Armë dhe ekspoziv në QV/ Incidente në Sukth, Ulëz e Fier

Incidenti më i rëndë i votimeve të 30 qershorit u shënua në Bashkinë Durrës.
Një 53-vjeçar është futur me armë në qendrën e votimit në nr. 1521, në Sukth ku kërcënoi komisionerët dhe theu kutinë e votimit.
Ramiz Bakanaçi ishte protagonisti i ngjarjes së rëndë që fatmirësisht përfundoi pa të lënduar dhe me arrestimin e tij nga policia.
Anëtarët e Komisionit të Votimit, thonë se 53 vjeçari ishte paraqitur fillimisht aty në gjendje të pirë dhe më pas ishte rikthyer me armë në dorë.
Ramiz Bakanaçi është vënë në pranga, ndërsa ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash që lidhen edhe me krimin zgjedhor.
Më herët gjatë natës shkolla 9 vjeçare në Bushkash të Burrelit, e përcaktuar si qendër votimi u sulmua me lëndë shpërthyese.
Nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar, ndërsa ngjarja nuk pengoi as procesin e votimit që u mbajt në të njejtën shkollë.
Në Fier, ndërkohë dy persona u ndaluan pranë qendrës së votimit të fshatit Topojë, pasi sipas raportimeve u bënin presione qytetarëve për të mos votuar.
Por sipas kryetarit të PD në Fier, Luan Baçi ata po vëzhgonin procesin e votimit nga jashtë dhe janë ndaluar që ata të mos siguronin numrin e saktë të votuesve, në mënyrë që në fund të rrisin numrin e votuesve.
Luan Baçi: Janë marrë jashtë qendrës së votimit dhe janë shoqëruar vetëm se shikonin se kush do të hynte për të votuar.
Policia e Shtetit në një reagim për ngjarjet thotë se është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.