GJAKU I SHQIPTARËVE
Agim Shehu
Para Seancave Gjyqësore të Nyrenbergut, u dhanë së pari dokumentarët filmikë të krimeve që kishin bërë ata që gjykoheshin. Njerëzit i shihnin e mbanin frymën. Populli në sallë drithërohej i hutuar: si mund të kenë ndodhur gjëra të tilla e ne pak na i kanë thënë!? Kriminelët të zbuluar botërisht para krimeve të tyre pyesnin brënda vetes: Vërtet, ne i kemi bërë tërë këto!? Menduam se nuk do zbuloheshin! Trupi gjykues me dëshmitë e gjalla përpara bindjen e formonte të qetë pa pasur mëdyshje për dënimin.
Tek dëgjon deklaratat zinxhir dhe vajtimet e Beogradit, se me Kosovën po na merret “e drejta historike”, “djepi serb”, “shpirti kombëtar“ etj., një shpirt fëmie i paditur do besonte se me Kosovën ata janë sjellur veçanërisht si me një kopësht ëngjëjsh të tyre! Kur për Kosovën thua se është „Djepi“ yt, kuptohet për djepin me njerëz brënda; ndërsa këtë njeri djepit ti ia e ke vrarë tërë jetën. Vetëm në genocidin e 1999-ës reth një milionë të këtyre njerëzve i dëbove jashtë, i flake nga „djepi“! Ahere ç’nënë je ti, me djep të tharë nga dora jote!? (të kujton Stalinin: shpallte se „Njeriu është kapitali më i çmuar“, dhe internimet në Gulag i mbushte me miliona njerëz). Beogradi harron apo i pëlqen të harrojë, se kur thotë “Kosova-Djep i Serbisë“, djepi është me lis Dardanie në trojet e tij shqiptare.
Kundër dëshirës së përjetëshme për ta shtypur shqiptarin e për ta mbajtur shërbëtor të tij, shteti sllav ka ushtruar në vazhdimësi krimet më të përgjakëshme mbi të. Këto i ka bërë me të katër mënyrat e shkallëzuara: vrasje, shpronësim, tjetërsim, dëbim. Në të njëjtën kohë këto i ka shoqëruar me një zhurmë të tejzakontë propagande për ta mbuluar apo për ta shfajsuar krimin. Teorikët sllavë me penën më vrasëse se thika e plumbi e gjykojnë saktë se fjala ndikon me të vërtetën aq sa ndikon dhe me sugjestionin. „Shpif, shpif se diçka do mbetet“ thotë Makiaveli. Kjo aq më tepër mbi një popull disi i pazë për vete si shqiptari fisnik, i cili e vë shpresën më shumë te besimi dhe nderi i fjalës.
Përballë saj Kosovës i vihen tre qëndrime: i miqve që e kuptojnë dhe e mbështetin. I kundërshtarëve që s’e përkrahin apo e luftojnë nisur nga fitime të tyre, dhe i atyre që lëkunden ngaqë nuk janë të qartë për të drejtën e saj. Kuptohet Beogradi, aq më tepër me përkrahjen e Moskës, për një kohë të gjatë Kosovën e pavarur do ta ketë halë në sy jo vetëm që iu shkëput nga kthetrat, por dhe që bashkë me Moskën ndjehen të fyer! Zhurmën për humbjen do vijë duke e shtuar duke harmonizuar propagandën me intrigat që t’ia prishë qetësinë dhe lirinë, për t’i thënë botës (si gjithmonë) se shqiptarët nuk dinë të qeverisen ngaqë janë të paqytetëruar e të egër, se ata mund të ecin me kulturë e demokraci vetëm në gjirin sllav, se tani Beogradi tani do t’u japë „më shumë se autonomi e më pak se pavarësi“ (më shumë se lesh e më pak se presh)!
Me këtë lojëfjale dalëboje ata duan të fitojnë njerëzit dhe shtetet pak të njohur me të vërtetën. Kësaj zhurme shtetërore, aq më tepër tani që Kosova është shtet më vete, i duhet vënë përballë si përgjigje dëshmia e gjatë historike: barbarizmat sllave të vazhdueshme e në rritje mbi shqiptarët, se të tillë, pa kërkuar kurrë as falje, ata janë të pakoregjueshëm. Kështu e vetmja zgjidhje për të papajtueshmet është siç thotë bukur Hegeli „integrim nëpërmjet shkëputjes“.
Kjo duhet bërë jo se shqiptarët nxisin sherre pa e pasur zakon, por që të vërtetën bota ta mësojë dhe Beogradi të mbyllë gojë (për këshilla të tilla Sparta dikur e paguante Athinën). Përditë e në dhjetra vepra, media e deklarata serbët shpallin se janë rrënjës, se shqiptarët erdhën nga Kaukazi, se ata janë të egër e shkatërruan të mirat e sllavëve!..Për fat të keq këtë letër e tundin edhe ata që lëkunden për Pavarësinë e Kosovës. Bie fjala Rumania nuk po ia njeh Kosovës Pavarësinë. Është punë e saj, megjithë keqardhjen tonë për një vënd i cili dje ka qënë vatër e ngrohtë e atdhetarëve shqiptarë. Ajo beson, apo për fitime të saj i pëlqen të besojë, se sundimi sllav mbi shqiptarët është i mirë. Dijetarja e madhe rumune me prejardhje shqiptare, Dora D’Istria, në Letrën De Radës më 1877 gjykon mes të tjerash: „Planet e pansllavizmit nuk parajapin asgjë të mirë si për shqiptarët dhe për rumunët e grekët“. Më pas me parashikim gjenie i shkruan për vëndin e shqiptarëve: „Nuk duhet shkatërruar pengesa e fundit që nuk e lejon pansllavizmin të dalë në Adriatike në Detin Jon“.
Le të lemë të flasë më tej mjekun publicist rumun Leonte. Më 6 janar 1913 ai njoftonte gazetën „Aderevul“ të Bukureshtit ato që shihte me sy: „Mizoritë serbe mbi shqiptarët janë tronditëse tej përfytyrimit të çdo njeriu; qindra shqiptarë dëboheshin qindra km. Nga vatrat e tyre…Njerëzit e shkretë nga lodhja, etja e uria rrëzoheshin përtokë; ahere ushtarët u ngulnin bajonetat në fyt…“ (shtetarëve të sotëm rumunë këto pamje, edhe pse u përsëritën më egër pak vite më parë, u duken opereta gazmore)!