Avni Bejkova : Si më torturonte dhe më dënoi me vdekje shoku im i fëmijërisë
Bisedoi : Nebil ÇIKA
Avni Bejkova,është një prej të mbijetuarve nga pushkatimi, burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës komuniste. Për shkak të moshës dhe përvojës personale, ai përbën pa dyshim një enciklopedi më vete. Si dëshmitar i gjallë i ngjarjeve të rëndësishme historike, por edhe si një prej njerëzve që vuajti në formën më çnjerëzore persekutimin komunist dëshmitë e tij kanë vlerë te jashtëzakonshme. Avni Bejkova lindi e u rit në Kolonjë në një familje patriotike e intelektuale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u radhit me nacionalistët, gjë që do t’i rrezikonte jetën e do t’i sillte vuajtje shumë të mëdha. Ai u dënua me vdekje si pjesëtar i një grupi kryesisht ushtarakësh, 12 prej të cilëve u pushkatuan para ushtrisë dhe popullit me porosi të drejtpërdrejtë të diktatorit, gjë që vërtetohet nga një qarkore e datës 25 qershor 1945, e firmosur nga Enver Hoxha, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u drejtohet të gjitha reparteve ushtarake, ku i njofton për dënimet me vdekje të 14 oficerëve efektivë të ushtrisë dhe 17 oficerëve që morën dënime të ndryshme, të cilët kishin qenë anëtarë të Ballit, Legalitetit, milici dhe xhandarmëri dhe sipas qarkores kishin bërë propagandë kundër tyre. Ja disa nga rreshtat e kësaj qarkoreje të firmosur nga vetë Hoxha: “Këta renegatë me vetëdije e shpirt reaksionari të pakorrigjueshëm, kanë vazhduar tradhtinë e tyre duke mohuar gjakun e dëshmorëve të rënë për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar. Porse shpirtgjerësi nuk do të thotë dobësi, dhe për këtë, shpata e drejtësisë me vend ra mbi këta tradhtarë, duke u dënuar me vdekje: Enver Neka, Hajdar Tekiu, Sefedin Faslliu, Harun Hysejni, Syrja Zoto, Estref Mustafaraj, Nexhip Cenka, Mehdi Lamçe, Faik Tartari, Lec Ndreca, Zef Sadria, Gjon Cufi (partizanë të Brigadës së Parë) dhe civilët Faredin Angoni e Myrteza Selusha. Me dënim të përjetshëm Avni Bejkova, me 30 vjet burg Luigj Camku, me 20 vjet Mehmet Shero, Luto Mustafa, Hysen Seiti, Can Dadoshi, Luigj Cepi e Tef Nika. Me 10 vjet, Samit Muço, Hajro Zyberi, Shyqyri Shasho, Safet Seiti, Baki Jonuzi. Me 5 vjet Riza Iliazi, Osman Halili. Me 6 muaj burg Jashar Aliu dhe me 2 muaj Muharrem Saliu. Këta të dënuar u ekzekutuan para reparteve ku bënin pjesë, ndërsa të tjerët vuajnë ndëshkimin me punë të detyruar”. Në këtë qarkore Enver Hoxha thekson faktin se duhej të lexohej gjerë e gjatë në të gjitha repartet ushtarake të vendit. Siç shihet, zoti Bejkova hyn në listën e kundërshtarëve potencialë të komunizmit, me të cilët është marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë diktatori Enver Hoxha. Ai ka njohur personalisht shumë personalitete politike, si dhe krerë kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste dhe është protagonist apo dëshmitar i shumë prej ngjarjeve tragjike dhe krimeve komuniste sidomos në qarkun e Korçës, por edhe në burgjet dhe kampet e përqendrimit të diktaturës komuniste.
Zoti Bejkova, nga dokumentet që unë kam gjetur në arkivat e dosjeve komuniste, më ka bërë përshtypje grupi juaj antikomunist, i cili përbëhej nga 14 persona. Në atë listë është hequr emri juaj. Mund të na shpjegoni në mënyrë më të detajuar se çfarë përfaqësonte grupi juaj?
