In Memoriam – Xhemal Farka

Nga Marsida T Najdeni

Dashuri në shekuj të ndryshëm. Ndodh që njeriu dashuron përtej ligjeve kohore, përtej ligjeve fizike t’natyrës. Ndodh që ndjenjat shpirtërore janë aq të forta sa kalojnë çdo kufi dimensional. Ndodh se me mëshirën e Zotit i vdekuri të flet. Në Islam mësojmë se është mëshira e Allahut, që e bënë të mundur komunikimin me botën tjetër, por në vetvete, pra është hyji që të flet, hyji që të drejton. Kështu e besoj krejtësisht se ndodhi me mua dhe Xhemal Farkën afro 10 vite të shkuara. Ishte mëshira e Allahut që na lidhi mua me Xhemalin. Ishte hyji që na ndërmjetësoi dashurinë tonë. Nuk ka emër tjetër përveçse dashni ky raporti jonë. Xhemali i vrarë nga dora gjakatare, ende sot pa varr dhe pa ditur eshtrat ku i ka. I vrarë nga katilët vetëm 35 vjeçarë në vitin e largët 1948. Xhemali plot ëndrra rinore, gazetari plot talent e dëshira. Xhemali i kalvareve atdhetare që iku pa shijuar asgjë. Ndërsa unë dekada larg, në një shekull tjetër, në kontinent tjetër, e gjej Xhemalin e pluhurosur, i cili sikur më thërriste, “duamë, duamë Marsida, kërkomë tu bofsha, jam këtu në pritjen e pashtershme për drejtësi.” Ishte pikërisht Musine Kokalari shkesi jonë. Duke lexuar kujtimet e Musinesë gjeta trimin tironas. Them trimin, sepse rreshtat që lexova nga Musineja për Xhemalin ishin epike. Ajo shkruan: “Tre muaj më vonë, më futën në izolim në një qeli nën shkallët që çonin në zyrën e drejtorit. Një nga të burgosurit, të cilin e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të.” Mjaftuan këto rreshta që një shkreptinë brenda zemrës sime të kaplonte çdo aspekt fizik e shpirtërore.
Kush ishte ky tironas danoç (trim)?
Sa gjatë e për sa vite më mundoi kjo pyetje. Të kërkosh gjilpërën në kashtë. Nuk përmendej në asnjë libër mbi intelektualët e Tiranës. Nuk e njihte asnjë person në moshë që njeh historinë e Tiranës. (Të paktën personat që unë pyeta.) Ato pak që e njihnin më shumë thjesht si një emër, Xhemal Farka, por kaq. Nga 2012 e deri më 2018 unë me Xhemalin krijuam mardhënien tonë. Midis enigmave dhe qindra pyetjeve unë plotësoja nga pak portretin e tij brenda meje. Kisha arritur me shumë mund të zbuloja se Xhemal Farka kishte qenë nga studentat e Tiranës, i cili kishte bërë fushatën sensibilizuese për shërimin e poetit Lazgush Poradeci. E them këtë sepse në vitin 1929 Asdreni i shkruan letër Lasgushit student se “Gazeta e Re” e Tiranës po kryen një fushatë që poetit të madh pogradecar t’i publikoheshin poezitë. Në artikullin me titull “Apelet për ta shpëtuar poetin: Lasgushi, studenti i varfër që dergjej nga sëmundja” mësojmë se djemtë Hazër Tufa, Xhemal Farka dhe Burhan Mulloji shëtitën listën për dhurim parash që të shërohej studenti Lasgush Poradeci në Austri. Dhe të tre djemtë duke shëtitur listën në Pazar të Tiranës arritën të mbledhin mbi 70 franga ari.
Edhe trim, edhe humanitar Xhemali im. Koha shkonte, Xhemali pushtonte jo vetëm qënien time, por mbi të gjitha kureshtien time. Dikur në një intervistë të Afërdita Kici, vajza e publicistit të famshëm Branko Merxhani, del se Xhemal Farka miqësohet me publicistin e mirënjohur Merxhani. Shkëputur nga intervista e saj, citoj: “Në vitin 1941-1942, një organizatë amerikane që vepronte në Egjipt, kërkonte folës për Zërin e Amerikës në një stacion radioje. Ndër refugjatët shqiptar u zgjodhën: Branko Merxhani, Prof. Dr. Mirash Ivanaj dhe Xhemal Farka (ky i fundit ishte student në Universitetin Amerikan të Bejrutit). Pas pushtimit të Libisë, të tre të lartpërmendurit, shkruan Dr. Milaj, kaluan në Jerusalem dhe punuan atje deri në mbarim të luftës. Pas luftës, Xhemal Farka kthehet në Shqipëri që të kontaktonte me mikun e tij Lef Nosi, por e pësoi keq nga komunistët. Edhe Prof. Mirash Ivanaj, u kthye ne Shqipëri për të vazhduar karrierën e tij në edukimin e brezit të ri, por vdiq në burg. Branko nuk u kthye në Shqipëri sepse kishte shkruar artikullin “Pse nuk jam marksist.”
