Intervista/ Enkelejd Alibeaj: ‘Vettingun’ nuk mund ta bejnë hetuesit e gjykatësit të Enver Hoxhës

 

Nisma më e fundit e qeverisë lidhet me Vetting-un në Polici, skanim i cili ka marrë kritika të forta nga opozita. Por ajo që duket se shtoi edhe më shumë sensin kritike të këtij procesi ishte vetë deklarata e Minstrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili në Komisionin e Sigurisë, ku shprehu gatdishmërinë për t’ju nënshtruar ai i pari një peoçesi të tillë. Por një ditë më vonë, në të njëjtin komision u miratua ligji për vetting-un në polici, pa përmbajtur asnjë nga kërkesat e paraqitura nga opozita, madje as vetë Ministri i Brendshëm sipas ligjit nuk do ishte pjesë e Vettingut. Opozita kundërshtoi këtë vendim të mazhorancës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim, sikurse për zgjedhjen e Kryeprokurores apo të anëtarëve për KLP e KLGJ. Për këto zhvillime foli dje në një intervistë për “standard” deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili komentoi edhe kolapsin në Gjykatën Kushtetuese. Lidhur me Vettingun në polici, Alibeaj bëri një pasqyrë të qartë të funksionimit të procedurës në përqasje me mënyrën që ka zgjedhur mazhoranca, për ta vënë në funksion këtë ligj. Deputeti i PD-së theksoi se vetingu-n në polici do ta kryejnë organet qeveritare, të përzgjedhur nga një krah politik, çka bën të qartë, ashtu sikurse thekson ai, që procesi orkestrohet politikisht, e për pasojë nuk garanton pasiguri politike. Partia Demokratike, ashtu sikurse bën të qartë edhe deputeti i saj, ka kërkuar ndryshimin e një pjesë të ligjit për vetting-un në këtë fushë, përfshirjen në process edhe të “kupolës së policisë”, pra të ministrit të Brendshëm, të zv.ministrave dhe të drejtorëve. E thënë më qartë, dy defektet më të mëdhaja të këtij procesi janë pikërisht mospërfshirja e gjithë piramidës në proces dhe njëanshmëria politike e bordit kryesues. Gjithë vendimin, gjithë procesin në fjalë, Partia Demokartike e quan të pasinqertë, ashtu sikurse quan të pasinqertë mënyrën e përzgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme dhe të anëtarëve për KLP e KLGJ. Por pse insistohet për Vetting-un në polici? Alibeaj kishte një përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje. Ai shtoi se një nga pikat kyç për hapjen e negociatave është një polici e pakorruptuar dhe e papërfshirë në krim, ndërkohë që për fat të keq, policia e shtetit paraqet të kundërtën e saj. Vetting-u, sqaron Alibeaj, synon spastrim, por mënyra si ka nisur, është vetëm një mënyrë për të sugjestionuar publikun, sikur ky process po ndërmerret seriozisht. I pyetur për atë që opozita e ka quajtur “kolaps” të Gjykatës Kushtetuese, dhe për përfundimin e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë, vendim i marrë pak ditë më parë nga presidenti deputeti i Partisë Demokratike u shpreh se Kushtetuesja duhet të kishte plotësuar vakancën e saj së paku një vit më parë, por, sipas tij funksionimi i këtij institucioni nuk është në interesin e mazhorancës, pasi ky është institucioni i vetëm që ka kompetencën të rrëzojë dhe të shfuqizojë të gjitha vendimet e marra nga qeveria në këto gjashtë vjet.

Ka nisur tashmë procesi i vetting-ut në polici, por pa përfshirjen në ligj të propozimeve të opozitës. Çfarë mund të thoni për mënyrën si u mor vendimi për këtë proçes? Si do të funksionojë? A është e njëjta “linjë” e përdorur si me përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm apo anëtarët e KLP e KLGJ?

Për të shpjeguar qëllimin e ligjit të vetting-ut duhet parë përmbajtja, për kuptuar nëse është aksion politik i sinqertë, që synon një qëllim të mirë dhe të mbarë në përkujdesjen e interesit publik. Nga përmbajtja, mund të thuhet që vetting-un në polici do ta kryejnë përfaqësues të organeve qeveritare. Do të krijohet një bord i emëruar nga Ministri i Brendshëm, i cili emëron një anëtar, dy anëtarë i emëron kryeministri dhe dy anëtarë të tjerë janë përfaqësues të mazhorancës, që emërohen nga Kuvendi. Pra në përbërje të Bordit, janë të gjithë përfaqësues të një krahu politik. Që këtu kuptohet që është proçes i orkestruar politikisht nga njëra palë, gjë që çon në mosbesueshmëri politike.