Ne operonim në pjesën jugore të Shqipërisë që ishte dhe një nga zonat më të tensionuara në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kjo pasi pretendimet greke për Vorio-Epirin ishin shumë të mëdha. Brigadat komuniste ishin mbushur me ish-ballistë, sidomos nga rinia balliste. Ata u bashkuan pasi çetat e tyre ishin shpërbërë dhe ishte e vetmja mënyrë për të luftuar armikun. Etërit e këtyre të rinjve, që kishin shpëtuar pa u vrarë në luftën me komunistët, u arrestuan dhe u burgosën dhe burgjet e Shqipërisë u mbushën plot me ballistë në atë kohë. Këta djem, që ishin futur nëpër brigadat komuniste, mendonin se do t’u shpëtonin. Përpara se të shpëtonin, të dezertonin, ata u kapën dhe u burgosën. Edhe kufiri i jugut ishte në tension, pasi ushtria greke ishte në kufi. Për t’i dhënë një grusht kundërshtarit që ishim ne, na kapën me synimin që të na vrisnin. Unë në këtë kohë kam pasur babanë të burgosur, i cili priste që t’i bëhej gjyqi.
Të kalojmë pak më herët. Cilat ishin problemet tuaja me komunistët? Këtu kam parasysh se familja juaj ka ndihmuar grupet komuniste, edhe pse në thelb ajo ishte një familje nacionaliste.
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje më parë duhet bërë e ditur historia e Kolonjës. Kolonja në përgjithësi ka qenë krahinë nacionaliste, pasi ka qenë ballë përballë me grekët. Ajo krahinë ishte djegur dhe masakruar nga ushtria greke. Kolonjarët nuk besonin në lëvizjen që ishte krijuar, që predikonte vëllazërinë me serbët dhe grekët. Fshatari kolonjar armik kishte italianin që ishte pushtues dhe dy armiqtë historikë, por të gjithë ishin me një mendje që të fillonte lufta antiitaliane. Në fillim ajo ishte me tension te ulët, po më pas u ngrit. Familja ime ishte familje bujare. Por komunistët donin ta bënin tabelë qitjeje për t’u dhënë tmerrin të tjerëve. Me një fjalë t’u kallnin tmerrin. Madje arriti deri aty sa filluan të bënin atentate nëpër familje. Ata bënin atentate nëpër familje që ishin të armatosura.
Përzgjidheshin këto familje?
Sigurisht që përzgjidheshin, por ata nuk shkonin nëpër familje që kishin shumë “pushkë”. Kishte familje që kishin nga 15 vëllezër, që të gjithë të armatosur. Në të tilla raste nuk guxonte Josif Pashko që të vriste ndonjë prej tyre, pasi nxirrte probleme. Ishte fillimi i komunizmit më 1942. Ata bënë 3 vrasje në Kolonjë. Për shembull, një rast është Pujak Fshati, ai kishte 7 fëmijë. Gruaja i vdiq dhe ai u martua me një tjetër. Gruaja e dytë kishte një vëlla që ishte spiun i italianëve. Për këtë arsye komunistët e morën dhe e detyruan që të hapte gropën e varrit. Pasi e hapi, e vranë dhe e hodhën aty brenda. Këto veprime bëheshin që e tërë Kolonja të trembej, dhe vrasjet futën terrorin tek ata.
Duket se një nga fillimet e luftës civile ishte Kolonja. Si u bë kjo përplasje në Kolonjë?
