Fantazmat e komunizmit
Nga Alma N.Liço
Prej mëse tre javësh po ndjek me shqetësim sulmin enverist ndaj Drejtorit të ISKK, zotit Agron Tufa, i cili është duke përmbushur me seriozitet dhe përkushtim detyrimet ligjore të punës së atij Instituti. Ky sulm vjen nga disa fantazma lëvizëse, të implikuara direkt ose indirekt me krimet monstruoze të periudhës së luftës dhe ato të pas luftës. Në një shtet që pretendon të jetë demokratik, këta individë sot duhej të ishin dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit. Jo vetëm që nuk pati asnjë vullnet nga politika vendimarrëse post komuniste që kjo të ndodhte, por për absurditet këta individë vazhdojnë të përfaqësohen e të derdhin helmin e tyre kërcënues dhe përçarës, në Institucionet më të larta të shtetit shqiptar.
Nuk e kam të mundur të përfshihem në këtë luftë absurde si studiuese apo historiane. Por mund të përfshihem si viktimë e atij regjimi gjakatar, që në familjen time masakroi dhe mori peng jetën e katër brezave. Në këta pak rreshta nuk dua të zgjatem me historinë e familjes sime, pasi atë e kam pasqyruar të detajuar në librin tim memoristik “Krahë të këputur”. Shkaktarët e atyre krimeve apo bijtë e tyre, me shumicë mbrojnë të njejtën filozofi, atë të denigrimit dhe kërcënimit të atyre që mendojnë politikisht ndryshe nga ata. Nuk ndalen edhe kur këto opinione që demaskojnë krimet e tyre janë të bazuara në dokumenta historike/arkivore, të krijuara nga ata vetë apo etërit e tyre. Madje, para pak ditësh, një anëtar i ri i qeverisë aktuale nuk nguroi t’i quante armiq të kryeministrit kundërshtarët politikë, ndërsa një politikan tjetër, në mënyrë të përsëritur kërkoi që viktimat e komunizmit t’u kërkojnë falje xhelatëve të tyre!!! Kjo ndodh në vitin 2019!!!
Idhtarët e komunizmit nuk mund të pranojnë asnjë realitet tjetër, përveç atij që kanë servirur nëpërmjet propagandës së tyre trushplarëse dhe neveritëse. Por ajo që më shkakton më shumë se dhembje, është fakti i mungesës së ndjeshmërisë dhe reflektimit ndaj atyre krimeve vëllavrasëse. Në pamundësi që këto monstra të pendohen e të kërkojnë falje, më e pakta që mund të bëjnë, është të largohen nga politika aktive dhe të heshtin.
Kaq shumë fakte tronditëse të krimeve të tyre të dala në dritë nga dokumentat, por edhe nga dëshmitë e atyre që i vuajtjën në kurriz, do kishin tronditur çdo qënie njerëzore. Por koha ka vërtetuar që komunistët janë qënie mizore, të paaftë për të provuar ndjenja të tilla. Më shumë se kurrë, ka ardhur momenti që përgjegjësit e tragjedive të përballen ligjërisht me krimet e shkaktuara prej tyre. Nuk duhet të lejohen të helmojnë me tej jetët tona. Me këtë rast, dëshiroj t’i bëj një apel bashkëvuajtësve të mi, si dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojne fuqishëm në këtë situatë alarmante revanshi. Nëse nuk ndërhyhet me forcë për dënimin e atyre krimeve dhe shkaktarëve të tyre, shoqëria shqiptare do vazhdojë të lundrojë në oqeanin e trazuar të urrejtjes e përçarjes. Më mirë vonë se kurrë.