Katër të vrarë mes ëndrrës se Shën Mërisë dhe kriminelëve Edmond Caja dhe Zylyftar Ramizi

 

Nga Hysen Haxhija*

Ishte kohë e mbrapshtë, lufta e dytë botërore ishte në kulmin e saj. Në jug të vendit, gjermanët kishin zënë rob shtatë partizanë dhe i vunë në rresht në gjunjë për t’i pushkatuar. Njeri prej tyre, ishte aty nga Konispoli dhe e takova në Zejmen të Lezhës, ishte babai i katër djemve dhe quhej Koco Fysheku (i ndjeri). Ishte vitit 1985, sapo dha shpirt agjenti i kominternit, krimineli i popullit, Enver Hoxha. Në një qoshe të kapanonit, ku ishte kafeneja private, në burgun e Zejmenit, po rrinte me një cigare në gojë K. Fysheka. Iu afrova pasi e dija se ishte i sëmurë dhe duke përdorur takt, duke ju lutur pasi kisha bërë takim dhe më kishin sjellë një pako kafe i thash: Të lutem më shoqëro të pimë një kafe bashke. Koço më pa dhe më aprovoi se do ta pinte atë kafe me mua. Bëra kafet dhe u ulëm jashtë, nën streehën e çatisë së barakes. Ai donte të qëndronte larg njerëzve, nuk e di nëse i urrente apo i kishte frikë. Isha në moshën 40 vjeçaredhe po shikoja një partizan të vjetër, i cili po kryente dënimin bashkë më mua. Foli ai i pari: Hysen, dëgjo mor djalë, më tha. – Megjithëse je i dënuar dy herë, ti do të dalësh jashtë dhe do e gëzosh lirinë tënde, por për mua ky vit, kur vdiq “djali i bimbashit”, është i fundit.
Në momentet që dëgjoja këto fjalë u përlota dhe i thashë: – Jo more Koço jo, mos më fol kësjtu, edhe ti do i gëzosh djemtë e tu dhe familjen tënde.
-Koço m’u përgjigj – Ulu djalë, ulu. Meqë kemi kohë do të të tregoj xhaxhi për një histori të vërtetë, por edhe të bukur; mos u bëj i padurueshëm, dëgjomë deri në fund dhe mos i harro fjalët e mia. (fjalët që vijojnë janë të gdhendura në memorien time, pasi ato më bën të ndryshoj mendësinë time në lidhje me fenë dhe jetën e pas-vdekjes). Na zunë gjermanët robër, shtatë partizanë në Konispol. Pas vendimit të pamëshirshëm të gjermanëve për të na pushkatuar, isha i shtati në radhë, i ulur në gjunjë tek prisja “rradhën” për të ndërruar jetë. Njëri prej oficerëve gjermanë nxori koburen dhe u bë gati të na pushkatonte. Jam një besimtar i krishterë, besoj tek Krishti dhe tek Shën Mëria, ndaj në ato momente bëra kryqin dhe ju luta Shën Mërisë me gjithë shpirt, duke i kërkuar të më mbronte fëmijët dhe të më falte mëkatet e mia. Në fund të lutjes shoh mbi kokën time revolen e urryer të oficerit gjerman dhe dëgjoj fjalët e tij ndërsa pyeste përkthyesin që të dinte nga unë nëse besoja në Zot apo jo. Përkthyesi me dhembshuri më pyeti nëse besoja vërtet në Zot. Ju përgjigja se po dhe me lot në sy përsërita edhe njëherë kryqin. Krejt papritur dhe për çlirimin tim, oficeri e tërhoqi dorën duke ulur revolen dhe i tha njërit prej ushtarëve: dërgojeni në burg atë të fundit. Pas shumë përpjekjesh në Europën e ndezur tym e flakë mbërrita gjallë në kampin e përqendrimit Mauthausen- Gusen, ku kalova dy vjet të jetës sime. O Zot! T’ja tregoj gurit të varrit atë histori! Vetëm kockat e lëkura më mbetën në trup. Atje, mor bir, kam ngrënë edhe minj të gjallë për t’i mbijetuar urisë së tmerrshme. – dhe buzëqeshi.
– Përse po qesh? – e pyeta i habitur.