Së dyti, secili nga pesë anëtarët që përbëjnë bordin, pra “zemrën” e të gjithë organeve të procesit, janë të pavetuar. Ata mund të jenë nëpunës të thjeshtë publikë, pasi nuk thuhet se të cilit nivel i përkasin, pra mund të jenë edhe të nivelit fare të rëndomtë, që do të thotë se edhe besueshmëria publike, për këtë shkak mungon. Sa herë bëhet fjalë për vettingun, kihet parasysh gjithmonë vetting-u në gjyqësor, për të cilin, siç dihet është bërë një debat i madh, pikërisht për përbërjën e organeve, për depolitizimin e tyre dhe dhe për faktin që ata vetë duhet ti nështroheshin të parët vetting-ut. Për këtë arsye, në atë rast u thirrën në lojë ndërkombëtarë, po ashtu zgjedhja e tyre do të ishte me filtra jopolitikë, garanci këto që ofronin njerëz që do të ishin të vetuar dhe se do të ishin njerëz që do të emëroheshin në bazë të balancave politike. Ndërkohë këto elemente, që përbëjnë edhe garancitë bazë, në rastin e vetting-ut në polici, mungojnë tërësisht, duke e bërë një proces farsë dhe të padobishëm. Së treti, pyetja po aq e rëndësishme është se kush nga radhët e autoriteteve të rendit dhe sigurisë do t’i nënshtrohet veting-ut? E udhës do të ishte që të vetoheshin që nga kreu administrativ i policisë, deri tek polici më i fundit. Policia sot ka nevojë urgjente për një katharsis rrënjësor dhe të thellë që prej kreut drejtues të saj. Në ligj përjashtohen pikërisht kupola drejtuese e policisë. Në ligjin për policinë e shtetit, parashikohet që autoritetet drejtuese janë pikërisht ministri dhe zëvendës ministrat, e më pas vjen drejtori i përgjithshëm e me radhë. Dhe në fakt është e udhës të kërkohet se nëqoftëse do të bëhet vetting i vërtetë, e që ai të jetë i besueshëm, të jetë i sinqertë, që ta ringjallë policinë, të parët që duhet ti nënshtrohen të jetë koka drejtuese. Do të duhet të fillojë nga kupola, gjë e cila nuk është pranuar. Pra ka dy defekte të mëdhaja, nuk kryhet e gjithë piramida, por kryhet ajo pjesë që ngelet përveç kokês drejtuese, dhe së dyti vetting-u kryhet ekskluzivisht nga organet qeveritare, të cilat tërësisht partiake. Që këtu kuptohet që nuk është e sinqertë si lëvizje. Mund të jetë një lëvizje për të krijuar një lloj sugjestioni në publik, i ngjashëm me sugjestionin e vetting-ut në sistemin gjyqësor, por si i tilë ngelet thjesht një teatër politik. Këto janë arsyet të cilat e dështojnë si proces dhe e demaskojnë si qëllim.

Lind pyetja, pse kërkohet vetting-u në polici?

Një nga kushtet për çeljen e negociatave është lufta e krimit dhe korrupsionit. Pranohet sot gjerësisht se qeverisja aktuale e ka zhytur vendin në një spirale dramatike te krimit dhe korrupsionit. Në këtë situatë instrumenti kryesor që duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin është Policia e Shtetit, (dhe jo vetëm), por edhe të gjitha autoritetet e tjera që merren me sigurinë. Një polici e fortë, lufton krimin dhe korrupsionin. Një polici e dobët e zhytur në krim dhe korrupsion, siç e thonë vetë në relacionin e ligjit, nuk jep asnjë garanci. Për këtë arsye, ne si opozitë kërkuam që të përmirësonin ligjin në këto elemente. Në fund të fundit, policia e shtetit është në këtë gjendje për shkak të kësaj qeverisjeje të këtyre pesë viteve. Këto nuk janë fjalë që i them unë, por i kanë shkruar në relacionin e vetë ligjit. Policia e zhytur në krim, policia e zhytur në korrupsion, një polici së cilës i mungon kultura e ndëshkueshmërisë brenda saj dhe jo vetëm kaq, por pasoja direkte është situata e rendit dhe sigurisë. Vend i zhytur në krim e korrupsion, kanabizimi që është tashmë i njohur. Raportet ndërkombëtare janë ato të cilat e tregojnë qartë, raportet e Europol-it, raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Ky vend është shndërruar në pikën kryesore të kanabizimit në të gjithë Europën, dhe një pikë kryesore e kalimit të drogave të rënda. Kështu që nëqoftëse ka një interes publik, përtej të qenurit një interes të ngushtë partiak, duhet që çdokush të japë kontributin e vet. Opozita e ka marrë përsipër këtë lloj angazhimi. Ne kërkuam që të bënin këto ndryshime, me shpresën që mund t’i pranonin, por mazhoranca i refuzoi. Edhe ajo që thoni ju, se zoti Xhafa një seancë para se të diskutohej ligji në komisionin e Sigurisë, u shpreh i hapur se “nëse duhet që vettig-u për politikanët të fillojë, le të fillojë nga Ministri i Brendshëm” u hodh poshtë një ditë më pas, shenjë kjo simptomës së mashtrimit dhe hipokrizisë endemike që karkaterizon këtë qeverisje. Unë kam qenë ai që kam thënë, se nëse Ministri i brendshëm ka shprehur një vullnet të tillë, po bëjmë këtë amendament jo për sfidë politike ndaj tij, jo për provokim politik ndaj mazhorancës, por vetëm për faktin që Ministri i Brendshëm është autoritet drejtues policor. Vetë ligji i policisë së shtetit e përmban një parashikim të tillë. Pra u nisëm vetëm nga konsiderata të pastra ligjore. Kjo gjë që nuk u pranua. Për këtë arsye, kjo sjellje është provë shtesë që si lëvizje ligjore dhe politike, veting-u i famshëm i policisë, është lëvizje jo e sinqertë. Është një lëvizje nga ato që kërkon sugjestionimin e publikut. Gjendja është dramatike, të gjithë e pranojnë këtë. Ministri aktual, siç duket ka një defekt të madh në sjelljen e vet. Me këtë levizje, duket sikur ai dhe qeveria e tij duan ta prezantojnë veten sikur tani e kanë marrë qeverisjen e vendit në dorë, pra duket se duan ta fshijnë gjithë këtë periudhë pesë vjeçare që kanë qeverisur vendin dhe të fillojnë një rrugë, sikur tani e morën pushtetin. Ky qendrim është një lëvizje politike që nuk mund të pranohet as nga ne si opozite e aq më pak nga publiku.

