Basha në Fier : Oligarkisë po i numërohen orët mbrapsht, beteja jonë po shkon drejt fitores!
Qindra mbështetës të opozitës me makina dhe flamuj të PD kanë dalë për të pritur kreun e opozitës, Lulzim Basha në Fier.
Një varg makinash me flamuj të PD-së, i kanë paraprirë automjetit me të cilin lëviz kreu demokrat, që në hyrje të Fierit.
“Takim madhështor në Fier, me mijëra qytetarë në një miting madhështor”, tha Bashan ë një video të bërë publike në rrjet.
Në kuadër edhe të protestës së 2 qershorit, Basha ka nisur një tur takimesh në qytetet kryesore të vendit, ku po sqaron jo vetëm kërkesat e opozitës për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore, por edhe po shpjegon programin e PD-së.
Një ditë më parë Basha ishte në Elbasan, nga ku deklaroi prerë se nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën në kurriz të shqiptarëve.
Basha tha se edhe ndërkombëtarëve i është shpjeguar qartë kushti i panegociueshëm për largimin e Ramës.
“Oligarkisë po i numërohen orët mbrapsht, çmontimi i saj është prioritet i prioriteteve”. Paralajmërimi është bërë nga kreu demokrat Lulzim Basha gjatë takimit në Fier, duke shtuar se nuk do të ketë asnjë kompromis me të keqen.
Basha ka deklaruar në favor të zhvillimit të referendumeve jo vetëm për çështje që prekin direkt interesat e qytetarëve, por duke përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit.
“Fatin e tyre qytetarët do e përcaktojnë me duart e tyre. Lehjet, ham hamet, kërcënimet për të kryer një tjetër krim zgjedhor, me një grup trafikantësh e zyrtarësh të kapur në përgjimet e prokurorisë, janë grahmat e fundit të një pushteti që bashkëpunon me krimin”, tha Basha.
Në vijim ai ka ftuar qytetarët që në 2 qershor të derdhen në Tiranë me një kushtrim: “Rama ik”.
“Beteja po shkon drejt fitores, atë se ka më në dorë pakica e politikanëve të bërë njësh me krimin, atë e kanë në dorë shqiptarët, që duhet t’a çojnë deri në fund betejën.
Betejën tonë do e zbresim në çdo rrugë dhe çdo shesh, duke i treguar qartë se lojrat me sovranin kanë marrë fund.
“Zgjidhja është e thjeshtë: nëse Edi Rama një herë në jetën e tij do të vendoste interesin tuaj e jo pasurinë dhe pushtetin e tij, largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit evropian që do të mundësojë zbatimin e kushteve.