Xhemali trimi, humanitari, gazetari, intelektuali, besniku, atdhetari. Nga fillesat tek gazetat e Tiranës si nxënës i Sotir Kolesë, tek Zëri i Amerikës si kolegu i Branko Merxhanit dhe tek Radio Bari si zëri i shpresës për bashkatdhetarët e tij. Por… unë ende nuk e dija si dukej nga paraqitja. Thjesht e imagjinoja sesi mund të ishte si imazh. E përfytyroja, por vetëm aq, dhe e kuptoja pikërisht se ishte dashuria dhe mëshira e Allahut, i cili e kishte futur këtë personazh në jetën time për të treguar të vërtetën e tij. Për të nxjerrë në pah padrejtësinë e madhe sesi komunistët e kishin vrarë tek bregu i lumit. Dhe derisa përsëri më del emri tij. Nipi i Lef Nosit, Skënder Kosturi, në emisionin “Rrno për me tregue” të Nebil Çikës (I Riu), tregon se “Dajat e mi Vasil e Lef Nosi me miqt e tyre izraelitin Marko Manehami (që Vasil Nosi e kishte shpëtuar nga kthetrat naziste) dhe Xhemal Farkën arrestohen tek Hotel Dajti nga sigurimi i shtetit. Ndërkohe që Xhemal Farkës i thonë se mund të shkonte sepse nuk kishte urdhër arresti për të. Xhemali nuk pranon ta le mikun e tij Lef Nosin vetëm dhe pranon ta arrestojnë bashkë.”
Kjo dëshmi e tretë mbi Xhemalin e shfrenoi kureshtien time. Mora guximin më 2018-të, me aq pak sa dija, të shkruaj një artikull të vogël nën titullin: “Xhemal Farka, heroi dhe intelektuali i heshtur 24 karat tironas.” Ia dërgova faqes Tirona në Facebook duke ia shpjeguar fiksimin tim tashmë me Xhemalin. Mbas këtij botimi modest, s’kaloi shumë dhe më erdhi foto e parë që pashë nga Xhemali. Po e paraqis këtu. Fillova të qaja nga gëzimi, mbas kaq viteve Xhemali kishte një fëtyrë. U dukte si një “ve e qërume” do thoshte mami im. Aq engjëllor, i paqshëm, i ëmbël. Si duket nga gëzimi im e lotët e mia hyri me nxitim e merakosur mami në dhomë. “E gjetaaaaaa Xhemolin!” bërtita unë me ç’kisha në kokë. Ishte dufi disa vjeçarë, që më doli furishëm. “Ah të mort e mira mi goc, mblidh kallaballikun se m’tmerrove!” Ma ktheu mami im, që e shqetësonin lotët e mi për të.
Katër vite nga ajo kohë kur pashë Xhemalin për herë të parë. Ai më ka frymëzuar të shkruaj një novelë të pa botuar nën titullin “Sapeti i Dashurisë”, një dashuri ndër shekuj të ndryshëm, “time travel”. Tashmë jam njohur me mbesën e tij Zenita Farka, të miqësuara përjetësisht bashkë. Me gjithë të afërmit e tij në fakt. Zenita dhe unë kemi zbuluar shumë. E kemi “ringjallur” deri diku duke paraqitur dhe shkrimet e tija. Por, ama, kemi patur dhe mjaft mikesha që na kanë ndihmuar ta zbulojmë. Shpresojmë bashkë me ta, përveç se historia e tij u kallxua në dokumentarin “Tirona e Zotnive t’pa Përkulun”, ta paraqesim dhe në një libër përmbledhës. Xhemali tashmë s’është vetëm i imi. Na përket ne të gjithëve si shqiptarë.