JA MOMENTI I KASAMIT DHE SELËS TË PAGËZOJNË GJUHËN SHQIPE ME FJALËN KUSHTETUTË

Nga Sulejman Mehazi

Të nderuar kryetarë të partive opozitare shqiptare në Maqedoni, Zijadin Sela dhe Bilal Kasami, në këto momente politike kyçe për shqiptarët e kësaj republike, katër votat tuaja janë më të vlefshme se sa 76 votat e partive në pushtet, prandaj kujdes, mos e shitni aq lehtë votën tuaj pa farë vlere kombëtare. Derisa votat e partive shqiptare në pozitë janë të kthyera sipas dëshirës të Kryeministrit Zaev, ju bëni të kundërtën, votat tuaja ktheni ashtu si dëshirojnë shqiptarët, të pagëzoni gjuhën shqipe me fjalën KUSHTETUTË. Nëse lëshoni pe ndaj amandamenteve tuaja, atëherë dhe popullata shqiptarë gjatë zgjedhjeve parlamentare do lëshonte pe ndaj jush duke votuar treshen partiake të famshme politike shqiptare: BDI, PDSH dhe BESËN e Gashit. Nëse rrëshqitni e dorëzoheni para kërkesave tuaja amandamentuese para Zaevit, ta dini e ta keni të qartë se dhe popullata shqiptare do ju rrëshqiste e do ju dorëzonte juve në harresë. Ju mund të rrigjallëroheni vetëm me veprime të guximshme për të mirën e shqiptarëve, për ndryshe, ju, kurrë s’mund t’i përballoni “trojkës” qeveritare shqiptare të Ali Ahmetit, Afrim Gashit e Menduh Thaçit.
@S.Mehazi
6 janar 2019