Basha në Shushicë: Vendosja e NIPT-it, kurth për futjen e fermerëve në skemën e TVSH-së
Kryetari i Partisë Demokratike bashkëbisedoi sot me fermerë dhe banorë të njësisë Administrative, Shushicë të Elbasanit. Basha prezantoi planin e Partisë Demokratike për bujqësinë ndërsa u tha banorëve dhe fermerëve të Shushicës se vendosja e NIPT-it nga e ana e qeverisë ishte karremi për të vendosur TVSH-në për ta.
Gjatë një takimi me kryetarin e opzoitës Lulzim Basha, fermerët e Elbasanit u shprehën kundër vendosjes së TVSH-së pasi sipas tyre kjo do t’i rrënojë përfundimisht, ndërsa renditën një seri problemesh që siç shprehen ata po i detyrojnë të braktisin tokën.
Fermeri: Fermeri tani është i detyruar ta braktisë tokën dhe kanë filluar të mos e mjellin, për arsye se shteti nuk i merr në konsideratë kërkesat, mundësitë dhe detyrimet që ka ndaj fermerëve.
Fermeri: E kanë shit naftën dhe i kanë ndarë lekët përgjysëm. Ka ardhë për të gjithë fermerët: kaq dynym tokë kaq litra naftë. Komuna, kryetari i komunës e ka shitur.
Fermeri: Tani ujin na e kanë futur në sahat.
Basha: Çfarë uji kanë futur në sahat?
Fermeri: Ujin e ujitjes ma kanë futur në sahat, duhet të paguash paret më tha.
Basha prezantoi planin e Partisë Demokratike për bujqësinë, ndërsa u tha banorëve dhe fermerëve të Shushicës se vendosja e NIPT-it nga e ana e qeverisë ishte karremi për të vendosur TVSH për ta.
Basha: Të gjithë fermerët që bëjnë një xhiro prej 2 milionë lekë jeni subjekt i TVSH-së, njësoj si bizneset e tjera të vogla edhe ju, prandaj iu është kërkuar që të futet NIPT, pas NIPT-it do t’ju merret TVSH-ja. Nuk do të ndodhë vetëm me biznesin e vogël, do të ndodhë me këdo që përmbush këto kushte, të bësh mbi 2 milionë lekë xhiro. Prandaj plani për të vënë NIPT-in që pastaj t’ju regjistrojnë dhe t’ju matrikullojnë edhe ju dhe t’ju tatojnë edhe ju, të marrin TVSH-në njësoj siç ia marrin biznesit të vogël.
Kryetari i PD-së i garantoi fermerët jo vetëm të Shushicës por të të gjithë Shqipërisë së PD-së do të jetë në krah të tyre përballë kësaj mase që sipas tij ndëshkon fermerët dhe i shërben Edi Ramës me një grusht të vogël oligarkësh.