-Po qesh sepse m’u kujtove ti në Janar, kur u zgjove nga gjumi i tronditur teksa shikoje gojën tënde të mbushur me lesh. Kishe ngrënë leshin e batanijes gjatë natës dhe ulërite si i çmendur, të dëgjuan 200 burra duke sharë e bërtitur: bo bo.. paskam ngrënë lesh mor i … tëmën e sëmës. Atë natë ka qeshur i gjithë kapanoni deri sa na erdhi edhe policia. Të kujtohet? Unë qesha sërish dhe e kapa në qafë. Ai nisi të tregonte ato që kishte ndërprer me atë shaka: – e ndjeva veten të vdekur në kampin e Mauthausen-it, kue një natë të bukur prilli, teksa flija më shfaqet një figurë e turbullt në mes të dritës, jam mëse i sigurtë se ishte vetë perëndesha Shën Mëri me shëmbëlltyrën për së gjalli. Ajo më thotë: “ Koço, do të lirohesh dhe do të shkosh i gjallë dhe me shëndet të mirë në vendin tënd, të cilin do ta gjesh të çliruar nga të huajt, atë pra për të cilën ti luftove. Njerëzit e tu do të të besojnë në detyrën e vështirë të kryetarit të vendit tënd, por më vonë do të arrestohesh sërish dhe do të të fusin sërish në burg me akuza spiunazhi, por për meritat e babait dhe të familjes do ët lirohesh, por babain tënd nuk do ta gjesh në shtëpi. Ai do të ketë ndërruar jetë. Do të kesh katër djem dhe sapo të jesh rikthyer në jetën normale, ti do të biesh sërish në duart e akuzuesve dhe sërish do të kryesh dëmin për spiunazh dhe dënimi yt do të jetë 25 vjet burg. Jeta jote prej të burgosuri do të përfundojë kur të nhgordh dikatori i atij vendi.
-Jo, mor jo, ai tëq na marrë të keqen neve, Zoti do të marrë të tijët e ne do të nalërë të qetë me familjet tona. – i thash unë.
-Mu përgjigj: -Prit more shejtan, se brenda vitit ti do të ndërrosh jetë
-Ou…! Po si kështu?
-Të thash të më dëgjosh deri në fund
-Si urdhëron Koço
-Shën Mëria në ëndërr më tha se nuk do ti gëzoj dot djemtë e mi, përkundrazi, gruaja ime do t’i gëzojë ata. Kurse unë vetëm jam i destinuar të ndërroj jetë. Ajo vazhdoi të ecte drejt një rrze drite që më verboi sytë në mënyrën se si erdhi. U ngrita dhe fillova të bëj kryqin deri sa u gdhi dita. Të gjitha ato që më tha Koço i kam të regjistruara në tru, pasi jan provuar të vërteta një për një. Ju betohem për këtë.
-Hysen vëllai, deri sa më kanë dalë të vërteta të gjitha, përse të mos dalë dhe kjo e fundit? – më pyeti Koço
-Mos mor burrë, se ëndrra janë – ju përgjigja unë, por me atë sëmundje që kishte Koço i shkretë dhe unë pa diskutim i besova fjalët e Shën Mërisë
Kur e shoqja e Koços erdhi në takim së bashku me 2 apo 3 djemtë e tij në Zejmen, unë isha i pranishëm tek e shoqëronin vetë i dyti në takim. E shoqja që po rriste djemtë me sakrifica të mëdha, i thonte se ai do të kthehej në shtëpi. Por Koço shikonte djemtë, vocërrakët që shihnin të atin, dhe i tha gruas: “ Të m’i kesh kujdes fëmijët, qofsh e lumtur me gjithë ata”. Koço i përlotur dëgjonte gruan e cila nën breshërinë e lotëve i kërkonte atij të mos fliste në këtë mënyrë në sy të fëmijëve. Pasi u përshëndetën me vështirësi e dërguan Kçon në infermierinë e spitalit ku si xhebrahil e priste “doktori”: Koço Avrasti. Mbas gjashtë muajsh, i qofshim falë Zotit, me të vërtetë Koço ndërroi jetë. Nuk e harroj kurrë përcjelljen me sy që i bëra trupit të pajetë që e morën në dorë xhelatët dhe e varrosën diku pranë anës së lumit ku u vendos dhe komunisti i kongresit Dashnor Mamaqi, i cili qau për kriminelin Hoxha. Kurse për të mjerin Dashnor nuk qau askush. Ishte një ditë pranvere me një diell të nxehtë që plaste gurin e shkëmbin e malit Spaç. Viti 1981. Para verës, në qershor, më vjen në Spaç dhe më takon në dhomat e instruksionit dhe poshtërsisë nën/kryetari i degës së Durrësit, shoku Sino Imeri, i cili me nja lapsaxhi birucash nga Durrësiqë mbante shënim çdo fjalë dhe rënkim timin, në atë hetuesi tre orëshe, ku Sino Imeri fliste dhe myteberi tjetër shkruante, mes a duket dënimin tim të dytë. Krimineli u zbut dhe me mua u bë më i dashuri në botë duke më thënë: – Kemi ardhur këtu të na ndihmosh dhe po punove me ne do të shkosh në shtëpi, përkundrazikëtu je gjithë jetën, me këta armiq të poshtër.
