Fajin e kanë trajnerët apo Bayern thjesht nuk ka një ekip botëror?

Në fillim Pep Guardiola, tani Carlo Ancelotti. Dy trajnerët e fundit të Bayern-it patën një detyrë të vështirë dhe nuk e realizuan: fitimin e Champions League.

Me siguri, ata kanë bërë gabimet e tyre respektive, por ndoshta në Mynih duhet të pyesin veten për diçka tjetër. Mos vallë Bayern thjesht nuk ka një ekip të kalibrit botëror? Para se të shpallej kampion Evrope në vitin 2013, Bayern kishte 12 vite që nuk e fitonte këtë trofe. Po të kthehemi pas në histori, trofeu i fundit para atij të 2001-shit është fituar dekada më parë. Pse në katër vitet e fundit është kërkuar medoemos Champions-i?!

Është e vërtetë se Bundesliga është kampionat pa rivalitet dhe fitimi i saj nuk përbën ndonjë sukses historik apo ngjarje për t’u quajtur meritë absolute e trajnerit fitues, por Champions League nuk është thjesht rezultat i një pune të mirë.

Ndoshta bavarezët po gabojnë duke menduar se kanë një ekip aq të mirë, sa për të mposhtur rivalë si Barcelona dhe Real Madrid. Për shembull, përveç portierit Manuel Neuer, mesfushorit Thiago Alcantara dhe sulmuesit Robert Lewandowski, kush është lojtar i kalibrit botëror te Bayern?

U dorëhoq Philipp Lahm dhe po e zëvendëson një “fëmijë” si Joshua Kimmich. Ai mund të bëhet legjendë, por sot mbetet një eksperiment. Pjesa tjetër e mbrojtjes është cilësore, por jo “uau”, sepse Sergio Ramos dhe Thiago Silva vazhdojnë të quhen më të mirët në botë. David Alaba ka dy vite që nuk luan si më parë dhe ky është fakt.

Kalojmë te mesfusha, ku Arturo Vidal është në fundin e karrierës dhe më shumë rrëzohet se luan, kurse Sebastian Rudy dhe Corentin Tolisso janë afrime të mira, por jo “pikante”. Asnjëri nuk është ndonjë mrekulli, kur merr parasysh se PSG-ja ka italianin Marco Verratti, Manchester United yllin Paul Pogba dhe Real Madrid një mesfushë spektakolare, të mirëformuar prej vitesh. Bayern ka dështuar në mesfushë (deri tani), aq sa huazoi portugezin Renato Sanches. Ai ishte premtues, por kush e la të shfaqte veten?

E mbyllim me ofensivën, ku Bayern është i plakur në palcë (Arjen Robben dhe Franck Ribery), kurse Thomas Müller, përveçse nuk është një lojtar i klasit botëror, por më shumë motivues dhe një i preferuar i tifozëve, gjithnjë përfitues i pasimeve të skuadrës, ka dy vite që performon dobët, si Alaba. I fundit mbetet Kingsley Coman, ende i pakonfirmuar. As ai vetë nuk e kupton pse nuk luan.

Pyetja e fundit: a e ka Bayern një lider? Kush është Oliver Kahn apo Michael Ballack në këtë skuadër? Kush i “rreh” të rinjtë, kur skuadra do një shkundje? Asnjëri.

Pra, ky është Bayern. Të mos ia rrisim veshët! Trajnerët… nuk luajnë.

(Marre nga Telesport)