Çfarë mendoni se e bëri ministrin Xhafa të hedhë poshtë deklaratën që dha për gadishmërinë e tij për t’ju nënshtruar ai i pari vetting-ut?

Mossinqeriteti dhe mosmarrja përsipër e përgjegjësive politike. Z. Xhafa nuk është vetëm ministri i ri i Brendshëm, është përfaqësues i mazhorancës, të paktën nga 2013-a e këtej. Është një nga përfaqësuesit që ka votuar Saimir Tahirin në 2013-ën, ka mbështetur Ramën, në 2013-ën, ka mbështetur të gjitha aksionet politike dhe ligjore të kësaj mazhorance. Është pra një nga përgjegjegjësit poltikë kryesore të degradimit të policisë së shtetit e bashkë me të edhe të rendit e të sigurisë në vend. Kështu që ai nuk mund të shfaqet befas si “engjell”. Ai nuk mund ti “bishtnojë” përgjegjësisë politike të këtyre 5 vjetëve qeverisje të errët për vendin . Ajo çfarë do të bëjë Xhafa në këtë rast, me Ramën në fakt, sepse është Rama ai që do ta bëjë, është që t’i shesin publikut një fabul të re, një gënjeshtër të radhës. Tashmë kërkojnë ta hedhim pas kurrizit dhe të mos mbajnë asnjë lloj përgjegjësie për çfarë gjëmash i shkaktuan vendin këto 5 vjet. Por kjo ështe kafshatë që nuk mund të kapërdihet. E theksoj, duan të luajnë me sensibilitetet e publikut, i cili është i etur për vetting, në kuptimin e pastrimit apo spastrimit, mund të quhet sido, në të gjitha sektorët e jetës publike. Duan t’i hedhin hi syve të publikut që tashmë po bëjmë një vetting. Pra fillon edhe njëherë historia nga momenti zero, siç kanë pasur gjithmonë në psikologjinë e tyre kjo qeverisje. Kjo është ajo që e ka çuar Ramën në cep të ringut, që të mos mbajë përgjegjësi për çfarë ka bërë ai vetë dhe të fillojë një histori të re politike në këto tre vite që i kanë mbetur në mandat.

Mendoni se Gjykata Kushtetuese me plotësimin e vendeve vakante do të dalë nga kolapsi i krijuar, ashtu sikurse e keni quajtur edhe ju?

U bë kohë që Gjykata Kushtetuese është në kolaps. Mandatet e katër anëtarëve kanë kohë që kanë përfunduar. Kushtet për t’i rimbushr ato, janë të paktën që prej fillimit të vitit 2016. Në fillim të vitit 2016 sipas formulës së re kushtetuese, për të plotësuar vendet në Gjykatë Kushtetuese, duhen dy elementë. Elementi i parë, krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe i dyti, hapja e vendeve vakante. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u krijua në janar të 2016-ës dhe që nga ai moment, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e lartë, kanë patur të drejtën dhe detyrimin për të ecur në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Për një vit të tërë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk funksionoi, nuk u mblodh, u pengua. Jo për shkak të vetting-ut, jo për shkak të influencave që ju bë anëtarëve, pra u pengua nga mazhoranca.

