Gazetarja italiane sfidon Ramën për Bulqizën: Ben diçka për fëmijët e Bulqizës

Kryeministri Edi Rama duket se ka hapur një “luftë” me median edhe përtej kufijve. Gazetarja italiane Alice Martineli e emisionit “La Lene” që realizoi reportazhin në lidhje me fëmijët që mblidhnin krom në Bulqizë duket se nuk e ka pritur mirë “futjen në kazan” dhe aq më tepër pretendimin e Ramës se pamjet e transmetuara ishin të vjetra dhe nuk tregojnë realitetin e sotëm.

Përmes një videomesazhi, Martineli.sfidon kryeministrin, duke thënë se ka prova dhe fakte që filmimet janë të mesit të tetorit 2017.

Reagimi i gazetares italiane, Alice Martineli:

Dikush është bezdisur nga shërbimi ynë për fëmijët shqiptarë që mbledhin krom. Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një paserele para kamerave thotë se Le Iene është “një program plehrash” dhe na akuzon se kemi realizuar “një reportazh m… me pamje të vjetra, mbi një fenomet që nuk ekziston më”.

I dashur kryeministër Edi Rama, e kuptoj që reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për diçka duhet të jeni i qetë: Është xhiruar midis 14 e 17 tetorit 2017, as një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (në 90% të tyre shfaqem unë, si mund të jetë shërbim i vjetër?), kemi të gjitha provat që e demonstrojnë: filmime e fotografi me data, kuponë e fatura nga qëndrimi ynë.

Por më thoni, meqënëse mund t’jua demonstrojmë që gjithçka është e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni diçka për fëmijët e Bulqizës dhe familjet e tyre? Sepse ne i pamë me sytë tanë teksa mbledhin gurë për t’i shitur më pas me 10 cent kilogrami.

Ashtu siç pamë që, kur bie nata, një pjesë e qytetit është krejtësisht në errësirë. Dhe që kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpive janë të tmerrshme.