Antikomunizmi i filluar 70 vjet më parë, qëndron fort edhe sot

Nga Enkelejd Alibeaj *

Të nderuar familjarë të deputetëve martire të vitit 1947,
Te nderuar përfaqësues, të shoqatës antikomuniste të Shqipërisë dhe të organizatave të të përndjekurve politikë,
Të nderuar Shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
“Sot më datën 10/X/1947 ora 3 paradite prokurori i ngarkuar me ekzekutimin dhe ndihmësit e tij shkuan në burg dhe morën në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Xhitomi, Abdyl Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi dhe mbasi u siguruan për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet shkuan në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurve. Mbasi iu kënduan vendimin e Gjykatës së Lartë nr. 187 dt. 27-IX-947 që dënon gjithë të pandehurit e lartpërmendur me vdekje, mbasi iu kënduan shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 180. Rez. Dr. 9-X-947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë fjalën e fundit, në bazë të vendimit të lartpërmendur që ka marrë formën e prerë në orën 14:30 urdhëroi ekzekutimin e tyre: me vdekje në litar Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sulo Klosi; me vdekje Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi. Si u krye ekzekutimi, mjeku konstatoi vdekjen e të gjithë të pandehurve”.
Kjo sapo citova, është pjesë e proces-verbalit të ekzekutimit të grupit të deputetëve. Përvec këtyre, u dënuan me privim lirie të përjetshme: Foto Bala, Ramazan Tabaku, Ram Marku, dhe Gjovalin Vlashi. U dënuan me me nga 20 vjet privim lirie: Shefki Minarolli, Rustem Sharra dhe Xhevat Xhafa. U dënua me me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet privim lirie Sulo Konjari.
Në këtë inskenim kriminl u përfshinë edhe shumë intelektualë të tjerë që vdiqën gjatë torturave ose u vranë në hëtuesi, si Kolë Kuqali, Syrja Selfo, etj., që u dënuan ose u pushkatuan para dhe pas këtij gjyqi si Kostë Boshnjaku, Irfan Pustina, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Riza Dani, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi etj.
Shumica e tyre ishin deputete opozitare dhe u denuan vetem per faktin e vetem se ishin kunder komunizmit, se kishin vizionin perëndimor, se promovonin idetë liberale, se kërkonin ekonominë liberale, forcimin e nismës private, demokracinë pluraliste, afrimin e Shqipërisë me botën perëndimore dhe fuqizimin e parlamentarizmit.
Bashkë me ekzekutimin dhe burgosjen e tyre u ekzekutua dhe u burgos liria, humbi fjala e lirë, u venit shpresa, u asgjësua sistemi i drejtësisë, u tret aspirata perëndimore dhe u topit një popull i tërë me zjarr e me hekur. Për plot 45 vjet. Memoria e shoqërise sonë vazhdon të jetë në letargji, fatkeqësisht edhe sot.
Por sot pas 70 vjetësh, nisur nga ai episod, besoj se është koha e duhur, për të patur një reflektim të sinqertë e të kthjellët. Nje reflektim i të gjithe shoqërisë shqiptare.
Së pari një reflektim për historinë e shkuar të këtij vendi, përgjatë këtij trecerek shekulli. Nuk ia kemi arritur dot, deri më sot, ta shkruajmë historinë tone ashtu sic është. Pa gjymtime, pa manipulime, pa keqpërdorim politik. E kemi keqpërdorur dhe shpërdoruar historinë, duke krijuar tension dhe acarim, duke deformuar vetë konsistencën morale të këtij populli, e duke i bërë shërbimin më të keq të sotmes dhe të ardhmes. Duhet të gjejmë forca të reflektojmë thellë! Duhet të pranojmë hapur, si shoqëri, se nuk kemi hetuar krimet e kryera nga komunizmi; se autorët e krimeve të komunizmit nuk janë përballur me drejtësinë; se viktimat e komunizmit ende nuk kanë dëgjuar falje për persekutimin që pësuan dhe se nuk janë dëmshpërblyer realisht! Ne pra, si shoqëri nuk e kemi rivlerësuar historinë e komunizmit dhe nuk kemi purifikuar të kaluarën tonë! Nuk jemi distancuar ende qarte, si shoqeri, nga krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste dhe nuk i kemi dënuar ato pa mëdyshje!
Sot, dhe për këtë arsye, kemi motiv shumë të fortë të përkujtojmë opozitarët e asgjësuar në vitin 1947! Jeta dhe vepra e secilit prej tyre në thërret të reflektojmë për gjendjen ku jemi sot! Të kthejmë kokën pas! Të mos harrojmë për asnjë moment egërsinë e regjimit komunist dhe pasojat e tij në Shqipëri! Të kuptojmë se po nuk pranuam të shkuarën, ashtu sic eshte, e kemi te pamundur të ndërtojmë të ardhme të paqtë!