Pse nuk funksionoi për një vit të tërë ky këshill?

Janë bërë tre muaj nga Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi dhe përsëri nuk funksionon si duhet. Arsyeja është e thjeshtë, sepse nëse do të funksiononin si duhet edhe një vit më parë apo edhe tani ky Këshill, vëndet në Gjykatë Kushtetuese do të ishin plotësuar. Por duhet patur parasysh se Gjykata Kushtetuese është instrumenti i vetëm kushtetues dhe ligjor, i cili do të mund t’i jepte zgjidhje shumë prej paligjshmërive të shkaktuara nga mazhoranca në Kuvend, emërimit të paligjshëm dhe antikushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm, emërimeve të paligjshme dhe antikushtetuese të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Emërime për të cilët ne si opozitë e kemi thënë qartë dhe shqip se janë perzgjedhje të personave që kanë qenë hetues dhe gjyqtarë të gjyqeve poltike në kohën e komunizmit, persona me rekorde kriminale, persona që nuk plotësonin kushtet, apo edhe persona të skualifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Që do të thotë, veç mjeteve politike që përdor opozita, mjeti i vetëm institucional ngelet ai që të gjitha këto akte antikushtetuese të ndërmarra nga mazhoranca, të sfidohen para Gjykatës Kushtetuese, (përfshirë këtu edhe çështja e Marrëveshjes së Detit). Mjeti i vetëm për të sfiduar çdo lloj veprimtarie antikushtetuese të mazhorancës, është çuarja në Gjykatën Kushtetuese. Po kush ka interes që këto çështje të mos shkojnë në Gjyakatë? Kush ka interes qe të paralizojë Gjykatën Kushtetuese? Ai që i shkakton këto akte antikushtetuese pra, mazhoranca dhe qeveria. Për këtë arsye, janë ata të cilët kanë bllokuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. U detyruan së fundmi, nën kërkesën e Presidentit për të çelur vendet vakante për dy anëtarë në Gjykatë, që edhe Kuvendi të hapë garën për një anëtar të ri të Gjykatës Kushtetuese, por përsëri nuk shihet asnjëlloj drite jeshile. Në fakt, për të tejkaluar ngërçin, siç është vënë re, opozita ka paraqitur disa akte apo amendamente në Kuvend, qoftë në Këshillin e Mandateve të Rregullores lidhur me amendamentet kushtetuese, për të tejkaluar ngërçin me Prokurorin e Përgjithshëm, që është dhe do të ngelet një veprimtari antikushtetuese e po ashtu edhe në Këshillin e Legjislacionit, ku opozita ka kërkuar që ligjet e shfuqizuara dikur nga Gjykata Kushtetuese, të përmirësohen. Duke krijuar një bazë ligjore të re, mund të tejkalohet ky ngërç i vakancave ne Gjykaten Kushtetuese dhe jo vetëm. Mesa duket qëndrimi i mazhorancës deri tani është një qëndrim rezistent, pra që nuk do duan ta pranojnë. Kam bindje të plotë që nuk do të duan qe Gjykata Kushtetuese të plotësohet dhe të ketë një funksionim normal. Sepse menjëherë do të ishte e pritshme që të gjitha këto akte, mbase jo vetem nga opozita, por edhe nga aktorë të tjerë siç është Shoqata e Gjyqtarëve, Prokurorëve apo Shoqëria Civile, menjëherë do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese, sipas pretendimit tonë, me shumë gjasa do ti shfuqizojë këto akte. Kjo do të thotë që të gjitha përçapjet politike dhe antikushtetuese të mazhorancës të kthehen të gjitha mbrapsht. Ky është një motiv i fortë për mazhorancën për të mos ecur me plotësimin e vakancave në këtë institucion duke e lënë të paralizuar atë. Gjithësesi mbetet për t’u parë. Presidenti ka hedhur hapin e parë, nuk e di se si do të procedohet. Unë jam me idenë që emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ashtu si edhe kemi thënē në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të jenë duke iu nënshtruar veting-ut dhe të mos jenë politike. Pra të mos përsëritet e njëjta situatë si në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm. Për këtë arsye ne jëmi të gatshëm, dhe kemi bërë tashmë edhe propozimet tona për të përmirësuar ligjin përkatës, që të paktën për Gjykatën Kushtetuese dhe për Prokurorin e Përgjithshme të ketë një procedurë të përshpejtuar që të gjithë kandidatët, ata të cilët deklarohen fitues, të kalojnë vetting-un para se të ulen në karrigët respektive.

*Marre nga Standrd.al