Burgu i “7 Penxhereve”! Në Gjirokastër midis të vdekurve dhe të gjallëve

Nga Nebil Çika

“Burgu i 7 penxhereve” kështu është quajtur burgu i tmerrshëm i Kalasë së Gjirokastrës një nga burgjet më të rënda komuniste në Shqipëri. Ky burg i nisi fillimet e tij si burg më herët që në vitet 1930, mirëpo u bë i njohur ne Shqipëri në periudhën komuniste 1944-1967 si një kasaphanë e vërtet e diktaturës. Në këtë burg u mbyllën, torturuan, dënuan e pushkatuan mijëra të burgosur politikë nga diktatura komuniste nga i gjithë vendi. Në kushte shumë të vështira shumë prej tyre nuk ja dolën dot të mbijetonin dhe i lanë kockat atje në një varrë masiv pa asnjë shenjë identifikimi. Një nga të mbijetuarit e këtij burgu famëkeq ishte edhe im atë dhe pikërisht prej tregimeve të tij si dëshmitar okular, unë e kam përjetuar ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë atë që ka ndodhur në “Burgun e 7 penxhereve “. Por sigurisht nuk jam vetëm unë që kam dëgjuar por çdo familje që ka pas një të burgosur këtu, të mbijetuar apo jo, ky burg i është ngulitur në mendje.
Ditën e Martë bashkë me kryetaren e Autoritetit mbi Informimin e Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit znj. Genta Sula dhe të tjerë bëmë një vizite pune në ish burgun e Kalasë së Gjirokastrës. Qëllimi ishte sensibilizimi i opinionit publik, shtetit dhe institucioneve ndërkombëtare për varrezën masive të të burgosurve politike të vrarë, apo vdekur nga torturat dhe kushtet e rënda të burgut në rrëzë të Kalasë. Në nëntor 2017 isha në Kala pikërisht tek varreza dhe nëpërmjet mediave të pranishme u bëra thirrje autoriteteve të fillonin hetimin në këtë varrezë për të zbuluar dhe identifikuar të zhdukurit e komunizmit që ndodhen atje. Zbulimi e përcaktimi i vendndodhjes së varrezës u bë nga ne si shoqatë me dëshmi të të mbijetuarve ende gjallë apo shënimeve të tyre si dhe të banorëve gjirokastritë shtëpitë e të cilëve ndodhen shumë pranë varrezës masive, një pjesë e mirë e të cilëve i kishin parë me sytë e tyre trupat e vdekur të të burgosurve që hidheshin atje ditë mbas dite.
Im atë, por edhe të tjerë bashkëvajtjës të tij më kanë treguar si trupat e vdekur, kryesisht në tortura merreshin çdo mëngjes nga një hamall, i cili i thyente fillimisht në mes me një kazmë, i fuste në thes dhe i çonte pak metra më tutje në rrëzë të kalasë ku i mbulonte me pak dhe, pa asnjë shenjë identifikimi. Të njëjtën dëshmi japin edhe banoret e zonës që nga shtëpitë e tyre ndiqnin të terrorizuar këtë ritual barbar pothuaj të përditshëm. Ata thonë se vite më parë por edhe tani, sa binte një shi zbuloheshin kockat. Ata që kanë qënë fëmije para viteve 1990 thonë që prindërit nuk i lejonin të luanin në atë vend, pa guxuar tu tregonin se ishte një varrezë masive. Pra të gjithë e kanë ditur dhe e dinë për varrezën por nuk guxonin të ngrinin zërin pasi dihet çfarë të priste nëse flisje për krimet e komunisteve. Mund të përfundoje edhe vet si ata.
Por me gjithë denoncimin tim në nëntor nuk pati asnjë reagim të shtetit apo të institucioneve ndërkombëtare që merren me të zhdukurit e komunizmit edhe pse bëhet fjalë për një vendngjarje krimi të rëndë, krim kundër njerizimit.
Në biseda paraprake i kisha thënë zonjës Sula se ka një përpjekje zyrtare për të mohuar ekzistencën jo vetëm të varrit masiv por edhe të vetë burgut komunist të “7 Penxhereve”, gjë që e pa dhe e vërtetoi edhe vetë. Në Kalanë e kthyer në muze në vitet 1970 nuk ka asnjë shenjë apo shënim që të thotë që ky ishte për 22 vjet një burg komunist, për varrezën po e po.