Përpara se të bëhej lufta civile, ka disa ngjarje të tjera që janë më tronditëse. Në atë kohë u kthye në Kolonjë Safet Butka nga internimi. Por Safeti ishte një familje e madhe dhe e respektuar në Kolonjë. Ai e studio gjendjen. Natyrisht, ishte i dërguar i Mithat Frashërit që të krijonte çetat antifashiste. Ai krijoi çetat dhe i la komunistët me gisht në gojë. E gjithë Kolonja u bashkua me të, pasi ishte një njeri i respektuar. Komunistët nuk dorëzoheshin, edhe pse Kolonja u bashkua me atë. Me të gjitha mjetet e tyre më të poshtra luftuan për të mposhtur nacionalistët. Komunistët sulmonin karabinierin italian që ishte vendosur në fshat. Kjo pasi një fshat kishte vetëm një karabinier italian dhe pesë xhandarë shqiptarë. Duke sulmuar karabinierin alarmonin të gjithë fshatin, pasi fillonte shfarosja nga pushtuesi. U krijua një gjendje tensioni, një gjendje pasigurie. Aty filloi grindja midis ballistëve dhe komunistëve, pasi ballistët kërkonin që të sulmoheshin italianët në vende ku nuk kishte banorë shqiptarë, në mënyrë që të shmangnin sulmet italiane. Por komunistët shkonin si djalli, sulmonin aty ku kishte më shumë civilë shqiptarë, në mënyrë që të dëmtonin sa më shumë fshatra balliste. Çetat komuniste përbëheshin nga llumi i shoqërisë. Në to kishte djem që ishin përjashtuar nga shkolla, si Petrit Dume.
Ai ishte familje bejlerësh?
Jo, nuk ishte familje bejlerësh. Kishte qejf që ta thërrisnin në atë mënyrë. Që të jesh bej, duhet të kishe edhe pasuri. Ata nuk kishin pasuri, dhe atë pak që kishin e humbën. Ai donte të përfitonte pasuri duke ua marrë të tjerëve ose duke u bërë gjeneral, ashtu siç ndodhi. Petrit Dume kishte vetëm tre klasë gjimnazi në një shkollë profesionale në Korçë. Nuk e përfundoi, pasi e përjashtuan. E njëjta gjë ishte edhe me Muhamet Prodanin. Pra, të gjithë ishin djem të dështuar në jetë. Nuk ishin njerëz të punës. Ata nuk e kishin problem se digjej Kolonja apo fshatrat e saj nga pushtuesi italian. Nuk donin të bënin luftë serioze, por pa u sulmuar Bashkimi Sovjetik, ata flisnin mirë për Italinë. Kur Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, ndryshuan mendim.
Të qëndrojmë pak me historinë tuaj personale. Ju që në rininë e hershme keni qenë anëtar i nacionalistëve.
Të flas pak për Kolonjën. Kolonja është një krahinë politike, por politike patriotike. Ajo ka qenë përballë shtetit grek. Kolonjarët si natyrë janë krenarë. Janë krenarë, pasi i bën natyra e vendit. Këto veçori të kësaj krahine dhe njerëzve na bënë që të bashkoheshim me Ballin Kombëtar. Por kjo nuk do të thotë që nuk i ndihmonin dhe komunistët. Unë kam pasur mbledhur ndihma edhe për ata. Mua Safet Butka nuk më tha kurrë që të ikja nga komunistët dhe të bashkohesha me atë. Unë kisha mbledhur disa ndihma dhe ia çova ushtrisë së Ballit. Kur ia dërgova, ata qeshën dhe më thanë që u binda. Kjo lloj demokracie që ishte në brendësi të kësaj force me bënte që të mos largohesha më. Për sa i takon luftës civile, ajo filli pas Kongresit të Mukjes. Pas atij kongresi, Josif Pashkoja dhe Josif Dume kanë ardhur në Luaras për të takuar Qazim Prodanin. Vendimi i tyre ishte që kolonjarët të mos vrisnin njëri-tjetrin. Kjo ishte një absurditet, nuk kishte lidhje me atë krahinë, pasi ajo ishte e gjitha pjesë e Ballit Kombëtar. Ata prisnin momentin e volitshëm që të mblidhnin forcat dhe të godisnin Ballin. Komunistët donin ta shtynin sa më shumë luftën ndërmjet tyre në krahinën e Kolonjës. Ata na sulmuan pasi u përforcuan. Komunistët filluan të bënin atentate të pabesa duke sulmuar udhëheqësit e Ballit në pabesi. Forcat e Ballit bënë një luftë me komunistët në fshatin Blush, fshat i Kiço Blushit. Në luftë u vranë tetë persona nga krahu i Ballit, pasi komunistët ishin të mbrojtur nëpër shtëpi. Hysen Caco ishte komandant çete, i cili drejtonte luftën. Gjatë luftimeve u vra një mitraljer komunisti, Hyseni vajti direkt dhe mori mitralozin, por nuk mori arkën e municioneve. Ai u rikthye për të marrë arkën e municioneve, por komunistët e qëlluan me një plumb në ballë. U deshën shtatë veta për të marrë trupin e tij. Lufta zgjati gjithë ditën, deri në darkë.
