Harrimi natyrshëm i Kujtimit

Nga Albert Avduli

 

U pat lindur një mesditë të vranët. Ishte muaj mars dhe dita kish filluar t’I merrte pushtet dhe orë natës.
Ditën tjetër, nëna, lehonë e re u kthye në shtëpinë e familjes. I porsalinduri , me gëzimin, solli edhe britmat e tij. Natyrshëm që do të qante, por cuditërisht, klithmat nuk ngjasonin me të qara bebesh, por si kollë e një plaku të vjetër duhanpirës.
Tre ditë e po aq netë nuk pushoj i porsaardhuri në familje. Babai i tij, një burrë i ri, por emërmirë edhe pse inatci, e kapërceu gëzimin. Ditën e katërt, me sytë e fryrë dhe kokën trubull nga pagjumësia, babai i ri, shkoi në zyrën e gjendjes civile dhe e rregjistroj birin me emrin Harrim.
Mbas disa kohësh, penduar, për emrin e shënuar ne letrat e shtetit, ju tha të afërmëve se djali quhej Kujtim.
U rritëm së bashku dhe për të g jithë , ai ishte Kujtimi i Llapajve. Dikush e therriste Kujto e dikush Timi.
Deri ditën e parë të shkollës , kur mësuesja jonë, thirri emërat në apel. Aty dëgjuam emrin Harrim Llapa dhe shokun tonë që u cua në këmbë. Qeshëm, u habitëm, por disiplina. . .
Vitet ecën dhe ne u rritëm me emrin tonë. Harrimi hodhi shtat i dyzuar midis harresës dhe kujtimit.
Ne kurrë s’e përqeshëm për emrin paradoksal. Atëhere nuk njihej bullizmi si fenomen, por dicka ndryshoj në marrëdhenien tonë. Filluam ta thërrisnim here Rimi dhe ndonjëherë Harri. Nofka e fundit e bënte interesant në syrin tonë sepse e amerikanizonte shokun tonë.
Në rininë e hershme, komunizmi sa kishte rënë, një mbasdite gushti, Harri më ftoj për kafe.
Kam lajm s’ju durua . . Eh, mendova se do fillonte t’më tregonte për përshendetjen me vajzën e radhës. Heshtje . . .. pastaj shkarkoj si rrufe korriku. Kam pare filxhan te nënë Sanija. Do të jem udhëheqës një ditë , foli plot entuziazëm. Nënqesha , por artikulova seriozisht: do të jetë mirë për gjithë popullin, por më mire për ne shokët e tu të vjetër, ironizova. Sigurisht, tha, por kam problem me emrin. Si mund të jem burrë shteti me emrin Harrim ? Si do brohorasi populli “ rroftë Harrim Llapa “ ? Mbas 100 vitesh si do shprehen brezat e rinj “ I paharruar Harrimi “. E këshillova që të ndryshonte emrin nga harrim në Kujtim. Me këtë rast , vazhdova, edhe mbiemrin, nga llapa bëje Gjuha. Do të dukesh më trendi vazhdova. Ok , bëri deklaratën e zakonshme të tij. Do ta kryej sa më pare sepse tashmë, brenda meje po lëviz gjaku monarchist anglez. S’i kushtova vëmëndje halucionit të radhës.
Harrova, meqë jemi tek Harrimi, t’ju them një detaj që s’ka rëndësi për rrëfimin. Atë ditë kish veshur një bluzë që në gjoks shkruante “ I Love Amerika “. E donte në fakt Amerikën dhe shpesh fantazonte letërkëmbim me presidentët në detyrë.
Ky qe takimi jonë i fundit . Jeta na përfshiu në vorbulla të ndryshme. Unë në profesionin tim e ai me formim te mesëm në zanatin e tij.
Ndonjëherë dëgjoja nga makina, në rubrika lajmesh që z. Kujtim Gjuha foli për strategjitë rajonale apo për politikat e gabuara fiskale. Më vinte të qeshja me të madhe duke menduar se Harrimi s’mund të ishte Kujtimi. E më fort më zinte gazi, kur mendoja se, në ishte i njëjti person, atëhere botën po e merrnin ose guximtarëtose të marrët.
Kaq do të ishte rrefimi im sikur një mbrëmje mos të shihja në bisedë televizive, atë pra. . .Shoku i fëmijërisë time ishte dekretuar si një nga udhëheqësit kryesor të shtetit. E mu kujtua profecia e para 30 vitesh të nënë Sanijes. Ditën tjetër, renda te lagje e vjetër. Nënë Sanija kishte tre dekada që kishte ikur në botën e amëshuar. Pra fill, mbas kafes së fatit.
Gjithësesi , duke mos qenë supersticioz, u ktheva i qetë.
Unë e di, por dua që ta dini edhe ju, që rastësisht do lexoni këto rreshta se : nën drejtimin e Harrimit, në këtë vend do harrohet varfëria dhe e keqa, do harrohet delenxhiu dhe hipokriti, lëpirësi dhe deliranti.
Historia do shkruaj se veprat dhe bëmat e Harrimit do të kujtohen jetë e mot, si mësim që s’duhet harruar.
Ja, kështu, natyrshëm, u harrua Harrimi, për t’i thurur laved e ditirambe Kujtimit.