Rama (dhe ndonjë tjetër), kanë kryer krime të tmerrshme pa pushim.
Por, kurdo që ju ta thoshit këtë në prag fushate, zgjedhjesh brenda partiake, ata do të ishin një hiq, duke ditur disponimin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve, dhe bindjen e verbër (jo vetëm besimin) se fjala e Amerikës është fjala e Zotit.
Por, ju nuk po e bëni këtë as tash!
As tash kur duhet të prangoset Saimiri sipas kërkesës-urdhrit të Prokurorisë, dhe gjithë saimirët që i shërbyen trafikut të drogës, ju po i nxirrni akuzat për të djathtën.
E kishit kohën e mjaftueshme deri në këtë moment të kërkonit edhe me emra ish zyrtarësh të shtetit nga e djathta gjer te Berisha, por ju luani në një kartë tjetër, të ruajtjes së këtyre dosjeve të përveçme për qëllime të ruajtjes së varësisë ndaj jush deri në mazohizëm!
Këtu përfundon diplomacia dhe zhveshët ‘dashuria’ juaj për shqiptarët ‘barbarë’!
Marre nga Shqiptari.eu