Edhe qentë të burgosur
Nga Maksim Rakipaj
Nuk e gjeta Çapin kur mbërrita në kampin e përqëndrimit në Ballsh, por gjeta shumë kujtime për të. Të burgosurit flisnin për Çapin njësoj si të flisnin për një mik të tyre, por gjithnjë me dhimbje, a me një buzagaz të trishtë: “Ehhh, e pushkatuan Çapin e shkretë, e pushkatuan!”
Nuk dihet se si përfundoi ai qen i vogël bojë kafe (si uniforma e të burgosurve) brenda kampit. Dikush thoshte se e pat sjellë ndonjë prej të burgosurve që punonte me brigadën e ndërtimit, andej nga Azotiku; dikush, duke qeshur, thoshte se e pat dënuar gjykata e Fierit për agjitacion e propagandë sepse pat pshurrur pranë një muri ku qe portreti i udhëheqësit të lavdishëm… Sido që të qe, Çapi u bë mik me të gjithë. Thoshin, madje, që i njihte të burgosurit me emër. “Qafsha t’gjith, Makso, t’i jepshe nji letër Çapit e t’i thoshe: – Hajde Çapi, çoja kte letër Selës! – S’kishte derman, nuk ia jepte kërrkujt, vetëm atij! Po të mos e gjente Selën vinte ta kthente letrën mrapsh, si tuj qajt, sikur të thoshte nuk e gjeta…”
Por njëherë e pa polici më i keq i kampit, Aliu. E pa Çapin me një letër në gojë, e ndoqi, e kapi, por Çapi si të qe njeri, e gëlltiti letrën dhe nuk ia dorëzoi polic Aliut. Nga inati, polic Aliu i ra me shkelm brinjëve. Që atë ditë, polic Aliu nuk guxonte të hynte më në kamp sepse Çapi i vërsulej si i tërbuar, por miqtë e Çapit arrinin gjithmonë të shmangnin një përleshje Çap – Ali. E ndjente Çapi menjëherë sapo Aliu ishte gati për të hyrë në kamp; kush qe pranë Çapit i fliste, e qortonte, i thoshte që ta përmbante inatin… “Mos bëj kështu, o Çap, vetëm për një shkelm… ohuuu, sa shkelma kemi ngrënë ne!” Dhe Çapi bindej, pa dëshirë, por bindej zemërthyer, duke hungërritur me vehte, sikur donte të thoshte: “Epo mirë, (iiu), ju (ugrrruuu) e dini më mirë, ia keni marrë dorën burgut (hum, hum).” Por ndodhi ajo që pritej. Një mbrëmje u dëgjuan dy krisma pistolete nga krahu i zyrave të komandës. E ndjenë që të gjithë të keqen: – Mos! Na e vranë Çapin e shkretë!… dhe kampin e mbuloi zia.
Kurse në Spaç dhe në të gjithë burgjet komuniste ishte gjallë legjenda e qenit hero, Tartit, që edhe ai, njësoj si katër herojtë e Revoltës së Spaçit, që nuk pranuan të shtrihen përtokë dhe të lidheshin si të gjithë të burgosurit, nuk u dorëzua por luftoi deri në fund krah 4 Herojve, kundër kanibalëve të shtetit komunist. Në kujtimet e tij, një pjesëmarrës i revoltës ka shkruar edhe një poezi elegji për Tartin hero. E lexova atë elegji, jo pa u përlotur, në një koment që bënte ne facebook Neritani, djali i shokut tim, Ahmet Kolgjinit.
Pse të jetë kjo lidhje kaq e fuqishme e kafshëve me të burgosurit? E kam vrarë shpesh mendjen për këtë gjë. Dakord, me macet dhe me qentë ka plot histori miqësie edhe me jo të burgosur. Po lejleku i kripores së Vlorës që i shoqëronte të burgosurit në punë vajtje-ardhje? Të burgosurit e linin punën sapo lejleku ngrihej në ajër; policët kontrollonin sahatët dhe, për çudi, kishte vajtur ora për të lënë punën…
Një herë, kur isha turni i dytë, në Spaç pashë që dikush kishte zënë shoqëri me një mi. Ndërsa Islam Spahiu po mbushte vagonin, Ahmet Kolgjini shkoi pak më larg për të pirë një cigare. U afrova edhe unë. Ishte kënaqësi të pije një cigare në shoqërinë e tij. Ahmeti, sa më pa, ma bëri me shenjë të mos bëja zhurmë. U afrova pa u ndjerë dhe pashë që po i jepte ca thërrime buke një miu të zi miniere: “Mos ki frikë, Maksi është shoku im.” Dhe miu vazhdoi të hante pa e prishur terezinë. Ahmeti më tha buzagaz: “Ka tre muaj që vjen gjithmonë e më takon.”