Zoti Bejkova, dua të kalojmë pak te historia juaj personale. Si ndodhi arrestimi juaj? Çfarë torturash pësuat ju?
Unë isha në pritje që të më nxirrnin babain në gjyq. Të gjithë ata që merreshin me këto gjera në atë kohë përplasen te miqtë, pasi nuk i kishim prishur marrëdhëniet me të gjithë. Madje, një kushëriri im, xhaxhi i Uran Butkës, që ishte komunist, na kishte shumë për zemër. Ai na kishte thënë se babai im nuk do të dënohej më shumë se gjashtë muaj. Por mua më arrestuan përpara se ai të lirohej. Më dërguan në Korçë, te komanda e mbrojtjes. Më futën me një birucë. Sa hapën derën, erdhi një erë e jashtëzakonshme amoniaku. Mendoja se isha i vetëm aty, por pashë që ishte edhe një person tjetër, Faredin Angoni. Edhe ky ishte pjesë e ballit kombëtarë. Unë isha vetëm 17 vjeç. Më mbajtën 3-4 ditë aty, më pas erdhi Muharrem Butka, i afërmi im. Ai kishte takuar Hajdar Arianitasin dhe ai e kishte pritur shumë keq. Aty kuptova akuzën time, që kishte të bënte bashkëpunim me shërbimin sekret grek. Një akuzë pa lidhje, pasi unë isha vetëm 17 vjeç dhe nuk isha marrë fare me të tilla gjëra. Vura re se Muharremi ishte shumë i dëshpëruar. Më pas mua më dërguan në divizion. Atje filloi skenari. Mua më dërguan te 17 të burgosur të tjerë, që nuk i njihja. Sapo hyra, m’u afruan dy djem. Njëri ishte nga Tirana, tjetri nga Shkodra. Që të dy ishim të rinj në moshë. Ata më thanë se do të na vrisnin dhe se ne e kishim dhënë kontributin tonë. Ata më thanë se të gjithë skenarin e arrestimeve e kishte bërë Astrit Leka. Ata ikën më pas vjen Astrit Leka. Ai bëri të pamundurën që unë të pranoja të gjitha gjërat që thoshte hetuesia, por unë refuzova, pasi nuk mund të pranoja diçka që nuk e kisha bërë. Duke biseduar me atë, hyn në dhomë prokurori i çështjes, Ziqiri Mero. Ai pyeti se kush ishte Avni Bejkova. I thashë se isha unë. Në atë çast ai më tha se do më bënin të flisja. Më hoqën nga aty dhe më dërguan në një birucë. Në natën e asaj dite më dërguan në dhomat e hetuesisë, që ishin sipër birucave. Hapet dera dhe shoh të ulur aty një shok timin të fëmijërisë. Kur e pashë, m’u ngjall një fije shpresë. Pyetja e parë që më bënë ishte spekulimi i komunistëve se unë isha dakord që Kosova të mos i jepej Jugosllavisë dhe të kishte bashkim kombëtar. Aty u stepa dhe mendova se ishte akuzë e lehtë kjo dhe e pranova. Më pas prokuroi më tha se kishte edhe shumë gjëra të tjera për të më thënë. Ata filluan të rrihnin njerëz të tjerë para meje, në mënyrë që të pohonin se unë kisha bashkëpunuar me grekët. Ata që torturoheshin para