Këtu ndryshojnë kohët, por jo njerezit

Nga Xhafer Sadiku

Kooperativën kishin një vit që e kishin ngritur, por të deleguarit e komitetit e rrihnin dëndur rrugën për në fshat… Janë hedhur parrulla… I ka hedhur kulaku! Kishin goditur me kazëm sekretarin e partisë… kulaku i ka nxitur të rinjtë! Shanë brigadierin. Ka gisht kulaku! Mbledhjet vazhdonin njëra pas tjetrës.
-Ç’ta zgjasim me kulakun, – u ngrit një i ri, ta internojnë dhe rrimë të qetë.
-Ku ta internojmë?! – ngriti supet i deleguari. Ka fshat më të thellë se ky! Larg e të izoluar. Ky është tamam internim. Po, sot nuk jemi mbledhur për këtë. Na duhet një depo për prodhimet e kooperativës. Ku mendoni ta ndërtojmë?
-Te Lëmi i Rizait, – u ngrit një burrë thatim. Ja, këtu afër e kemi.
-Daleni shokë, – u cua ne kembe një tjetër. Gruri ka marrë faqe, ku do ta shijnë ata… Gjynah. Para dy vjetëve u morëm tokat e mira, vjet kasollet e bagëtive te Okërrishta, tani tu prishim edhe lëmin! Të presim pasi të shijnë grurin.
-Ulu, more ti, -nuk e la të vazhdonte sekretari, -të ardhka keq për kulakët. Do t’ua marrim të gjitha, do ti zhdukim se janë armiq të klasës.
Të nesërmen fshati u zgjua më herët se ditët e tjera. Hapën themelet dhe pas disa ditësh, në vend të lëmit të kulakut ngrihej një ndërtesë me mure të shtrëmbër, që do të shërbente si magazinë.
Të zotët e lëmit filluan të ndërtojnë një lëmë të ri, pranë shtëpisë së tyre, me shpresë se aty nuk do t’ua prishnin. Kur kishin ndertuar gjysmën e lëmit, një mëngjez u duk një patrullë policësh, komanduar nga nje civil.
-Në emër të popullit je i arrestuar, -u dëgjua zëri i kapiten Mehmetit… Akuza: Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor! Vite të tëra në burgje.
Njeriu është më i fortë se guri, -kanë thënë të vjetrit. Vitet kaluan. Me pluralizmin politik, rezidenti i Sigurimit që dirigjonte veprimet agjenturore kundër familjes së patriotit të cilësuar kulak, u rikthye në fshat. Këtë herë, si kultivues hashashi. Natyrisht bënte edhe punën e vigjilentit kundër bijve të “kulakëve”, se mos përfitonin nga ndryshimet politike. U kishte vënë syrin edhe pronës së tyre.
Lëmin e Rizajt, për të cilën u kalb burgjeve i zoti, tani e pretendojnë pasardhësit e atyre që i futën në burgje. Agjenti “Torino” ka ngordhur me kohë, po kështu edhe nipi i tij agjent, por trashëgimtarët vazhdojnë në rrugën e tyre të poshtërsisë dhe falsifikimit. Megjithëse kohët kanë ndryshuar, asgjë nuk kanë mësuar nga e kaluara, asgjë nuk kanë harruar nga e shkuara. E njejta urrejtje, e njejta ligesi!