Ftesë nga Amerika
Nga Albert Avdulaj
Telefoni ra fix në orën 24:00. Kushdo e kupton sa shqet ësim përcjell telefonatë në orë të tillë. Zilja gërryen deri në zemër. . . Në ekran , emri tim vëllai, rezident në Çikago. Atje ora shënon 17:00. Alo, përgjigjem menjëherë. Xhaxhi, jam Amika, vjen zëri nga përtej oqeanit. Zëri i saj melodioz më qetëson dhe kapërcej ankthin e së papriturës. Ende s’i ka mbushur 9 vjece dhe fjalët m’i thotë sa shqip,sa anglisht.
Xhaxhi, vazhdon ajo, ne, këtë verë, nuk do të vijmë në Shqipëri. Duam shumë, por babi ka punë. Mirë shpirt, vijoj unë, do të vini verën tjetër. Amika këmbëngul nga ana tjetër e recepsionit dhe thërret si përforcim Paridin, vëllain e saj më të vogël. Ne duam që të vini ju për disa ditë, këtu, në Çikago. Na ka marr malli shumë.
Ta mendojmë, mundohem që ta mbyll bisedën e mesnatës. Duhet të vini xhaxhi, përsërit ajo. Sikurse ne duam të vijmë në vendin tuaj edhe ju duhet të vini në vendin tim. Ohhu, lëshoj pasthirrmën habitore. Vendi juaj ! ? ! Pauzë , ajo ngec dhe dëgjoj sesi frymëmarrja e shpeshtë përplaset në mikrofon. Vetëm katër vite kanë që janë vendosur atje dhe e quan vendin e saj.
Hë pra, Amika, më thuaj, kush është vendi jot ? Tani e ka mbledhur veten dhe artikulon rrjedhshëm : Çikago dhe Tirana. Kam dy atdhe, flet e ngazëllyer. Të dy i dua shumë.
Gjumi ka marr arratinë tashmë dhe vazhdoj komunikimin. Kush të pëlqen më tepër ? – e pyes. Në Shqipëri kam familjen e madhe, gjyshërit, vjen përgjigja e dëlirë fëminore. Në Çikago kam shoqet, shkollën, kam lodra e parqe sa të dua.Mësuesët me duan shumë dhe kam marr certificate dhe medalje në shkollë. Kam liqenin e madh dhe ketrat në oborrin e shtëpisë. Vazhdon përshkrimin naiv të frymorëve e sendeve, mbesa ime e vogël e nuk di të ndalet.
Do ta mendoj , e mbyll bisedën. . .
Ditën qe pasoj këtë ftesë virtuale, nisi reflektimi , por edhe llogaritë e shpenzimeve për biletë e ndonjë dhuratë simbolike prej atdheut . Prej atdheut. . . Cilit atdhe ? Të parit apo të dytit ? Sigurisht që për tim vëlla e bashkëshorten e tij, ky është atdheu i parë. Për Amikën e Paridin nuk di se si është renditja . Kujtohem , ajo u shpreh : “ Ejani në vendin tim, sikurse unë dua që të vij tek ju”.
Gjithë trishtim, pranoj se ajo e ka bërë zgjedhjen parësore të saj. Amerika është atdheu që e përmbush. Këtu ka gjakun, rrënjët e saj, atje ka gjithcka që jeta të ofron. Ndërmend më erdhi shprehja e famshme latine “ Ubi bene, ibi patria”. Shqipërimi : “ Ku ndihesh mirë, është vendi jot”. Duket si cinike ta pranosh, por e vërteta është kjo. Ka qenë përherë kështu. . . Patriotët e flaktë nisin betejat dhe replikat e pafund patetike. Ne botën kozmopolite dhe ne kohën e teknologjisë së lartë, kur largesitë bëhen nul e koha reduktohet, më duket krejt e natyrshme. Ndoshta , po sjell një justifikim për të evituar trishtimin tim nga zgjedhja e atdheut prej mbesës 9 vjecare.
Toka e premtuar . . . Për rrjedhojë, e drejta s’është me arsyen time, por me zemrën e fëmijëve të rritur apo lindur në atë tokë, ku liria është e drejtë themelore dhe jo produkt burse.
Nëse, shkrimi im ka intriguar ndokënd apo ka ndonjë kureshtar që do të pyes: po më tej ?
. . . Të tretën ditë, nga telefonata e mesnatës, aplikova për vizë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara.