Kur shteti nderon krimin !*

Nga Nebil ÇIKA

“Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi Gjenerallejtënant (në lirim) Rrahman Parllakut dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, qëndrestar i paepur në burgjet e diktaturës komuniste, veprimtar i rrallë në mbështetje të demokracisë, si dhe vendosjen e forcimin e shtetit ligjor”. Ky është njoftimi tronditës në faqen zyrtare të Presidentit për një nga dekretet e fundit të firmosura prej tij.Është një histori që përsëritet e përsëritet paturpësisht nga politika dhe institucionet e shtetit shqiptar dhe tashmë nuk mund të konsiderohet më një “gabim”. Nderimi i të keqes veçanërisht na mban ne si shoqëri, komb e shtet larg standardeve të qytetërimit evropian që i përkasim si origjinë e që po tentojmë ti ribashkohemi edhe politikisht e zyrtarisht që nga viti 1990 e këtej. Ka shumë raste te tilla në këto 23 vjet te pluralizmit politik në Shqipëri por besoj se veprimi i fundit është flagrant dhe i pa tolerueshëm për shkak të kohës dhe kushteve politike sociale e historike ne te cilën ai ndodhi. Me datën 17 prill të këtij viti Presidenti i Republikës ka dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit Rahman Parllakun, një nga krerët e lëvizjes komuniste , drejtues i njohur i krahut të armatosur të sajë nga njësitet guerile tek gjeneral i ushtrisë se diktaturës . Jo vetëm dekorim por edhe vetë motivacioni “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, qëndrestar i paepur në burgjet e diktaturës komuniste, veprimtar i rrallë në mbështetje të demokracisë, si dhe vendosjen e forcimin e shtetit ligjor”, përbëjnë pa dyshim një veprim të turpshëm dhe një provokim te rende jo vetëm për viktimat e krimeve te komunizmit por edhe për vlerat e interesat e kombit tonë. Por ti marrim me radhë e të shohin se fare përfaqëson si “i nderuari” i fundit i kombit dhe sa i vërtet është motivacioni zyrtar që synon të justifikojë këtë veprim. “Presidenti i Republikës, i akordoi Gjenerallejtënant (në lirim) Rrahman Parllakut dekoratën “Drejtues i talentuar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Drejtues dakord ashtu ishte , por i cilës luftë ?! “Nderi” me i fundit i kombit tonë e nisi luftën si pjesëtar e drejtues i qelizës se parë terroriste njësitit gueril Vlorë përgjegjës për dhjetëra krime nga 1941 deri ne 1944. Un nuk di që njësiti gueril i Vlorës të këtë vrarë ndonjë pushtues por di me siguri që ka vrarë dhjetëra kundërshtarë nacionaliste,madje edhe komunistë si pjesë e spastrimeve te shpeshta politike në partine e tyre . Personi ne fjalë ka qene aktivist e drejtues i këtij grupi dhe si i tille është edhe përgjegjës për veprimtarinë famëkeqe të tij gjë kjo e mjaftueshme për të mos u trajtuar nga shteti demokratik me nderim e për me tepër “nder i kombit”. Por kjo nuk është e vetmja provë e arsye pse Presidenti nuk duhet ta kishte dekretuar një gjë te tillë. Mendoj se komprometimi më i madh i këtij “drejtuesi të talentuar te ushtrisë” është pa dyshim veprimtaria e tij në krye të ushtrisë që u dërgua pas luftës ne Kosovë për të shtypur lëvizjen nacionaliste atje për llogari të komunistëve jugosllave të Titos. Dihet tashme fakti qe ushtria partizane shqiptare një prej komandantëve kryesor të së cilës ishte edhe i sapo dekoruari Parllaku ishte jo çlirimtare por pushtuese pasi ndihmoi hapur ne shtypjen dhe pushtimin e Kosovës dhe viseve te tjera Shqiptare në ish Jugosllavi nga partizanet Jugosllave. Siç dihet kjo