Britania merr masa ndëshkuese ndaj Rusisë

Britania njoftoi një seri masash ndëshkimore kundër Moskës, përfshirë dëbimin e 23 diplomatëve rusë, pasi Rusia hodhi poshtë kërkesat për të shpjeguar se si një agjent nervor vdekjeprurës i periudhës sovjetike, u përdor për të helmuar ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Julia, që banonin në qytetin anglez të Salisbury-t.

Kryeministrja britanike Theresa May i njoftoi masat ndëshkimore në Dhomën e Komunave të mbushur plot me ligjvënës. Zonja May tha se qeveria e saj do të hartojë legjislacion për të mbrojtur Britaninë nga aktivitete armiqësore nga shtete të tjera dhe do të shqyrtojë masa të reja kundër spiunazhit. Masat e reja përfshijnë: miratimin e akteve të tipit Magnitsky për të lejuar ngrirjen e aseteve të rusëve që konsiderohen si abuzues të të drejtave të njeriut dhe pezullimin e të gjitha kontakteve të nivelit të lartë midis Londrës dhe Moskës, përfshirë një vizitë të planifikuar të Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Britani.

Diplomatëve rusë që po dëbohen u është lënë një javë për t’u larguar. Ky është dëbimi më i madh i diplomatëve rusë që nga viti 1971, kur ishte kulmi i Luftës së Ftohtë. Moska nuk ofroi sqarime për agjentin nervor të Novichokut të përdorur ka mohuar përfshirjen në këtë sulm.

Kryeministrja May tha se Moska e kishte trajtuar këtë çështje me “sarkazëm, përbuzje dhe kundërshtime”. Ajo u përball me udhëheqësin e laburistëve, Jeremy Corbyn, i cili vuri në pikëpyetje qasjen e saj të njëanëshme. Por zonja May mori mbështetje të gjerë nga të gjitha partitë, përfshirë edhe ligjvënësit laburistë.

Pak përpara zonjës May, aleanca e NATO-s publikoi një deklaratë ku shprehte “shqetësim të thellë për përdorimin e parë të një agjenti nervor në territorin e Aleancës që nga themelimi i NATO-s”. Zyrtarët britanikë kërkuan gjithashtu një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

SHBA I BASHKOHET BRITANISË: RUSIA QËNDRON PAS SULMIT

Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley iu bashkua Britanisë duke aluduar qartë se Rusia qëndron prapa sulmit me agjent kimik në Salisbury. Gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilin Britania informoi anëtarët e këtij këshilli për sulmin e supozuar me armë kimike kundër ish-agjentit rus dhe vajzës së tij, zonja Haley tha:

“Vazhdimisht, vendet anëtare kanë deklaruar se janë kundër përdorimit të armëve kimike në çfarëdolloj rrethane. Mirëpo, një vend anëtar po akuzohet për përdorimin e armëve kimike në territorin sovran të një tjetër vendi anëtar. Besueshmëria e këtij Këshilli do të mund të qëndrojë dot, nëse ne nuk e mbajmë Rusinë përgjegjëse.”