Kjo lidhje vjen, ndoshta, sepse kafshët e ndjejnë se një i burgosur ka shumë dashuri për të dhënë. Njeriu kur nuk merr dashuri, për çudi, është në gjëndje të japë shumë herë më tepër se sa kur e merr atë. Kafsha e ndjen këtë, sepse ne me sa duket rrezatojmë fuqishëm nevojën për dashuri kur ajo na mohohet, na privohet, na dhunohet. Në burg na japin të hamë urrejtje me shumicë, ne e hamë pa u ndjerë dhe e kthejmë të gjithën në dashuri……
Një mëngjes i burgosuri Riza Bregu, duke shkuar në mencë, pa tek shkallët një këlysh të vogël që i doli para duke luajtur bishtin… Hapi sytë se nuk kuptoi se si mund të kishte mbërritur atje ai këlysh i vogël. E mori me vehte dhe i dha racionin e vet të qumështit. Dikush e pyeti: “Si e quajnë kte bolin e vogël, o Xake?”
“E ke gjet, e qujn Bol”, u përgjigj Rizai duke qeshur. Spaçianët e birësuan menjëherë Bolin, që dukej të ishte një shartim i një qen stani me ndonjë bastard, qimeshkurtër, bardhosh me njolla kafe. U rrit shpejt Boli, ajo vrima që i pat sajuar Xakja te depoja e zarzavateve nuk e nxinte më. Hante çdo gjë Boli, çfarë t’i jepje: ullinj, shalqin, mollë, byrek, pilaf, marmallatë… Për të fjetur futej te shtrati i Rako Kristos, që flinte pa i hequr çizmet e minierës. Kur u bë rreth një vjeç, Boli filloi të shkonte në minierë me të burgosurit. I shpëtonte me shkathtësi syrit të policëve që kontrollonin hyrje – daljet për në minierë. Komandës së kampit nuk i pëlqeu kjo gjë dhe mendoi ta zhdukte Bolin. Një ditë e gjetëm Bolin të shtrirë në sheshin para mencës me sytë e shuar dhe lëshonte një si shkumë të bardhë nga goja. E kishin helmuar! Në ambulancë nuk kishte antidot. Dikush prej të burgosurve solli një litër vaj ulliri nga ushqimet që i pat sjellë familja dhe ia hodhi të gjithë në fyt Bolit, që mezi regëtinte. Ishte qen i fuqishëm Boli dhe ia hodhi atë radhë, por nuk afrohej më tek guzhina e kampit, ku si duket e patën helmuar. Komanda nuk e la me kaq; një pasdreke Boli hyri i gjakosur në kamp. I patën qëlluar me çifte. Mjekimet atë radhë erdhën nga ambulanca e kampit, të burgosurit ia nxorrën të gjitha saçmet që i kishin depërtuar në trup Bolit, që rrinte palëvizur gjatë operacionit. Për disa javë Boli ishte si i verbuar. Të gjithë ishin të merakosur për shëndetin e tij, por u shërua edhe atë herë. Kur u lirua, Xake Bregu kërkoi leje ta merrte me vehte, por nuk ia dhanë. Me sa dukej dënimi i Bolit do të vazhdonte ende… Në Qaf Bar, ku më transferuan, dikush më solli lajmin se Bolin e patën pushkatuar. Një prej policëve i pat shkrehur një karikator kallashnikovi Bolit të shkretë. Dhe me sa di unë, Boli nuk qe dënuar me vdekje nga gjyqi…
*Nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes”, botim i ISKPK, Tiranë, 2014