E vërteta të bën të lirë
Nga Gezim Basha
Sulmi i Spartak Brahos ndaj Agron Tufës eshtë pjesë e një strategjie ish-sigurimsash të dëshpëruar, i ulët por jo i papritur. Ky karakter grotesk me një çante, a kuti, të zezë në dore, herë duket si princ i skëterës, e herë si një Pandorë mashkull që, për hir të partise, ka kapërxyer ylberin në moshë të shtyrë…
“Frika ime më e madhe,” thotë Eduardo Galeano, “është se ne të gjithë vuajmë nga amnezia, humbja totale, apo edhe e pjesshme, e kujtesës.” Ky Uruguajan i madh i cili e kaloi jetën në një përpjekje intelektuale të paprerë për të ndriçuar anët më të errëta të historisë njerëzore–autor i triologjisë, “Kujtesa e Zjarrit’– do ta kishte patur pisk në Shqipëri. Pisk do ta kishte pasur aty edhe Milan Kundera me atë bindjen e tij se lufta kundër harrimit është edhe luftë kundër tiranise. Peshkopi i Amerikës së Jugut, Desdmond Tutu, i cili kryesoi Komisionin Hetimor për zbardhjen e krimeve gjatë Aparteidit, apo argjentinasi, Ernesto Sabato, mbi të cilin ra barra e zbardhjes së krimeve të juntës ushtarake ne vitet 80-të, po ashtu do ta kishin patur pisk.
Pisk sepse Shqipëria ka pisllëk mendor të kalcifikuar si askund tjetër, sepse në Shqipëri ka shumë Spartakë të pazbutur, me dhe pa kuti të zezë në dorë, Spartakë omnivoruse me nofulla muskuloze nga zakoni i ripërtypjes; Spartakë–apo Pëllumba (jo)paqësore– fiksimi i të cilëve eshtë fshirja nga memorja e krimeve të diktaturës personale të Enver Hoxhës.
Agron Tufa dhe grupi i intelektualëve të mbledhur në Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit, po korrigjon, ne mënyrë jodirektive, jo thjesht mardhënien tonë me të shkuarën por para së gjithash me të vërtetën ngaqe, siç thuhet në Bibël, “veritas vos liberabit” e vërteta të bën të lirë!