Ata dinë çfarë bëjnë

Nga Alma Liço

“Fali o Atë, se nuk dinë ç ́bëjnë“. Kjo lutje e madhërishme e Jezu Krishtit në Kryq më përcjell në çdo moment pushtetin e pafund të mëshirës dhe tolerancës hyjnore. Jezusi kërkoi falje për të gjithë. Fali Pilatin, Herodin si dhe ushtarët që e rrahën dhe e munduan…sepse ata nuk dinin ç’bënin. Ata nuk ishin të vetëdijshëm për mizorinë e tyre .
Duke reflektuar shpesh për këtë qëndrim që i tejkalon caqet e reagimeve njerëzore, paralelisht më vijnë në mendje mëkatarët tanë dhe bëmat e tyre të përbindshme. Ata, që në emër të një ideologjie të çmendur, vranë e prenë, mijëra bashkëatdhetarë të pafajshëm. Historia e komunizmit dhe postkomunizmit shqiptar dëshmon kokëfortësisht se ata e dinin mirë se çfarë bënin, madje e dinë mirë edhe se çfarë aktualisht bëjnë.
Ky pohim kaq therës më sjell në mendje njerin nga fenomenet më kriminale të regjimit komunist, atë të internim-dëbimeve familjare ndaj atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë. Ligjet e njëpasnjëshme arbitrare të periudhës së komunizmit kishin përcaktuar që internim-dëbimet të ishin masa ndëshkuese administrative të cilat ndërmerreshin nga Komisioni i internim/dëbimeve. Por nga ana tjetër, këto masa ishin parashikuar edhe në Kodin Penal të viteve 60, e më tej.
Arbitraritetin dhe vetëdijen e plotë të udhëheqësve të shtetit komunist se ata po dënonin persona dhe familje tërësisht të pafajshme e dëshmon edhe një projekt ligj i asaj periudhe, në të cilin ishte hedhur ideja që internim/dëbimi të hiqej si masë administrative, dhe të zbatoheshin vetëm vendimet penale, dhënë nga gjykatat, sipas dispozitave të Kodit Penal të sipërcituar.
Por, sipas Mehmet Shehut, (1) ky propozim nuk ishte pranuar, sepse do sillte për rrjedhojë lirimin e mijëra të internuarve me vendim të Komisionit të internim/dëbimeve. Gjithashtu, do të ishte e pamundur të siguroheshin provat nga gjykata për internimin dhe ri-internimin e shtetasve apo familjeve në përbërjen e të cilave kishte kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë.
Ky arsyetim barbar rëndohet akoma më shumë, kur është i njohur dhe provuar fakti se në praktikat gjyqësore të periudhës se komunizmit, janë dhënë vendime e dënime ndaj individëve, me prova tërësisht të manipuluara. Ndonëse gjykatat ishin në shërbim të shtetit diktatorial, e kishin të vështirë të jepnin masa të tilla njëkohësisht për të gjithë anëtarët e familjeve, ku kishte gra, pleq dhe të mitur !!!

E pra mëkatarët tanë, ata të djeshmit, e kanë ditur mirë se çfarë bënin. Ata ishin të vetëdijshëm për dënimet mizore e të padrejta kundër familjeve të pafajshme e të pambrojtura. Dënime që vazhdonin në përjetësi, brez pas brezi. Qindra të mitur e të moshuar mbyllën sytë nga uria dhe sëmundjet në kampet e tmerrshme të internimit.
Rënia e komunizmit nuk solli ndryshime të qënësishme në arbitraritetin e këtyre raporteve çnjerëzore. Madje mëkatarët e sotëm, pasardhës të atyre mizorëve të djeshëm, janë të ndërgjegjshëm çfarë bëjnë. Ata e dinë mirë çdo të thotë të miratosh ligje me koperturë demokratike, dhe të mos kesh vullnetin për t’i zbatuar kurrë ato. Ata e kuptojnë mirë çdo të thotë të mos kthesh pronat tek pronarët e ligjshëm të keqtrajtaur brez pas brezi, duke i grabitur e tjetërsuar sërish. Ata e dinë mirë çdo të thotë të flakësh dikë padrejtësisht nga puna, vetëm se nuk ndan të njejtat bindje politike me ta, dhe të dënosh familjet e tyre pa mjetet e domosdoshme të jetesës. Ata janë të ndërgjegjshëm çdo të thotë të kanabizosh Shqipërinë, duke përfshirë në rrjete kriminale e helmuar qindra, mijëra të rinj… e të tjera…e të tjera. Madje, neokomunistët vazhdojnë ende t’i shantazhojnë e kërcënojnë viktimat e tyre.
Për këta mëkatarë nuk mund të ketë falje. Jam e vetëdijshme se ky shkrim dhe të tjerë të këtij lloji nuk mund t’i ndikojnë aspak ata mizorë. Madje mund t’i konsiderojnë arkaike, naive, e të gajasen me to. Ata nuk besojnë në Zot.
E si mund të mendojmë e të flasim për faljen, kur ajo nuk paraprihet nga pendesa. Ata kurrë nuk do të pendohen për krimet e tyre, aq më pak të kërkojnë falje. Por nuk do të munden dot të shmangin ditën e gjykimit.
__________________________________________________________________
P.s: Të dhëna nga Konferenca shkencore “Të mohuarit nga regjimi” Tiranë, tetor 2018