meja më shikonin në sy duke pritur aprovimin tim që t’i lejoja të flisnin. Gjithsesi, mbas tri ditë torturash shokët e mi pranuan akuzat e komunistëve. Më pas vjen në hetuesi Riza Kodheli. Unë e kisha mik atë. Ai më takon dhe më pyet nëse më kishin torturuar dhe unë iu përgjigja “po”. Rizai më tha se nuk do të më rrihnin më, por ndodhi e kundërta. Në mbrëmjen e asaj ditë më kanë bërë tmerrin më të madh, aq sa në fund u thashë që të shkruanin çfarë të donin. Mbas dy javësh mbaroji hetuesia. Më çuan në gjyq. Gjyqtarët filluan të lexonin një procesverbal që e kishin bërë vetë hetuesit dhe ishte pa firmën time. Ata e lexuan më kërkuan që ta firmosja. Unë nuk pranova. Në atë çast hyn kryetari i gjyqit. Hetuesit i thonë kryetarit se unë nuk pranoja të firmosja procesverbalin. Kryetari i gjyqit tha se gjyqi do të anulohej dhe do të zhvillohej në mbrëmje. Ai i la porosi hetuesve që të mos më torturonin. Kur po më largonin nga salla e gjyqit, një tjetër i arrestuar që ishte aty më tha se unë shpëtova. Në të vërtetë mua më kishin njoftuar se Riza Kodheli kishte folur me gjyqtarin që unë të shpëtoja. Më morën përsëri në hetuesi dhe më detyruan të firmosja në procesverbal, që është zhdukur. Në mbrëmje filloi gjyqi. Ishin 40 persona që prisnin vendimin. Gjyqi nuk zgjati më shumë se dy orë. Ai ishte thjesht formal. Unë përdora përsëri taktikën e fillimit: nuk pranova asgjë nga akuzat e tyre. Por të burgosurit e tjerë filluan të flisnin kundër meje. Ata nuk patën fuqi që të kundërviheshim të gjithë hetuesve. Unë kisha edhe një dizavantazh tjetër: shoku im i fëmijërisë, Sabriu, ishte jo vetëm pjesë e jurisë së gjyqit, por dhe dëshmitarë. Ai më akuzonte për shumë veprime që unë nuk i kisha bërë. Ditën e nesërme, pasi mbaroi gjyqi, prokuroi bëri pretencën. Për mua kishte kërkuar dënim me vdekje. Atëherë e kuptova rrezikun dhe m’u dhimbs jeta. U dha vendimi dhe na dërguan në dhomat e burgimin. Në atë çast më vjen një njoftim nga sekretarja. Ajo më pyet se ç’lidhje kisha me Sabri Pikatën. Unë i thashë se ishim miq fëmijërie dhe kaq. Ajo më tha se më kishin hequr dënimin me vdekje. Më dërguan në burgun e vjetër në Korçë, ndërsa shokët i dënuan me vdekje. Në atë burg kam parë pushkatimin e të gjithë ballistëve. Gjëja më tragjike ishte se dënoheshin grupe, të gjithë të zonës së qarkut të Korçës. Kur vinte urdhri për pushkatim, komunistët hidhnin valle nga gëzimi. Ky ishte sinjali se do të bëhej pushkatimi. Mbasi pushkatonin grupet, ata gëzonin duke pirë e duke hedhur valle.
Si e morët vesh pushkatimin e shokëve?
