Hipokrizia me Mit’had Frashërin!
Indrit Vokshi
U zgjova sot në 07:00 sepse e lashë me një mik që të shkonim tek ceremonia për Mit’had Frashërin. Shkuam aty tek “Akademia” dhe po shihnim njerëzit dhe ngjarjen. Më pas u larguam.
Unë kam respekt për Mit’had Frashërin për atë çka ai ishte dhe vazhdon të jetë; intelektuali dhe atdhetari; kombëtaristi i epërm. Kam respekt për ballistët dhe familjarët e tyre që i njoh personalisht por edhe për shumë syresh të cilët nuk i njoha e nuk i njoh.
Ndoqa pak nga fjala e Aurel Plasarit e cila më pëlqeu dhe po e mbështes ketë shkrim mbi atë çka me të drejtë z. Plasari tha për të; tha se ai e mitizoi kombin dhe tha t’ia duam dhe t’ia përlavdërojmë çdo gjë Shqipërisë. Dhe pajtohem, po, ashtu duhet, t’i përlavdërojmë gjithçka Shqipërisë sepse pa e ngritur Atdheun në mit e monument, ska për të pasur as shqiptarë e as Shqipëri.
Po ku qëndron hipokrizia në ketë ngjarje? – do pyesë kushdo që po më lexon. Ua them unë se ku qëndron, hipokrizia qëndron kur ngrihet kryeministri Edi Rama dhe mban fjalim për të. Ju do thoni ky është demokrat dhe po e përdor ketë ngjarje për të sharë Edi Ramën. Po kjo nuk ka lidhje. Po pse atëherë them se hipokrizia qëndron tek fjalimi i Edi Ramës?
Them sepse kur thuhet se duhet mitizuar dhe përlavdëruar gjithçka e Shqipërisë, veprimi më i pavend është të ngrihet e të mbajë fjalim njeriu që punon aktivisht për de-jetësimin e Shqipërisë. Për çfarë shquhet Edi Rama? Shquhet për dashurues e mbështetës i punës së ndershme? Jo.
Edi Rama shquhet për shpopullimin e Shqipërisë përmes masave represive mbi popullsinë dhe përqëndrimin e të gjitha parave të këtij vendi tek arka e vet e masanej për ndarjen e këtyre parave tek miqt që miqt t’ia japin prapë atij. Ky nuk është mitizim i gjithçkaje të Shqipërisë por grabitje e gjithçkaje të Shqipërisë.
Ai shquhet për emërimin në parlament dhe bashki të njerëzve nga bota e kriminalitetit e jo vetëm kaq por edhe për mbrojtjen e tyre publikisht kundër të gjithëve kur atyre iu dilnin të vërtetat. Pra nuk është mbështetës i punës, vlerave, intelektualëve, diturisë, Atdheut. Nuk bashkohet askund, nuk i kryqëzohen askund rrugët me filozofinë e Mit’had Frashërit.
Po si pra guxon, ku e merr guximin dikush i cili e njeh vetveten dhe e di mirë se nuk bashkohet askund me Mit’had Frashërin, të ngrihet e të mbajë fjalim për të? Ua them unë ku e merr. Është në natyrën e çdo sharlatani që të përpiqet të fitojë vlerë nga vlera e të tjerëve. Të fitojë legjitimitet nga legjitimiteti i një figure të madhe.
Është si puna e parasë fallco. Pse ka vlerë paraja fallco, ku e merr ajo vlerën, pse i mashtron ajo njerëzit e iu duket si para e vërtetë? Ajo e merr vlerën se duke pasur shenja të ngjashme me paranë e vërtetë, njerëzit mendojnë se është paraja e vërtetë dhe mashtrohen prej saj. Edhe këta tipa si ky Rama, duan të na thonë ne se kanë vlerë, duke përmendur vlerat e të tjerëve, ndërkohë vetë janë e pavlera e as iu afrohen vlerave që përmendin.
Unë po iu citoj këtu një këngë patriotike kushtuar dëshmorit komandant Tahir Sinanit të UÇK e cila thotë: “Rruga jonë ka nis me shekuj, shokë ku mos u ndalni/ nëse doni t’më kujtoni, amanetin mbani”.
Pra mënyra më e mirë për të nderuar dikë është duke mbajtur amanetet dhe duke ndjekur rrugën e tij, idealet e tij. Vetëm kjo mënyrë na provon se kush jemi.
Unë s’dua aspak të jem “politikisht korrekt”. Nuk më intereson kjo pjesë. Atë çfarë mendoj do e them.