Komandanti i skuadrës se pushkatimit….

Nga Nebil Çika *

Botuar ne “metropol “ 1 tetor (2012)

Para pak kohësh ime shoqe me kërkoi të ndihmoja një mikeshë për të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme një dokument që i duhej një të afërmit të tij ish ushtarak në kohën e regjimit komunist për shtesën e pensionit të akorduar për ta nga qeveria Berisha që vitin e kaluar. E njihja edhe personalisht ish ushtarakun, por nuk e dija se ku kishte punuar e çfarë detyra kishte kryer gjate karrierës ushtarake të tij. Dija qe edhe pse i moshuar ishte një militant dhe aktivist i njohur i PS-së në një rreth te Jugut, një gjë normale për ish ushtarakët e diktaturës sidomos për ata të Ministrisë së Brendshme. Më pak besoi ja mora për sipër dhe ja kërkova këtë nder mikut dhe kolegut tim drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi. E gjeta Kaçin në zyrë
me një nga zyrtarët e lartë të Sigurimit të Shtetit të dënuar për gjenocid e krime kundër njerëzimit mandatin e parë të qeverisë, demokratike por të liruar dhe dëmshpërblyer pas pafajësisë që ju dha nga qeveria ish-komuniste pas rikthimit të sajë në pushtet në vitin 1997. Kam ardhur për dokumentet e pensionit të një “vrasësi” i thashë me shaka Kaç Dervishit, një shprehje që e rëndom për këta të Sigurimit, pasi siç thashë më lartë nuk e dija ku kishte punuar me saktësi, njeriun që po ndihmoja. Pa problem tha Z. Dervishi, i cili më bëri shenjë nga ish zyrtari i lartë i Sigurimit që kishte qenë si duket atje për te njëjtën arsye që të mos vazhdoja me epitet fyese një veprim ky korrekt me normat e etikës zyrtare, pasi tani Kaçi përveç se koleg i yni është edhe drejtor i madh në Ministrinë e Brendshme. Pa problem – me siguroi . Është procedurë standarde, po ka dokumente të premten i ke gati pasi duhet t’i kërkojmë në arkivat tona, kështu veprojmë më të gjithë por besoj se do të gjenden, dokumentet e tyre i kanë ruajtur këta…
Të premten Kaçi ma kishte bërë gati dokumentin, shkova e mora pa e parë dhe ja hodha time shoqeje që me priste në makinë para Arkivit. Na detyron të ndihmojmë edhe vrasësit i thashë gjithnjë me shaka edhe pse asnjëherë “ekstremizmi” im qoftë edhe me shaka. Pak pasi e pa dokumentit dëgjoj një pasthirrmë ku përzihej habia dhe alarmi. Po ky ka qenë me gjithë mend vrasës – më tha!! Filloi të lexoje dokumentin qe ishte kopjo e borderove në vite të ish ushtarakut që qeveria po i rriste pensionin. 1945-1946 pushkatar i skuadrës së pushkatim në rrethin Sarandë, grada toger, paga mujore….. 1947- 1981 komandant i skuadrës së pushkatimit grada kapiten, në rrethet
Librazhd ,Elbasan ,Gramsh, Berat sërish Sarandë…, 1981 në pension.
Ngelëm të befasuar. Shakaja që kisha bërë me rezultoi një e vërtetë tronditëse që theksohej edhe me shumë nga fakti që qeveria kishte vendosur një trajtim financiar goxha të mirë pikërisht për këta vrasës nga drejtuesit më të lartë të ish Sigurimit e deri tek komandantët apo pushkatarët e skuadrave të pushkatimit. Ky merr menjëherë 2 milionë lekë përveç rritjes së përmuajshme të pensionit – me tha ime shoqe që dukej si e zënë ne faj nga që me kishte detyruar të ndihmonim një
vrasës. Kam dashur disa herë te shkruaj për këtë fenomen por mendoj se sot është momenti me i mirë për ta diskutuar publikisht jo vetëm rastin ne fjalë, por krejt fenomenin që flet më së miri për kontrastin e trajtimit midis xhelatëve dhe viktimave të diktaturës në shtetin demokratik shqiptar. Sot që po flasim për komandantin e skuadrës së pushkatimit dhe gjithë vrasësve të tjerë të komunizmit një grup ish të burgosur politik janë futur në një greve urie për të drejtat e tyre kryesisht për zbatimin e ligjit për kompensimin financiar të tyre. Përtej rrugës së vetëmohimit që këta ish të burgosur kanë zgjedhur për të fituar të drejtat e tyre besoj se e drejta ligjore, politike e morale është me ta. Demokracia shqiptare me gjithë përpjekjet e forcave progresiste vazhdon të jetë peng e të kaluarës komuniste gjë që shprehet edhe me diferencën në trajtimin e palëve në luftën 50 vjeçare të klasave ku persekutorët vazhdojnë të ruajnë ende pozitat e privilegjuara të ndihmuar dukshëm edhe nga vullneti politik i “antikomunistëve” në pushtet. Patjetër që këtë historinë e rritjes së pensioneve të ish sigurimsave e dinë edhe të përndjekurit politikë, të cilat me të drejtë ndjehen të fyer e të mashtruar nga trajtimi inferior që u bën shteti në raport me ish persekutorët e tyre. Si ka mundësi që ky shtet kjo qeveri gjen mundësi financiare ka mundësi financiare për pensionet e komandantëve të skuadrave të pushkatimit, inkuizitorëve e torturuesve të qelive të burgjeve dhe e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë për ata që rastësisht i shpëtuan plumbave të këtyre skuadrave. Gjate mandatit tetë vjeçar në pushtet PS-ja nuk ndërmori asnjë iniciativë për të ndihmuar të përndjekurit politik ndërkohë që rehabilitoi riktheu në pushtet dhe dëmshpërbleu të gjithë persekutorët e tyre, një veprim ky sa i pritshëm edhe korrekt me atë që përfaqëson historikisht, politikisht dhe elektoralisht kjo forcë politike.

