Avionin serb I rrëzuar në Greqi – Athina protestë diplomatike ndaj Beogradit

Qeveria greke do të protesotjë në rrugë diplomatike lidhur qendrimin e Serbisë ndaj rrëzimit të avionit transportues në fundjavë në veri të Greqisë.

Gazeta „Kathimerini” duke iu referuar qarqeve diplomatike në Athinë shkruan të hënën (18.07), se ambasadori grek do të paraqitet në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, për t’u ankuar, që Beogradi nuk ka informuar në kohë për ngarkesën dhe destinacionin e avionit, që fluturonte drejt Bangladeshit. Avioni i tipit Antonov An-12 të shtunën në mbrëmje (16.07) u nis nga aeroporti i Nishit dhe pak minuta më pas u rrëzua në afërsi të qytetit grek Kavala me 11,5 ton municion predhash. Pas kësaj ka zgjatur me orë të tëra derisa pala serbe i komunikoi Athinës saktë informacionin mbi përmbajtjen dhe destinacionin, theksohet në kritikën e Greqisë. Për këtë arsye ka pasur paqartësi për orë të tëra në vendin e fatkeqësisë.

Pas rrëzimit të avionit ka pasur shpërthime me orë të tëra dhe janë përhapur avuj asfiksues. Dy zjarrëfikësa u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje. Shumë shpejt forcat e shpëtimit u tërhoqën dhe banorëve të zonës përreth iu bë thirrje të mos dalin nga shtëpitë dhe të mbanin dritaret mbyllur, sepse nuk ishte e qartë se çfarë lëndësh ka pasur në ngarkesën e avionit. Të dielën në mëngjes në vendngjarje mbërritën ekspertët ABC të ushtrisë, për të hulumtuar zonën e aksidentit për lëndë toksike, përpara se zona të lirohej sërish.