Së dyti na duhet një reflektim për tranzicionin. Prej 27 vitesh vazhdojme të përkundemi nën idene iluzive të një sistemi të lirisë dhe demokracisë, ndërkohë që sistemi i vlerave morale është tërësisht i munguar apo në bjerrje e sipër. Sot zhvillohemi për inerci, në ujra të turbullta të vlerave morale pothuajse të permbysura. Kemi humbur ndjesinë e të identifikuarit të asaj cfarë është e virtytshme apo të qortimit të vesit. Individualizmi egoist mbretëron i pashqetësuar në një shoqëri gjithnjë e më të pandjeshme ndaj së keqes së përbashkët. Produkti i kësaj qasjeje, është ai që përditë dhe të gjithë e shohim: disfunksione të rënda të shtetndërtimit, mungesë orientimitëi qarte mbi vlerat euro-amerikane të lirisë dhe të të drejtave të njeriut, provokime diabolike drejt rrëshqitjes në arbitraritet diktatorial. Nëse nuk e bëjmë një reflektim të tillë, me gjasë në këtë det të trazuar do të endemi gjatë. E një reflektim i tillë mund të fillojë që sot, duke marrë shkas nga kjo ngjarje e 70 vjetëve më parë. Askush nuk duhet të mendojë se të shikuarit syçelë i asaj cfarë komunizmi i shkaktoi këtij vendi, mbart me vete ndonjë grimcë emocioni hakmarrës. Aspak jo. Porse drejtësi ligjore për cka dhe ndaj kujt i shkaktuan duhet dhe do të ketë! Ashtu sic edhe, cdo popull i civilizuar në lindje apo perëndim, ka bërë. E po kështu askush nga ata që prej komunizmit e pësuan, sot nuk duhet të ndjejnë asnjë kompleks për ta shndërruar në një idelogji të vërtetë antikomunizmin. Teksa flitet për antikomunizëm, nuk bëhet fjalë për skalionime të pavlera dhe boshe në retorikën politike. Jo. Teksa flitet për antikomunizëm si idelogji politike, bëhet fjalë për rreshtime të qarta “pro” ose “kundër” ndaj vlerave morale më të larta të shoqërisë së qyetëruar. Antikomunizmi i filluar që prej 70 vjetësh më parë, qëndron fort edhe sot, ndoshta më fort se më parë, si katalogu i vërtetë i vlerave më të shëndosha properëndimore të një shoqërie të brishtë si kjo e jona. Herët a vonë, siç duket vonë, do te duhet të kalojmë nga ky shteg.
Së fundmi një reflektim i domosdoshëm duhet për të sotmen dhe të ardhmen. Një reflektim që duhet së paku nën emrin tim, e për aq sa me takon, ta shpreh me kërkimin e një ndjese. Ndjesë, për të cilën do të doja të ftoja, ti bashkohej, cdonjërin brenda apo jashtë kësaj salle, për cdo shqiptar dhe cdo njeri që ia do të mirën këtij vendi, që ta kishte një brerje të tillë ndërgjegjje. Ndjesë që edhe pas 27 vitesh nga rënia e komunizmit, Shqipëria është ende shumë larg standardeve të një shteti të demokracisë liberale. Ndjesë që edhe pas 27 viteve nga rënia e komunizmit, në Shqipëri pluralizmi është në rrezik! Ku krimi lulëzon dhe vota vidhet! Ku vota vidhet dhe shtypi i lirë blihet apo dhunohet! Ku fjala e lirë dhunohet dhe popullit i serviret propagandë! Ku opozita denigrohet, dhe ketu brenda në Kuvend, të drejtat i mohohen. Ku programet dhe idetë zëvendësohen me tallje dhe fyerje masive për inteligjencën e shoqërisë! Ku institucionet po zëvendësohen me idetë e “klasës punëtore”. Ku ligjet, këtu në Kuvend, shkruhen keq, dhe ashtu si në 1947 ato kërkohen të miratohen vetëm me ndreqje stilistike! Ndjese pra që si në 1947, shoqëria, institucionet, shteti, e ardhmja, ndodhet para të njëjtit udhëkryq.
Por sot ndryshe nga 70 vjetë më parë, ka një gjë që nuk është si atëherë! Opozita sot, e di se cila është rruga e duhur! E di këtë në saj të veprës së shndritshme dhe fatit të zi të deputeteve të vrarë e të burgosur dhe fatit skëterrë që pasoi për një popull të tërë. Do të ishte shaka e hidhur që ky popull të pësonte të njëjtin fat. Kjo e sotmja, për këtë arsye nuk duhet të mbetet një ditë e zakonshme përkujtimi. Përkujtimi i tyre, duhet të bëhet cdo ditë. Me vepra dhe qëndrime. E kjo është një peshë shumë e madhe që duhet të shoqërojë cdokënd nga ne që fati e ka sjellë t’iu përngjasojë atyre deputeteve. Falemnderit edhe njëherë deputetëve të vitit 1947! I paharruar kujtimi i tyre!
*Deputet i PD. Fjala ne seancën *Deputet i PD. Fjala ne seancën parlamentare ne përkujtim te 70 vjetorit te vrasjes se Grupit te Deputeteve