Latino-amerikanizimi i Europës

 

Nga Moisés Naim* – “El Pais”/

Një nga vizitat e mia të shpeshta në Bruksel përkoi rastësisht edhe me takimin e nivelit të lartë të vendeve europiane për të hartuar një plan të përbashkët dhe për të vënë në rend ekonomitë e tyre. Po aq rastësisht, takimi që unë kisha u mbajt në të njëjtin hotel ku bujtën anëtarët e delgacioneve të këtij takimi europian. Kështu, kur thyhej dita apo gjatë ngrënies së mëngjesit, ishte e natyrshme të këmbenim ide me miqtë ekonomistë të qeverive të ndryshme që mbështesnin me propozimet përkatatëse marrëveshjet e udhëheqësve të tyre. Historia, ankthi e dështimet(që janë të pranishme në mënyrë të pandërprerë në këto kohët e fundit teksa mbizotërojnë emergjencat, lajmet e këqija dhe grindjet) ma ngacmuan fort kujtesën.

Shumë vite më parë, në fillimet e viteve ’90-të, kam qenë ministër e vendit tim të lindjes, Venezuelës, kur qeverisë i duhej të paguante borxhet dhe ekonomia po shkonte teposhtë. Më pas kam punuar në Bankën Botërore dhe kam ndjekur nga afër marrëveshje të ngjashme me shumë vende të tjera. Nga përvoja ime kam vërejtur se dështimet janë më të shpeshta sesa arritjet. Ndërkohë që prej dështimeve mund të nxirren mjaft mësime.

Në bisedimet jozyrtare me miqtë europianë, dilnin gjithnjë e më në pah ngjashmëritë e krizave që kishin tronditur vende të ndryshme europiane. Por ishte befasues fakti se megjithëse ngjashmëritë ishin të prekshme, bashkëbiseduesit e mi shfaqeshin të përkorë në përkapjen e idesë se nga pësimet e Amerikës Latine mund të nxirreshin mësime të rëndësishme për administrimin e krizës evropiane. “Europa është ndryshe”,-ishte përgjigjia e tyre e atypëratyshme.”Kemi euron, ekonomitë dhe sistemet tona financiare që janë mjaft të ndryshme, po ashtu edhe institucionet e kultura jonë”, ngulnin këmbë. Kjo është e qartë. Por ka edhe realitetet të tjera që janë po aq të qarta.
Ndërmjet viteve 1980 dhe 2003, Amerika Latine ka vuajtur pasojat e goditjeve prej 38 krizave ekonomike. Rajoni në tërësi, autoritetet shtetërore, politikanët e saj dhe opinioni publik latino-amerikan kanë nxënë shumë mësime nga përvoja e këtyre ngjarjeve të hidhura. Mbi të gjitha, mësimi më i vyer ka qenë ai që mund të quhet “pushteti i paketës”. Paketa është një varg masash ekonomike, tërësorë, në vazhdë, të besueshme dhe politikisht të qendrueshme në kohë. Për më tepër, çka është edhe më e rëndësishmja, jo vetëm që të ofron planshkurtimet e shpenzimeve publike dhe masave të ashpra buxhetore, por ofron njëherazi edhe një shpërndarje të drejtë të shpenzimeve të mëkëmbjes ekonomike ndërmjet grupimeve të ndryshme shoqërore, fuqizimin e rrjeteve të sigurisë shoqërore për shtresat më në nevojë, reforma strukturore që krijojnë më shumë vende pune, dhe, mbi të gjitha, shpresë për një të ardhme më të mirë.
Mjerisht, sa është i fuqishëm efekti shërues i kësaj pakete të gjerë e në vazhdë, po aq mbizotëron edhe prirja për ta shmangur. Gabimi më i rëndë në Amerikën Latine ishte prirja për të përballuar krizën me mjete të pjesshme dhe mendimi që të shtyheshin në kohë të pacaktuar vendimet e papëlqyra nga shtresat e gjera të popullatës. Çka ndodhi në Greqi e Itali të bën të kuptosh se çfarë ka ndodhur kohë më parë, për shembull, në Argjentinë. Por, herët a vonë, realiteti të detyron, ndërsa masat e pjesshme të shpien drejt dështimeve.
Kjo mënyrë shtron udhën e kryerjes së përpjekjeve të njëkohshme në sektorët më të brishtë të ekonomisë: borxhet e larta dhe shpenzimet e shfrenuara publike, banka pak të kapitalizuara dhe të keqadministruara, politika të pakontrolluara fiskale e monetare, aftësi e ulët garuese në rrafsh ndërkombëtar dhe ligje që pengojnë investimin e kapitaleve dhe krijimin e vendeve të punës. Duke u përqendruar te një apo disa nga këta sektorë të dëmtuar të ekonomisë, e duke lënë të paprekur pjesën tjetër që është edhe më e madhe, kjo është një recetë që nuk pi ujë. Për më tepër, nuk vlejnë as premtimet politike për shkurtime të ashpra e të vijueshme buxhetore për të paguar borxhet e huaja.
Kur disa kritikë lëshojnë deklarata nënçmuese për krahasimin me Amerikën Latine, ata kanë në mendje Amerikën Latine të së djeshmes. Por ka edhe mënyra të tjera të këndvështrimit: më e mira që mund t’i ndodhë Europës është që ajo t’i përngjajë Amerikës Latine të sotme: që ka ditur bukurisht të lundrojë në dallgët e krizës botërore pa u përmbysur, që administron me kujdes financat publike dhe që di të vendosë rregull te bankat e saj. Vendet më të përparuara të rajonit, Brazili, Kili, Kolumbia e të tjerë në radhë, po shtojnë ritmin e rritjes ekonomike, duke hapur gjithnjë e më shumë vende pune dhe ku shtresa e mesme e popullsisë po zgjerohet gjithnjë e më shumë në vitet e fundit. Për më tepër e për habinë e shumë të tjerëve, “Amerika Latine ka sot sistemin financiar më të qendrueshëm në botë”, siç pohon José Juan Ruiz, ekonomist i Bankës “Santander”, njëherazi vëzhgues i mprehtë i skenës financiare botërore.
Nuk bëhet fjalë që Europa të rrëshqasë drejt varfërisë, pabarazisë, korrupsionit e dhunës, dukuri kaq të njohura në Amerikën Latine. Bëhet fjalë që të nxjerrë mësime nga dështimet dhe arritjet e një rajoni që e njeh më mirë se cilido rajon tjetër në botë krizën ekonomike, rrënimin e bankave, goditjet e jashtme , pasojat e shpenzimeve të larta, humbjeve monetare, borxheve të lartë dhe premtimeve në erë të populistëve. Uroj që Europa ta kapërcejë krizën ashtu siç diti të veprojë Amerika e re Latine. Në këtë kuptim, latino-amerikanizimi i Europës është një urim për mbarë.

*)Dr. Moises Naim,  ish-kryeredaktor i revistës amerikane “Foreign Policy”. Shkruan rregullisht për “New York Times”, “Washington Post”, “Newsweek”, “Time”, “Berliner Zeitung”, “Le Monde”, “El Pais”, “L’Espresso”. Anëtar i “World Economic Forum’s International Media Center” dhe anëtar i Bordit Drejtues të “Grupit Ndërkombëtar të Krizave”.

Përgatiti në shqip : Zamir Gjurgji