Mua më nisën për në Burrel. Një ditë vjen një ushtar, që edhe ai ishte dënuar me burgim. Ai na tregoi se si ishin pushkatuar disa njerëz në zonën e Kolonjës. Unë i kërkova që të tregonte më shumë detaje rreth tyre. Ai më tregoi se në çastin e ekzekutimit të shokëve të mi komunistët u kishin kërkuar që ata të ktheheshin më kurriz dhe t’i qëllonin mbrapa shpine. Shokët nuk e kishin pranuan atë dhe i kishin ndenjur ballë për ballë plumbit, kështu që plumbin e kanë marrë që të gjithë në gjoks. Prokuror i çështjes ishte Mina Miço, ish-shoku im nga Kolonja. Ai u dha plumbin e mëshirës. Ai i godiste në kokë me plumba. Kur dola nga burgu, mua më internuan. Familjet e viktimave u interesuan për të ditur se kush kishte mbetur gjallë nga grupi im, pasi donin të dinin nëse dikush kishte mbetur i gjallë. Kur ra komunizmi, u takova me ata, pasi ishte e pamundur që të takoheshim më parë. Kur u takova, ikëm në fshatin ku ishin pushkatuar shokët. I gjetëm eshtrat e tyre. Familja e shokut nga Tirana, që më dha uratën e keqe, ishte shuar komplet. Kishin ekzekutuar të gjithë familjen.
Të kalojmë te fati juaj, që është dhe një dëshmi për bashkëvuajtësit e tjerë. Juve ju dërguan nga Korça në Burrel, që ishte burgu më i tmerrshëm i komunizmit. Mund të na thoni se si kanë rrjedhur ngjarjet?
Përpara se të më dërgonin në burgun e Burrelit, komunistët bënë një seleksionim në burgun e Korçës. U përzgjodhën 107 persona që konsideroheshin të burgosur politikë, ndër ta isha dhe unë. Një ditë në muzg na thanë që të merrnim rrobat nga qelitë se do të iknim. Ne menduan se do të na pushkatonin. Një pjesë e të burgosurve u trembën shumë. Kur po hipja në makinë, një oficer më pyeti se kush isha, pasi i bëri përshtypje. Pasi unë isha vetëm një fëmijë. Njëri nga hetuesit u përgjigj: “Nuk e njeh ti se kush është ai? Ta dish ti se çfarë është ai!…” Vetëm kaq arrita të dëgjoja. Më 16 tetor na nisën për në Burrel. Ishte një autokolonë me makina, pasi ishin 107 persona. Kur arritëm në një fshat të Pogradecit, na lan të pushonim pak. Pasdite arritëm në Tiranë. Mendova se po na dërgonin në Jugosllavi. Kur ra nata, makina mori rrugën për në Burrel. Atje na zbritëm dhe mbaj mend se hëna ishte e plotë. Kur zbritëm, ishim shumë të etur. Kërkuam ujë, por aty nuk kishte. Ishte vetëm një pus pothuajse i tharë për 600 të burgosur. Të nesërmen na bashkuan me të burgosurit e tjerë. Ne pamë një karrocë me plehra, që kishte edhe bukë misri brenda. Rojat e burgut na thanë se ajo ishte buka, 300 gramë bukë! Mendova se do të vdisnim nga uria. Më pas na ndanë nëpër biruca. Para se të na ndanin, më vjen një shoku im, Naim Frashëri. Ai më njoftoi se më kërkonte Gjergj Kokoshi. Kisha dëgjuar për të se kishte qenë ish-Ministër etj. E dija që ai ishte shumë i vuajtur. Shkova e takova me një siklet shumë të madh. Mendoja se do shihja një njeri shumë të rrënuar, por ishte komplet e kundërta. Ai ishte i mbushur, topolak, i veshur me rroba të oficerëve anglezë. Takohem me të dhe më ngushëlloi për fatin e keq dhe më tha se do të kalonte. Ai ishte informuar për dënimin tim. Kur na ndanë nëpër qeli, mua më ra që të rrija në qelinë ngjitur me të tijën. Ky ishte një fat i madh, pasi e kisha profesorin ngjitur.