Në këto kushte do të duhej të ishte PD-ja ajo që do të bënte të kundërtën pasi historikisht, politikisht dhe elektorlisht do të ishte korrekte me qëllimin e ekzistencës së sajë. Duhet t’u kujtohet dikur një deklaratë e politikanit të njohur socialist Pandeli Majko që i përcaktoi të përndjekurit politikë të komunizmit si pjesë e PD-së dhe problemin e tyre problem të qeverisë demokratike të z. Berisha. Kjo qartësi politike e z. Majko dhe PS-së nuk duket se reflektohet në të njëjtën mënyrë tek PD-ja, e cila vazhdon gjithashtu të favorizojë persekutorët edhe pse qartësisht janë të rreshtuar politikisht e elektoralisht kundra sajë. Për të kuptuar kontrastin e këtij trajtimi do të bëj një krahasim të thjeshtë, por shumë domethënës për temën që po diskutojmë. Për të përfituar shtesën e pensionit komandantit të pushkatimit ju desh vetëm një dokument që e siguruam brenda 5 ditësh ndërkohë që për dëmshpërblimin e babit dhe gjyshit tim na u duheshin dhjetëra dokumente në të gjitha arkivat e vendit dhe të paktën një vit kohë t’i siguronim ato. Për të pushkatuarit pa gjyq, një kategori që mezi u shtua në listat e dëmshpërblimeve plotësimi i dosjes me dokumente është një odise më vete. Familjarëve te tyre u duhet të sigurojnë vetë gjithçka pasi edhe nëse ekziston ndonjë dokument zyrtar nuk dihet se ku ka përfunduar dhe askush nga administrata nuk ia ka oreksin atyre.
Si përfundim dua të theksoj faktin që raportet e qeverisë me të përndjekurit politikë njëherazi edhe bazë politike e elektorale e saj është i rrezikuar seriozisht. Besoj se shumica e ish të përndjekurve besojnë në vështirësitë financiare të qeverisë në projektin e dëmshpërblimit financiar të tyre, por kur qeveria gjen vullnet, kohë dhe para për të trajtuar financiarisht ata që duhet të ishin në burgje për krimet që kanë kryer, ai raport historik besimi midis tyre dhe qeverisë ka të gjitha mundësitë të jetë seriozisht i krisur. Ky besoj se është momenti që qeveria me qëndrimin e sajë të rizgjedhë midis komandantëve të skuadrave të pushkatimit dhe viktimave të tyre, atyre që fatmirësisht i kanë shpëtuar shënjestrave të pushkëve dhe familjarëve të tyre që sigurisht përbejnë shifra elektoralisht të painjorueshme.

*Marre nga libri “Diktatura e Dosjeve“ Nebil Çika ( i riu )
PS. Vendosa ta ribotoj këtë shkrim te hershëm pasi po shoh ne rrjetet sociale një njoftim dhe reagim për vdekjen e një prej xhelatëve te sigurimit te shtetit i cili jo vetëm nuk u përgjigj penalisht për krimet e kryera por vdiq i nderuar dhe i shpërblyer me se miri nga shteti shqiptar. N.Ç