Kosovarët
Nga Maksim Rakipaj
(fragment)
…Kemi patur në burg mjaft kosovarë, por kosovarët që nuk kishin shtetësinë shqiptare e bënin burgun në një aneks të veçantë. Ky vend i veçantë në kampin e Ballshit quhej kapanoni i emigrantëve, i të huajve. Ata që kishin marrë shtetësinë e ëndërruar shqiptare ishin në burgjet tona, bashkë me ne. Kam shkruar për mjekun kosovar, Ajetollahun, që ishte në Spaç. Burrë me karakter, si herojtë e rrëfimeve pambarim të zotni Xhavit Podinit. Por me doktor Ajetin kam patur vetëm një përshëndetje. Miqësi kisha me një gjakovar, Hasan Kukalin. U arratis nga Kosova fare djalë i ri. Erdhi në vendin e ëndrrave, në vendin amë të të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri. Mendonte të gjente vendin më të lumtur në botë, më të pasur, Shqipërinë e Enver Hoxhës, që tmerronte gjithë armiqtë e vendit, “që i bajke m’u dridhë grek e shkja, italjan e rus e kush t’i dilke para”… Gjeti një vend të heshtur, të mjerë, të varfër, me njerëz që kishin frikë të thoshin çka mendonin, një Enver që bënte të dridhej një popull skllevërish, që me këpucë të grisura e barkun bosh mbushte sheshet e mitingjeve duke u çjerrë “parti-enver, jemi gati kurdoherë”. Sa për botën, e kuptoi që ajo nuk e rruante për Shqipërinë dhe shqiptarët. Na patën lënë të hanim njëri-tjetrin dhe t’i bënim hosanà një perversi të fëlliqur me shkollë të mesme dhe kënaqeshin duke parë së largu si shkonte “the albanian experiment”, që vazhdon, vazhdon…
…Tip i gjallë, i hedhur, shakaxhi si ishte, Hasan Kukali e pa vehten shpejt në burg. Punonte në minierë në Spaç dhe kurrkush, kurrë, nuk e pa njëherë të mërzitur apo turivarur. Me shakatë e tij i mbante të gjithë gjallë Hasani. Në kohën e luftës në Kosovë ’99, punoja si kryetar i zyrës në Bashki për koordinimin e mbështetjes për refugjatët e luftës në Durrës. Merreni me mend gëzimin tim kur, sa kisha lënë punën dhe isha rrugës për në shtëpi, shoh Hasan Kukalin. Një mercedes më ndaloi te këmbët, te vendi i pasagjerit rrinte krekosur me dhëmbët jashtë miku im Hasani. Nuk pranoi të vinte në shtëpi: “Nuk kam kohë, Maks, sa me pi nji gotë bashkë dhe më duhet të shkoj”. U ulëm në një lokal. “Maks, ky mashkulli ktu asht daja im hahahaha”… Tjetri, që ishte daja, u vrejt: “Mos ha mut Hasan, banu njiher serioz, e hangërt dreqi”… Hasani veç qeshte: “Jo more mixhë, jo, nuk ia tham tash, jooo, ma vonë, kur të hikim po i them Maksit kush dreqin je”…”E ty dreqnit ta hangshin kryet, jarebi! Më fal, bre vlla, por masi e njifke Hasanin, s’kam ça te flas mà, ku të len ky me ba muhabet…”
Morëm nga një dopio raki dhe i treguam njëri tjetrit për jetën pas burgut.
– A ke shkuar në Kosovë, Hasan?
– Pooo bre, në vitin ’92 shkova në Gjakovë. Prej aty në fshatin tim e bëra rrugën në kambë, kisha mall me ecë në kambë, me e shijue çdo gja, çdo hap që bajsha. Sa hyna në fshat, pashë do femijë që po luanin në rrugë. A ma kallxoni, ju thashë, ku asht shkolla e fshatit? “Pooo” – të gjithë dhe u nisën me mue… “Ja ku e kie, q’aty.” M’u prenë gjunjët. Ndërtesa e shkollës thuajse ishte rrënue krejt. U ula shesh, nuk mujsha ma, m’u mbushën sytë me lot. 15-16 vjeç isha kur e lash Kosovën, Gjakovën dhe po kthehesha mas kaq vjetsh ta shifsha të rrënueme si veten… Fmijt po më kqyrshin pa folë. Hajt, gëzuar Maks, gëzuar mixhë, mos ma veni re… A e din se edhe ky mixha jem asht kenë i burgosun politik në Kosovë? A e din pse? Sepse donte Enver Hoxhën! A e din sa burg bani? Dy vjet! Dhe nipi i vet që shante Enver Hoxhën bani 10 vjet burg në Shqipni!
– Kemi qenë budallë, bre vlla, nuk dijshim gja, tash po e marr vesh që Enveri asht kenë klysh i shkjeve, që dorzoi 5 mijë djem kosove te Tito dhe shkijet i prenë bash si berrat në Tivar. Tash po e marr vesh edhe marrëveshjen e fshehtë Enver – Tito për kthimin reciprok për të arratisunit e njani tjetrit. Mu më janë hapë sytë, por ka ende plot kosovarë që ia kanë shitë shpirtin dreqit me emnin Enver…
Shkëputur nga libri im “Gjallë pas mbytjes së anijes”, që po e ripunoj për ta botuar dhe paraqitur në panairin e librit sivjet.