Karnavalet e Postribës

 

Nga Nebil Çika

E kemi! Na falet ndoshta që nuk e vlerësojmë, nuk e respektojmë, nuk e menaxhojmë, por kurrsesi që tallemi më të. Dje u mbushën 62 vjet nga kryengritja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore. Sikur një ngjarje të tillë historike ta kishte ndonjë popull apo komb tjetër, do të ndihej shumë krenar dhe vlerat e saj do të ishin bërë të njohura në mbarë botën. Por fatkeqësisht, e kemi ne që, jo vetëm nuk e vlerësojmë, por prej 62 vjetësh vazhdojmë ta injorojmë. Postriba është në të gjitha aspektet e barasvlershme me Budapestin dhe Pragën, por e avancuar 15 vjet në kohë nga këto dy ngjarje historike të mëdha. Postriba dhe mesazhi i saj historik duhet të kishte qenë simbolika më e vlerësuar e antikomunizmit shqiptar në mënyrë të veçantë e politikës së djathtë, por fatkeqësisht nuk rezulton të jetë kështu. Politikanët tanë kujtohen për Postribën, simbolikën dhe mesazhin e saj vetëm në përvjetorët, në çdo gjë tjetër distanca me të është tejet e dukshme. Nuk besoj se vizitat në ditën e përvjetorit janë të mjaftueshme për të respektuar Postribën , heroizmin dhe viktimat e saj si dhe gjithë kalvarin 50-vjeçar të diktaturës komuniste në Shqipëri. Janë të pamjaftueshme, për të mos thënë hipokrite, fjalimet e bukura apo medaljet e titujt e akorduar të nderit. Postriba dhe mesazhi i saj mungojnë realisht në mendimin, filozofinë dhe ndërgjegjen e politikës së djathtë shqiptare. Nuk mund të vlerësosh e nderosh njësoj vrasës e viktima, luftëtarët e lirisë dhe xhelatët e diktaturës, gjë që fatkeqësisht ndodh me politikën e djathtë shqiptare. Kryengritja e Postribës kishte si qëllim rezistencën ndaj komunizmit, me një fjalë, mbrojtjen e lirisë qytetare, garantimin e jetës dhe pronës private dhe rikthimin e shtetit ligjor, standarde ende të papranueshme nga klasa jonë politike.
Kam idenë se gjithkush i di vlerat historike politike e qytetare të lëvizjes së Postribës, por ajo që e mban larg politikën, por edhe dhe mediat e historianët është frika prej saj. Glorifikimi dhe shndërrimi në pikë orientimi politike e historike i Postribës mund të rezultojë fatale për interesa të mëdha politike e ekonomike në Shqipëri. Prandaj këmbëngul se frika nga ajo që mund të sjellë respektimi “de fakto” i Postribës përbën ngërçin e politikës, sidomos asaj të djathtë, në raport me të. Vizitat e politikanëve dhe shtetarëve në Postribë u ngjajnë ballove me maska, apo më mirë të themi, karnavaleve. Shoh politikanët që “preken” për viktimat, ndërkohë xhelatët dhe pinjollët e tyre politikë e gjenetikë mbushin politikën, administratën, përfshi edhe stafet e tyre. Shikoj t’u bëhen të njëjtat nderime heronjve dhe viktimave, si ato që kemi parë t’u jepen ish-komunistëve, prokurorëve, gjykatësve, sigurimsave, spiunëve e të tjerë autorë të krimeve të diktaturës. Nderimi i njëjtë i 5 Majit, 5 Shtatorit (çlirimi imagjinar i Skraparit) me kryengritjen dhe njëherazi edhe masakrën e Postribës. Nuk besoj se ata që u ngritën, vranë dhe persekutuan në Postribë dhe në çdo grimcë antikomuniste të së kaluarës diktatoriale të Shqipërisë, menduan se do të merrnin medalje. Ideali i tyre ishte liria dhe demokracia. Nëse politika respekton dhe në mënyrë të veçantë garanton këto, nderi i Postribës është i vënë në vend.
Por realiteti flet ndryshe. “Në Postribë me antikomunistët, në pushtet me komunistët”, kjo duket se është diçitura që i shkon më së miri kësaj karikature që besoj se kam gjithë të drejtën ta quaj “Karnavalet e Postribës”. Duke respektuar heronjtë dhe viktimat e kësaj ngjarjeje, ndiej keqardhje që pa dashje, janë bërë pjesë e karnavaleve politike të Postribës dhe gjithë Shqipërisë. Një lojë karnavalesh që nuk dihet se kur do të mbarojë. Duke përfunduar, dua të theksoj edhe një herë vlerat historike të Postribës, Pragës dhe Budapestit shqiptar. Po nëse çekët dhe hungarezët i kanë flakur maskat në raportet e tyre me komunizmin, tek ne, fatkeqësisht, “karnavalet” vazhdojnë.

Botuar në Standard,  shtator 2008 | Mare nga libri “Diktatura e Dosjeve ” i Nebil   Çika ( i Riu )