(In memoriam) . Tukja i lagjes sime, Shoqëria civile dhe Ai.
Nga Albert Avduli
Ata që banojnë në rrugën ” Mine Peza” , por edhe kushdo, që ka kaluar më shumë se njëherë në atë rrugë, e kanë njohur Tuken.
Mund të pohoj pa ndroje se Tukja ishte personi më i spikatur që nga kafe “Flora” e deri ne hyrje te rruges “Don Bosko”
Shkruaj ishte sepse, prej pak ditësh Tukja nuk jeton më. E përse duheshin hedhur këto radhë
pas vdekjes së tij . . .! ? Pyetje normale për shumicën, por jo për ne, banorët e asaj rruge.
Jetonte në një shtëpi barakë . I vetëm dhe mbushur me dhimbje qiellore e tokësore mbas vdekjes së birit të tij 20 e pak vjeç.
Tukja ishte shpesh i zhurmshëm, por me një zhurmë të bardhë, të padëmshme. E vetmja pasojë negative për lagjen ishte “ndotja akustike” që shkaktonte e bërtitura e këtij njeriu fatkeq. Se Tukja fliste. Ai kishte kurajo e bërtiste për taksat e larta, për ujin kur mungonte, për energjinë kur ndërpritej. Bërtiste Tukja sepse ishte qytetar i lirë.
Qeveritë ndërroheshin e ai, opozitar mbetej. I vetmi opozitar që deklarohej ditë e natë me zërin kumbues. Aspak dhe me askënd konformist. Tukja vec shpirtin kishte ndaj ishte i lirë ne gjithë përmasat e kësaj fjale e koncepti. Sigurisht pak pijetar e gati batutën për secilin që njihte.
Ehhh, ishte i vetmi që fliste kur të gjithë heshtnim.
Tukja ishte përfaqësuesi më i denjë i shoqërisë civile, paçka se nuk bënte pjesë apo nuk drejtonte asnjë organizatë të kësaj natyre. I vetmi i gjallë ne shoqëri të fjetur.
Tukja , shpesh më dukej edhe si një politikan i vërtetë. Ai pohonte me zë të lartë gjithë shqetësimet, hallet, brengat, të cilat ne qytetarët e thjeshtë i mendonim ose pëshpëritnim mbi filxhan kafeje.
Vdiq Tukja. Iku në heshtje ai që heshtjen e kishte shpallur armik.
Tani është në parajsë e me siguri tallet me ne tokësorët e bindur e të nënshtruar paqësisht.
Me vdekjen e tij,” shoqëria civile”, në mos ka humbur prijësin e vërtetë, e sigurt që zërin e saj ka humbur.
U prefsh ne paqe Tuke !