periudhe 1945- 1946 përbën edhe kohën kur në Kosove u shënuan krime e barbari të pa para mbi shqiptaret qe kulmojnë me Masakrën e Tivarit ku të paktën 4 mijë shqiptarë u vranë nga forcat Jugosllave pasi ju dorëzuan atyre prej brigadave partizane të Shqipërisë komandant i se cilës ishte edhe “nderi i kombit “ Rrahman Parllaku. Ka pasur vitet e fundit një debat te madh historik e politik mbi këtë çështje dhe tashme është qartësuar roli kriminal e tradhtar i ushtrisë apo partizanëve nga Shqipëria në Kosovë. Ata i prenë në besë vëllezërit e tyre në Kosove , Maqedoni e ne Mal të Zi që ne bese te Zotit e gjakut të përbashkët kërkuan mbrojtje tek këto brigada te cilat i dorëzuan tek armata Jugosllave e cila beri masakër mbi ta. Nuk dua të zgjatem shumë te ajo fare bënë partizanet e Shqipërisë në Kosovë pasi ata qe kane vese e sy e kane marrë vesh por trajtimi nga shteti i përgjegjësve të sajë përben realisht një problem shume serioz . Masakra e Tivarit u risoll politikisht si ngjarje në vitin 2012 me rastin e 100 vjetorit te pavarësisë, kur me iniciativën e ish qeverisë Berisha u ngrit edhe një grup hetimor parlamentar i cili funksionoi për më shume se një vit dhe mblodhi dokumente e prova te mjaftueshme për masakrën dhe përgjegjësit shqiptar te sajë qe ishte edhe qëllimi i këtij hetimi. Nuk e di ne se komisioni e përfundoi apo jo punën e tij por di qe njeri prej pjesëtarëve aktiv të tij z. Uran Butka botoi një libër në të cilin vërtetohet me dokumente roli i partizanëve shqiptar dhe veçanërisht drejtuesve të tyre përfshi edhe të “nderuarin” e fundit të kombit ne këtë masakër ndoshta me te madhe kundër shqiptarëve. Ish kryeministri Berisha akuzoi drejtpërdrejtë Ramiz Alinë si autor te Masakrës se Tivari, gjë që siç thash është vërtetuar edhe nga hetimi i komisionit parlamentar . Personalisht kam qenë një mbështetës i hetimit dhe ndëshkimit te këtij krimi apokaliptik mbi shqiptarët dhe kamë i jap te drejte z. Berisha në akuzat e tij. Sipas dokumenteve Ramiz Alia ka qene i përfshirë në këtë krim por sigurisht që ai nuk është vetëm . “I nderuari” i fundit është bashkëpunëtori kryesor i Alisë pasi te gjitha vendimet e urdhrat janë marrë, dhënë e firmosur së bashku, njeri si komisar e tjetri si komandant partizan siç vërtetohet edhe ne këtë telegram te gjetur ne arkivat e ushtrisë shqiptare që ai e drejtonte me talent të madh :Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi Prizëren.
Bashkangjitur po ju dërgojmë listën emnore e të dorëzuarve dhe të vullnetarëve kosovarë t’ ardhun në radhët e këtij Divizioni
Komandnati Komisari
N/Kolonel Rahman Parllaku N/kolonel Ramiz Alia
Mitrovicë, 7/4/1945
Siç e shikoni telegrami me listën e shqiptareve te Kosovës të dorëzuar te partizanet shqiptar i dërgohej shtabit Jugosllav ne Prizren . Ishin pikërisht pjesëtaret e këtyre listave që u dërguan me vonë në Tivar për tu Masakruar nga Armata Jugosllave . Besoj se ky dokument është i mjaftueshëm për të kuptuar “drejtimin e talentuar qe i bëri luftës nacional- çlirimtare “nderi” me i fundit i kombit tonë. Por jo vetëm kaq . Ky dokument vërteton edhe bashkëpunimin e tij me Rmiz Alinë. Ne këtë situatë pyetja është e thjeshte dhe e qartë : Pse Rami Alia konsiderohet me te drejte si “xhelat” dhe tradhtarë ndërsa ky Parllaku që ka firmosur ne krah me të “nderi i kombit”. Ç’është kjo logjike leshi , komandanti trajtohet si heroi dhe komisari si kriminel për një krim autorësinë e të cilit e kanë firmosur bashkë .