Cila ishte gjendja e burgut? Si ishin kushtet, trajtimi, raporti me gardianët?
Ndryshimi nga çasti i parë që na dërguan derisa dola ishte shumë i madh. Në fillim drejtor burgu ishte një civil nga Devolli. Ai nuk ishte njeri i keq. Kur Sigurimi mori të dhënat dhe hoqi atë. Më pas erdhi një tjetër. Një i afërm me Koçi Xoxen. Ai ishte një katil i lindur. Kur erdhi, na i mori të gjitha ushqimet. Nuk vazhdoi shumë kjo gjë, pasi u lejua që familjet të na sillnim deri në shtatë kile ushqim. Burgu jepte vetëm 300 g bukë misri të mykur për të ngrënë. Por shtatë kile ushqim ishin bashkë me ambalazhin. Mua më dërguan një valixhe dërrase me ushqime nga Kolonja, nga e cila vetëm një kavanoz me gjalpë munda të merrja, pasi ushqimet e tjera i kishin marrë gardianët. Më pas filloi gjendja e urisë dhe masat ndëshkuese. Gardiani vinte dhe gjuante pa kurrfarë gjeje. Gardianët morën Ibrahim Biçakçiun dhe e rrahën. Ai ishte një tip që nuk përzihej me asnjë njeri. Gardiani i burgut i shkoi dhe e filloi ta godiste vetëm pse kishte teshtirë. Gardiani e pësoj keq, pasi Ibrahimi ishte trup shumë i madh dhe e rrahu rojën. Po të mos kishin qenë ulërimat e rojës, Ibrahimi do ta kishte vrarë atë. Pastaj filluan të merreshin masa me zhdukje, si Koço Kotën, Avdi Golen e shumë të tjerë. I merrnin dhe i rrihnin mizorisht vetëm që t’i zhduknin. Edhe masat që merrnin për të mos na ushqyer dhe për të na mjekuar ishin vetëm për të na zhdukur. Koço Kota, ish-kryeministri i Shqipërisë, nuk u dënua me vdekje, por me 30 vjet burg. Atë e morën dhe e zhdukën duke e rrahur mizorisht. Sadizmi i tyre ishte i pafund. I bënin njerëzit që mos kishin fuqi as të lëviznin.
Ç’lloj torturash u bënin këtyre personave?
U jepnin për të ngrënë vetëm 300 g bukë misri. Një torturë që të vdisnin me dhimbje. Koço Kotës, Qemal Vrionit, Avdi Goles në fillim nisën duke u pakësuar racionin e ushqimit. Qëllimi i tyre ishte që të kishin një vdekje me vuajtje. Ata ndienin kënaqësi kur të tjerët vuanin. Dhe kjo nuk vazhdoi me ditë, por me muaj. Avdiu ishte më i riu dhe po u rezistonte birucave. Një ditë na nxorën të gjithëve për ajrosje, ndërsa Avdiun e mbajtën brenda. Ne dëgjonim ulërimat e tij teksa e torturonin derisa vdiq.
Zoti Avni, ju folët për disa shokë fëmijërie, që ishin hetues dhe gjykatës në kohën e komunizmit. A i keni takuar këta njerëz pas rënies së diktaturës?
Nuk i kam takuar. Kam pasur një dilemë për t’u takuar me Sabri Pijaktin. Para 12 vjetësh kam rinkonstruktuar shkollën “Vasil Shanto”. Në një lokal aty ngjitur ai vinte pinte kafe me një mikun tim, djalin e Muharrem Butkës. Ai i kishte thënë shokut tim se donte të më takonte. Unë pata mëdyshje për ta takuar, por nuk mund të takohesha me të, pasi prej atij janë vrarë 14 persona.
*Marrë nga libri Zëra të Mbijetesës i Nebil Çika (i Riu)