BYREKU…

Nga Agim Xhafka

Çdo ditë e kujton Rrema gjëmën që i ndodhi. Thuajse dy vjet para,afër mëngjesit,i trokitën fort te porta.
-Çohu,-i tha Nadirja e u kthyhe nga krahu tjetër. Se kështu i zgjonin nga që ngatërronin derën me të Gaqos. Ai linte makinën para garazhit të Razos e roja i makinave trokiste te i shkreti Rremë që jo veturë,por as lidhëza këpucësh nuk kishte.
Një jetë punoi në minierë,nën tokë. Edhe Nadirja atje,por në mencë. Kur u mbyll miniera ngelën pa punë,por çalltisën e u bënë muratorë te një kushëri i tyre që ndërtonte pallate. Nadirja përzjente llaçin e Rrema ngrinte mure. Kështu ca vite sa u rrit Oresti,djali i vetëm. Pa i dhanë shkollë për hidraulik,pa e martuan,pa u bënë gjyshër e një ditë çuni iku në Selanik. Nuk jetohet këtu,tha dhe i përqafoi. Qanë edhe një muaj pasi iku çuni. I griu malli për Borën. U mësuan me atë nektar. As dy vjeçe e iku në Greqi. Por Oresti i merrte çdo javë në skype. U nxirrte dhe Borën. E gugateshin pleqtë me foshnjën,nuk u thahej syri deri javën tjetër. Ndërsa një herë në javë shkonin tek Westër Union në cep të rrugës e merrnin 150 euro prej çunit. T’i keni për ushqim,u thoshte Oresti. Se pensioni iu doli gjysëm nga që kushëriri tek i cili punuan 15 vjet nuk i siguroi asnjë ditë.
Me përtesë u ngrit nga krevati atë mëngjes dhe sa hapi derën pa përballë tre policë.
-Babai i Orest Lulēs?
-Po.
-Djali ka bërë aksident në Greqi. Bashkë me gruan kanë ndërruar jetë. Në makinë ka qënë dhe vajza..
-Mos…-bërtiti Rrema dhe u lëshua në tokë.
Kur çeli sytë pa Nadiren që i derdhte sipër rrebesh lotësh. Nga qarjet e saj mësoi se vajza ishte gjallë. E shpëtoi zoti. Sikur iu hap pak qielli.
Më pas nuk do të kujtojë asgjë. I vjen në tru ardhja e Borës në shtëpi e përmbysja e jetës së tyre. Nuk flisnin më as për dhimbje,as ilaçe. Veç a fjeti mirë Bora,a qeshi,a hëngri,a piu,a ka ftohtë,nxehtë…
Sa merrnin pensionin hiqnin lekët e qumështit të Borës. Ua sillte Shazivari nga Ndroqi. Nga ai qumësht bënin dhe kosin për çupën. Ndonjë vezë ua falte Loni,fqinji. Ia dërgonte motra nga Lushnja. Pastaj merrnin ushqimet e deri në datën 20 ia dilnin. Më tej me listë te Nesti. Nuk u vinte litarin. Kur t’i keni,u thoshte.
Dje Nadirja mblodhi ca lëpjeta te oborri prapa shkollës. Kam ca kos të vjetër,thartirë e gjallë,i tha Rremës. Merr ca petë të gatshme te Nesti e bëjmë një byrek se na u këput barku nga uria. Tha këto fjalë e sytë iu zmadhuan,iu bë bebja si pusi nga del ylberi.
Çapiti Rrema dhe Nesti i zgjati një pako mbështjellë aq bukur sa mund t’i haje me gjithë karton.
-Ma shkruaj!-i foli si në faj.
Te dera pa mbi një thes me patate një kukull të vogël. Qeshte e duart i mbante lart.
-Sa kushton?
-2 mijë të vjetra,-i tha Nesti.
-Po kjo pako me petë?-e tregoi atë që mbante në dorë.
-Njēsoj.
-Atëhere më jep kukullën e merri petēt!
E rrëmbeu dhe po nxitonte. Shkallēt dy nga tre si dikur kur ishte gjeth. Hapi derën e bërtit:
-Bora,jam plaku i Vitit të Ri! Shihe dhuratën.
Goca ia nisi një gazi sa nuk mbahej. E mbante kukullën me dy duar sikur do ia rrēmbente dikush.
-Po petët?-pyet Nadirja. Nuk priti përgjigje. Mori tiganin me gjellën e byrekut dhe e ndau në dy pjata. Iu futën me lugë e sytë nuk ia shqitnin Borës që u bë me shoqe.
-Edhe pa petë po na shijoka ky byrek,-tha Rrema e pa nga Nadirja. Ajo nuk e dëgjoi se mendjen e kishte tek dy kukullat e shtëpisë…