Eugjen Merlika vjen me “Demokratura Shqiptare ” Nga kampi i Tepelenës te emigrimi në Itali .Zhgënjimi me Shqiperinë i nipit i Mustafa Krujës 

 

Sapo është promovuar libri “Demokratura Shquiptare e publicistit Eugjen Merlika. Ky botim i “UET Press” ështё njё përmbledhje shkrimesh tё njё periudhe relativisht tё gjatё, 2004 – 2017, qё pasqyrojnё mendimet e përsiatjet vetjake rreth jetёs politike, shoqёrore, ekonomike kulturore tё Shqipërisë tё cilёn, autori edhe pse fizikisht jashtë vendit e ka ndjekur si të kish jetuar këtu.

Në historinë e mendimit shqip pas viteve ‘90, Eugjen Merlika është një nga vëzhguesit e hollë të ndryshimeve politike, jetës social-kulturore dhe ekonomike të një Shqipërie gjithnjë në ndryshim. Pinjoll i një familjeje, historia e së cilës është e shkuara jonë, Merlika ka ditur ta shndërrojë përvojën e kujtesës në një mjet në shërbim të së tashmes. Saga e tij familjare nën diktaturë, të cilën ai e ka rrëfyer në disa botime, është një nga dëshmitë më të forta mbi komunizmin shqiptar. Vitet e kaluara në kampin e Tepelenës, kur ishte ende një fëmijë, nuk mundën të fashisnin tek ai atë shkëlqimin e fortë të gjenit në sy, shkëlqim që u ngjan aq shumë syve të zinj e të vegjël të së ëmës, Elenës, vajza e bukur e Sotir Gjikës, drejtor i gazetës “Kuvendi” që botohej në Romë. Takimi me Petrit Merlikën, djalin e Mustafa Merlikës, do të ndryshonte përgjithmonë jetën e saj. Pas studimeve me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Napolit, ajo udhëton drejt Tiranës, e bindur se dashuria ishte rruga e saj. Teksa më 1949-n, pas arrestimit të së shoqit e të kunatit, kamioni linte pas fusha e lumenj për të mbërritur në Tepelenë, ajo mbante fort nën krahë djaloshin e vogël, humbur në kujtimet e një kohe që nuk do ta jetonte më kurrë. Elena do të printe më vonë karvanin e grave e vajzave të internuara, duke mbajtur mbi shpinë dru e pleh, e kokën lart dhe duke ruajtur dinjitetin e familjes që përfaqësonte.

Pas rënies së komunizmit, Eugjeni u zhvendos për të jetuar bashkë me familjen në Itali, duke zgjedhur kështu vendin e lindjes së saj për të ndërtuar jetën e re. Ndoshta jeta e Elenës, është libri më i bukur që ai do të shkruajë një ditë.
Nga Sesto Calende e provincës së Varezez ku jeton prej vitesh, ai ndërton çdo ditë përmes shkrimeve në tryezën e tij të punës, skaletën e një Shqipërie që “vazhdon ta lëndojë”, përmes informacioneve që lexon në çdo kohë në shtypin shqiptar.
“Demokratura shqiptare” është kjo Shqipëri, e ndërtuar ditë pas dite, në mendjen e një njeriu që nuk mund të ketë ndarje shpirtërore me të. Libri është një përmbledhje e shkrimeve të botuara përgjatë trembëdhjetë viteve 2004 – 2017, të cilat sjellin një këndvështrim ndryshe të realitetit politik shqiptar. Të gjitha shkrimet përshkruhen nga shpresa e hershme e tij, që pas një diktature gati gjysmëshekullore, forcimi i demokracisë është një detyrë historike për protagonistët e politikës shqiptare. Merlika nuk është vetëm një vëzhgues, por dhe një këshillues i politikës, orientues duke parashtruar forma sesi mund të tejkalohet kriza. Pavarësisht një zhgënjimi që nuk e fsheh në pjesën më të madhe të shkrimeve, ai vazhdon të besojë se demokracia e ëndërruar do të vijë vetëm atëherë kur të mos ekzistojë demokratura.

Një formë e vendeve me stabilitet të brishtë, Shqipëria përtej Adriatikut projektohet e tëra një demokraturë e trishtë në tryezën e punës së Eugjenit e ai s’mund të gjejë term tjetër për të përkufizuar shqetësimin e tij të brendshëm.
“A nuk është tipar i demokraturës qenësia e një klase politike, në të cilën janë të pranishëm elementë të krimit në të gjitha format e veta e që, në eksponentët e saj kryesorë, e kanë kthyer politikën në profesion, në vend që të ishte një mision në shërbim të çështjes së madhe të Atdheut? Kjo është një nga pyetjet që ai shtron në këto shkrime, si shumë të tjera që do t’i gjeni natyrshëm gjatë leximit, teksa do të formësoni modelin e një intelektuali që e lexon Shqipërinë në dy kohë, në komunizëm dhe demokraturë.” – shprehet drejtoresha e botimeve “UET Press”, Parathënia e librit nga Alda Bardhyli.