-Mbarove zotrote? -e pyeta
-Po më tha
-Më dëgjo atëherë – i thash- unë jam dënuar prej jush 10 vjet dhe kam këtu 5 vjet që po vuaj dënimin, këto që them i keni të shkruara në dosjen time. Sa i lumtur jam që jam i dënuar dhe më sollët këtu në Spaç, në varrezën e djalërisë shqiptare. I the atij myteberit të shkruaj, atëherë mos ler asnjë fjalë pa marrë shënim, por unë po i them që meqë duket i përgatitur, të shikoj mos gjen gjë që i duhet për pushkatimin tim. Ju me dhatë mundësinë t ëmësoj këtu në këtë vend rrethuar tre herë me tela me gjemba, dramat e atdheut tim nga Mitrovica në Preshevë. Ju keni lënë me mijëra nëna pa djem, me mijëra gra pa burra, me mijëra fëmijë pa baballarë dhe vini këtu e më flisni pa pikën e turpit duke më kërkuar t’i dal dëshmitar një babai me pesë fëmijë t ëmitur që ju doni t’i lini pa baba. Çfarë kërkoni nga unë? Të gjitha m’i morët, pasurinë, lirinë, jetën. Më kthyet në një skllav që po punon me tre turne. Natë e ditë nxjerr minrale për t’ju pasuruar ju dhe fëmijët tuaj. Ndërsa ti vjen e më kërkon të vetmen gjë që më ka mbetur, nderin tim? Do të më kthesh në një qënie pa shpirt, pa nder, pa dinjitet, pa karakter. Mos vallë kjo është kanosja juaj shoku kolonel? Apo mos vallë udhëheqësit e mëdhenj marksist-leninist me këto krime dhe perversitetejetojnë dhe u vritet nderi në botë? Jo “zotno” nuk do u kënaq dhe po ma morët shpirtin, nderin nuk do e cënoni dot, as babit 25 vjet burg e as vëllait 15 vjet burg.
-Bobo, ky dashka plumbin në kokë, ngrihu! – i tha rojës që kishte me vete. Edhe ti more! – i tha oficerit të komandes sikterrose në birucë. Me tre korrik të vitit 1981, i ndjeri Aleksandër Sokoli më kërkoi të pinim një kafe bashkë. Kisha shumë respekt për të dhe pranova vetëm nëse kafen e qerasja unë. Por ai, fisnik i ushtrisë shqiptare, sigursht që nuk pranoj dhe e kaloi me të qeshur. U futëm tëk kuzhina private dhe për çudinë time, Xhemal Neza Nga Tropoja e mbylli derën me çelës dhe na la të dyve ta pinim kafen vetëm.
-Ç’bën more – i thashë unë – se do marrësh veten më qafë, pasi unë tanimë e kam marrë rrugën e qabesë
-Ai m’u përgjigj – Mos u mërzit se është tropojan, e nuk ka shance të na raportojë.
Çuditërisht ai filloi të më bënte moral: – Edhe shumë pak burg kemi, ty do të të arrestojnë këto 3-4 ditë, por duhet të qëndrosh i fortë dhe të kesh shpresë, pasi kam bindjen se pas maksimumi 4 viteve do të falemi, ose unë vdes.
-I habitur u përgjigja – Çfarë thua kështu mor burrë, se ty të kam gjeneralin e atdheut tim.
