Anton Dukagjini, kontributi dhe persekutimi i një atdhetari të spikatur

Nga Pashk Alia Martini

Nga pjesmarrja në ngritjen e flamurit në Vlorë, dhe fitoren e lirisë, 1912, deri në humbjen e lirisë më 2 korrik 1946…

Anton Dukagjini, lindi në Iballë, Pukë, më 22 nëntor 1891. Pasi mbaroi Kolegjin Françeskan në Shkoder, vazhdon studimet për edukim ushtarak në Institutin Nacional, Torino, si dhe 6 muaj të tjerë në Modena, Itali. Sapo kthehet në Shqipëri hidhet në aktivitet patriotik duke marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë për krah Gurakuqit, dhe po për krah njëri tjetrit do të drejtonin Ministrinë e Arsimit, ku Antoni emërohet Sekretar i Parë i saj më 4 dhjetor 1912, ditën e formimit të qeverisë. Ketë post e mbajti deri më 7 mars 1914, diten e ardhjes së Princ Vidit. Nga marsi 1915 deri në dhjetor 1917, ishte Sekretar i Policisë në Vlorë. Janar 1918 deri më qershor 1920 Sekretar Gjyqi i Shkallës Parë Vlorë. Antoni tashmë kishte fituar respektin, dhe cilësohej si një nga njohësit më të mirë të punëve të shtetit. Sapo mbaron “Lufta e ’20 – ës”, emërohet Sekretar i Komisionit Miks të Protokollit të Tiranës, në Vlorë. Pastaj, nga viti 1924 deri më 1935 ishte Sekretar i Parë i Ministrisë së Punëve Botore. Vitet e tjera, deri në pushtimin e vendit u mor me problemet e sigurisë kombëtare .Antoni ishte patriot, nuk ishte përzier me politikë, por njihte në rrënjë organizimin dhe funksionimin e shtetit, kështu që një grup intelektualësh kuptuan shpejt se çfarë po ndodhte, pas nëntorit 1944, dhe sidomos gjatë fushatës së zgjedhjeve të dhjetorit, 1945. Përvijohen qartë tre grupe kundërshtarë të regjimit, “Grupi i Deputetëve” , “Socialdemokrat” dhe “Grupi i Rezistencës”, pjesë i këtij të fundit ishte Antoni. Te gjithë përfaqësuesit kryesorë të grupeve arrestohen. Antoni arrestohet më 17 janar 1946. Masa e dënimit për të gjithë u dha si sot, 2 korrik 1946. Pavarësisht se asgjë nuk u vërtetua për ato që ngriti akuza, dënimet ishin shumë të rënda, 9 me vdekje, pushkatim…Antoni u dënua përjetë. U pushkatua dhe u dënua zëri kundër, ajka e intelektualëve dhe e patriotëve, gjë të cilën e treguan me një qëndrim madhështor para trupit gjykues.Antoni lirohet nga burgu në vitin 1959, pas një amnistie dhe i bashkohet familjes në internim në Saver, Lushnjë. Vdes në mars 1967, në spitalin e Beratit…

Foto, A Dukagjini.