Kur historinë e bëjnë Besnikët e partisë
Pas varrezës masive vizituam edhe burgun muze. Drejtori i Muzeut Besniku, një militant i njohur komunist në Gjirokastër ish kryetar i PS-së na paralajmëron që para se të hynim, se atje nuk ka asnjë njoftim apo shenjë që ka qenë një burg komunist. Dukej i frikësuar, pasi siç tha edhe vetë, vizitorët irritohen nga fshirja zyrtare që i është bërë historisë së krimeve komuniste pikërisht në një nga vendngjarjet kryesore të tyre, “burgun e 7 penxhereve”. Me gjithë paralajmërimin e drejtorit Besnik, u befasuam nga ajo që gjetëm në Muze. Muze i thoshin se në fakt është një pavijon propagandistik i komunizmit dhe historisë së falsifikuar prej tij, falsifikim që ende vazhdon nën kujdesin e qeverise dhe bashkisë.
Thuhet që kishte qënë burg deri në vitin 1944. Pra ishte fshirë 22 vjet histori e burgut famëkeq komunist dhe natyrisht edhe e krimeve komuniste kundër njerizimit që janë kryer këtu. Në mure ishin shkruar rishtas pjesë nga “historitë” e sajuara të komunistëve që kishin “vuajtur” në atë burg . Me tërhoqën vëmendjen emrat e Qemal Stafes dhe Vojo Kushit që ma do mendja nuk kanë shkuar kurrë në Gjirokastër e jo më të kenë qënë edhe në burg.
Një pjese e atyre që përmendeshin, qe më vone do te ishin edhe drejtues te burgjeve komuniste, kane qënë në burgun e Kalasë para vitit 1939 por të dënuar ordinerë, për vrasje, grabitje etje. Në kohën e pushtimit fashist burgu u hap ata u liruan dhe më vonë iu bashkuan formacioneve paraushtarake komuniste (partizane). Pjesa e madhe e tyre gjatë dhe pas luftës janë përgjegjës për krime të rënda të kryera ndaj shqiptareve. Me pak fjalë burgu muze i “7 penxhereve” nuk ka ndryshuar asgjë në atë që u thuhet e u tregohet vizitorëve me vitet e diktaturës. Doni ta dini si e shkruante historinë Enver Hoxha ejani këtu. Nuk ka ndryshuar asgjë. Këtu historia vazhdon të shkruhet e të thuhet ende nga Besniket e partisë sipas mësimeve të partisë. Por jo vetëm kaq. Me ne është edhe Jorgo Masho, ish i burgosur politik, kryetar i degës së shoqatës në Gjirokastër. Jorgo, shumë i revoltuar thotë se para 15 vitesh ka qënë këtu si pjese e xhirimeve të një dokumentari të Tomorr Alikos për burgun komunist. Muret e qelive që ishin të mbushura me mbishkrime nga të burgosurit antikomuniste, sot nuk janë më. Boja apo gëlqerja e bardhë e lyer rishtas ka mbuluar gjithçka e mbi to janë shkruar me bojë të re e të freskët e me të njëjtën kaligrafi, mashtrime e slogane të pështira komuniste. Jorgo gërvisht me thua gëlqeren në një qeli dhe poshtë del një shënim, një emër i një të burgosuri politik antikomunist. “Ka me mijëra te tilla” -na thotë ai. Kjo mund të duket pa imagjinueshme për ndonjërin por është e vërtetë. Nuk besoni? Ejani vetë këtu ta shikoni!
Kjo është vetëm një copë nga krimi i madh i fshehjes së krimeve të komunizmit dhe manipulimit të historisë që edhe 29 vjet mbas rrënjës de jure të diktaturës ende vazhdon. Besniku i partisë, drejtori i këtij muzeu është vetëm një ushtar i thjeshtë i bandës komuniste që vazhdon të mohojë krimet dhe të falsifikojë historinë. Të tjerë shefa të tij politike në Gjirokastër e Tiranë, besnikë, pinjollë e kopilë të etërve komunistë por dhe vetë autorët e krimeve të komunizmit që drejtojnë shtetin, qeverinë, parlamentin, politikën, akademinë e shkencave, shoqërinë civile etje janë përgjuesit e vërtet të krimit komunist që në një mënyrë apo në tjetrën është ende prezent në ketë vend.
Por siç thotë populli nuk fshihet minarja në thes. Burgu i “7 penxhereve”, varreza masive e të tjera burgje e varreza të të zhdukurve nga diktatura komuniste në të gjithë vendin janë një fakt. Përballë përpjekjeve kriminale për të fshirë historinë janë qytetarët dëshmitarë okularë dhe sidomos të mbijetuarit e burgjeve komuniste. Një gjë të kenë të qartë besnikët e partisë kudo që të jenë: Ne nuk harrojmë !!! Edhe një gjë kam për autorët e krimeve dhe për këdo që vihet në krah të tyre duke mohuar krimet e fshirë historinë. Mund ti shpëtoni drejtësisë së robit por jo asaj të Zotit. Ai vonon por nuk harron!