Mendoj se me këto që thamë më lart biem dakord që personi i dekoruar nuk e meritonte “nderin e kombit “ përkundrazi por thelbi i problemit nuk është ku por tendenca e politikes dhe shtetit shqiptar për të përsëritur “gabimin” dhe nderuar ne mënyre të vazhdueshme të keqen duke na e sjelle here pas here ne vëmendje si te vetmen vlere zyrtare të kombit tonë. Por përveç efektit negativ politik , historik e moral kjo praktike përben një rrezik të madh për të ardhmen e vendit . Ta zëmë se ,larg qoftë, te rinjtë tanë pas disa vitesh zgjedhin si model këtë tip të “nderit te kombit “ fare duhet te bëjnë?! Me këtë dekorim shteti shqiptar u thotë: krijoni njësite guerile, vrisni e tradhtoni popullin e kombin tuaj se kështu do te jeni te nderuar nga shteti jonë.Nuk i di por mund ti marr me mend motivet e kësaj sjelljeje të përsëritur të kreut të shtetit shqiptar por edhe institucioneve të tjera të tij sidomos kur drejtohen nga përfaqësues që pretendojnë se vijnë nga e djathta antikomuniste politike. Media dhe PD pothuaj e kanë kryqëzuar ish presidentin Bamir Topi për dekorimin e disa autoreve te krimeve te komunizmit. Z. Topi e cilësoi si lapsus dhe ne një rast si ai i ish prokurorit Skënder Breca e anuloi dekretin . Mjafton vetëm ky precedent me Topin për qe gabime te tilla te mos përsëriteshin por me sa duket nuk behet fjalë thjesht për gabime por për veprime te llogaritura mirë. Fakti që lajmi u bajat disi i fshehur nga media e bën edhe më misterioz këtë vendim e më te dyshimte prapaskenën dhe qëllimin e tij. Ajo që gjithashtu me habit është mos reagimi i deri tanishëm i politikës dhe veçanërisht shqotave te ish të përndjekurve politikë. Dua te kujtoj se ne rastin e Topit me Brecën reagimi ishte i fortë e i menjëhershëm . Pres gjithashtu edhe një reagim personal nga z. Berisha si iniciator personal i hetimit te Masakrës se Tivarit me akuza te drejtpërdrejta për Ramiz Alinë.Nuk e di si do ta trajtojë me tutje z. President këtë çështje por besoj se ka ne dispozicion vetëm një mundësi riparimi atë te anulimit të dekretit dhe tërheqjes së dekoratës . Në te kundërtën i duhet të dekorojë te njëjtën mase edhe Ramiz Alinë. Te gjithë e dimë se rasti ne fjale nuk është i vetmi ne listën e gjatë të të inkriminuarve të dekoruar të Shqipërisë, por shtesat në liste nuk priteshin nga kjo presidencë , nga ky President . E mirëkuptoj pretendimin për pamundësinë e heqjes së titujve dhe dekoratave te Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë të lartë të diktuarës komuniste pasi ligji qe kanë bërë vetë nuk ua mundëson një gjë të tillë. Por te shtosh radhët “të nderuarve të kombit” me kriminelë te tjerë , ketë qëllimin dhe arsyet e sajë nuk arrij ta kuptoj dot ose me mire të them që nuk kam dëshirë ta kuptoj…. ashtu siç e mendoj unë.
Botuar në 24/04/2014

*Ky eshte një reagim i imi ne vitin 2014 ndaj dekorimit nga ish Presidenti Nishani te nje prej autoreve te krimeve te komunizmit . Po e ribotoj sot si një qëndrimi i pa ndryshuar i imi ndaj nderimit të te tij nga Qarku Kukës . Ky eshte një turp që për aresye te pasqaruara publikisht vazhdon te përsëritet nga zyrtare e pushtetetarë të PD .