BURRËRIA

Nga Prof.Isuf LUZAJ

QËNDRIMI BURRËROR duhet të jetë karakteri në shërbim të një ideali.

Kush ka menduar një ARKETIP VËRTETËSIE, ose bukurie virtyti, ose drejtësie, vetëm ai mund t’i afrohet idealit të tij, duke u rezistuar mijëra pengesave që i dalin përpara.

Jeta në përpjekje ngjitëse kërkon një rojë të fortë të orëve; favori, përkëdhelja dhe intriga komplotojnë kundër dinjitetit të rinisë, duke e larguar nga idealet e saj nëpërmjet shpërblimeve të kollajshme.

Çdo koncesion në urdhrin moral prodhon një cungim, çdo dorëheqje është një vetëvrasje.
Ki turp, o i ri që humbet udhën tënde, duke ua lëshuar veten tënde dobësisht joshjeve të padenja!

Në qofsh ti artizan, evito që të plogështohesh duke pranuar ndonjë gjë që të mos jetë kompensim i meritave të tua; në qofsh poet, mos e fëlliq tunikën e muzës tënde duke kënduar në tryezë ku dehen oborrtarët kurtizanë; në qofsh mbjellës, mos kërko mbrojtjen e asnjë padroni a pronari që ta bësh zotin tënd; prit vetëm stinën që do të bjerë mashurkën e grurit, që, nga puna e dorës tënde, do të zbërthejë barkun e tokës për t’i dhënë syrin diellit; në qofsh dijetar, mos gënje, në qofsh mësues, mos mashtro!

Mendimtar ose filozof, mos i shtrembëro doktrinat e tua përpara të fuqishmëve që do të të paguajnë me tepri; me madhërinë tënde ti do të matësh përgjegjësitë e tua dhe përpara fisit, kombit e racës ti një ditë do të japësh llogari një për një për të gjitha fjalët e tua.

Cilido qoftë okupacioni yt, mizë dheu ose luan, puno, këndo ose prediko pa interes e pa përdredhje; le të vibrojë tek ty një pjesë e vogël e popullit tënd.
Mos e imito shërbëtorin që përgjunjet për të shtuar racionin e gavetës së tij. Përçmoje korruptorin dhe ki mëshirë për të korruptuarin *

  • “Rindërtimi I Fuqive Shpirtërore” Faqe 90.