Dhe në të vërtetë ashtu ishte, një djalë asgan nga Tropoja, ishte kolonel dhe anëtar i këshillit të luftës. Ai i meritonte të gjitha, intelektual dhe ushtarak i mrekullueshëm. Mbi të gjitha një patriot i flaktë dhe njeri me karakter, shqiptar si ai. Vazhdoi më tej: – Unë more Hyssen vëllai, jam ushtar i atdheut tim, nga Mitrovica në Prevezë dhe po vdiqëm në këtë tokë kam umturi dhe krenarinë e kombit tim. Por vetëm nga këta të paudhë të mos vdesim, prandaj të lutem ruaje veten dhe mos u tremb se në ëndërr më doli Shën Mëria dhe më tha: “Sokol, shiko atje!” dhe në një dritë hyjnore pash vitin 1984. “Ky është shpëtimi yt, më tha Shën Mëria dhe pastaj u zhduk sërish mes asaj drite që më duket sikur e kam para syve sa herë e kujtoj. Prandaj Hysen, vëllai im, më 1984 ose lirohemi, ose unë ndërroj jetë.
-Mos mor vëlla se nuk ka vdekje për ty – i thashë – Ti je njeri i rregullt e i përpiktë, tamam një ushtarak. Tek ti nuk kanë ku të kapen. Pasi dera u hap, ishim të detyruar të ndaheshim. Pas tre ditëve unë arrestohem, më 7 korrik 1981 u arrestova për të dytën herë. Tre muajt e ardhshëm i kalova në hetuesi intensive në rrëshen. O Zot, si mund të ketë lindur nëna djem të tillë që quhen shqiptar dhe fusin në burg akoma pa mbaruar dënimin e parë? Pasi kisha marrë dënimin e parë prej 10 vjetës, u dënva sërish për të njëjtin krim me dhjetë vjet të tjera, duke më dënuar 20 vjet në total. Më dërguan në Ballsh e prej andej në Qafë të Barit dhe përsëri në 1983, sërish në Spaç. Në 1984 mora lajmin ogurzi në Qafë të Barit se disa djem të rinj nga Tropoja kishin bërë revoltë për trajtimin e tyre si skllevër natë e ditë duke punuar në kushte mizore dhe anti-njerëzore në Himarë. Atëherë policia e Qafë Barit nën komandën e kriminelit Mond Caja dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë nën drejtimin dhe komandën e kriminelit Zylyftar Ramizi reaguan menjëherë. Për çudinë e të gjithëve kur hynë në kamp me dhunë duke mbajtur në dorë kallash a kobure ata rrethuan 300 viktima të paarmatosur. Menjëherë policia arrestoi 30-40 vetë dhe të tjerët nën dhunë e bishit të lopatës dhe kazmës, u torturuan për vite me radhë pas revoltës. Katër prej të arrestuarve u dënuan me vdekje. Për këtë revoltë iu mor jeta katër filizave dhe heronjve të lirisë. Gjatë kësaj kohe, Aleksandër Sokoli, rrinte i shtrirë në krevat me qëllim që të mos u jepte krimiinelëve asnjë arsye për t’u kapur me të. Por çudia ndodhi gjithsesi. Me urdhër të Mond Cajës dhe Zylyftar Ramizit, u mor zvarrë nga shtrati i tij Aleksandër Sokoli i shkretë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë e nxorën në oborr dhe po e shoqëronin për tek makina e burgut. Dy e mbanin nga koka dhe dy të tjerë nga këmbët trupin e kthyer përmbys. Aty ndodhi e papritura. Oh nëna ime çfarë shpirti makabër.! Një tjetër prej ushtarëve të vdekjes kërceu në kurrizin e tij dhe zhurma e vetme që u dëgjua ishte zhurma e kockave të thyera në mes që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Aleksandër Sokolit. Aty dha jetën djali i burimeve të Valbonës dhe Tropojës, të cilin akoma dhe sot nuk e kanë bërë dëshmor të kombit dhe eshtrat e tij akoma nuk janë varrosur me veneracion tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. E kush e vrau atë djalë? Mond Caja që jeton em status në Gjermani dhe Zylyftar Ramizi që jeton në Amerikë, e ndoshta dhe ai me status. Kjo është historia e vërtetë e dy ëndrrave të këtyre dy shqiptarëve të mirë me Shën Mërinë. Që atëherë me gjithë plehrat e komunizmit që i vodhën besimin dhe idhujve, mua m’u rrënjos besimi tek Zoti me nënë Shën Mëri, të cilës i kërkoj që këta kriminelë të pa ndëshkuar nga ligji i njeriut, të ndëshkohen një herë e përgjithmonë nga ligji i Zotit. Përulem me ndrim para shpirtit të tyre dhe mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për atdheun dhe lirinë.

 

*Ish i burgosur politikë