Adriatik Alimadhi Kryetari i Ballit Kombëtar, hyn në parlament

Ndërkohë që opozita e qeverisë së Edi Ramës po protestonte në hyrje të parlamentit në ditën e sotme e enjte 21 mars, Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit duke konfirmuar në këtë formë se do të marrë mandatin e deputetit për të plotësuar një nga vendet vakante që u krijuan në Parlament pas djegies në bllok të mandateve nga PD dhe LSI.
Alimadhi ishte i gjashti në radhë në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës. Sot ai  është kandidati i tretë që ka dorëzuar formularin bashkë me Ambra Borova e treta në listën e LSI për qarkun e Shkodrës si dhe Arben Elezit, kandidat i Elbasanit në radhët e PD-së.
Po sot, ndërkohë që opozita po zhvillonte protestën para Parlamentit, maxhoranca bashkë me deputetët e rinj kanë vijuar normalisht punimet në Kuvend ku janë betuar edhe tre deputetët që kanë pranuar mandatet. Ata janë Ralf Gjoni i cili ka zëvendësuar mandatin e dorëzuar të Klajda Gjoshës. Mandatin e Shezai Rrokaj-LSI e mori Enada Koçiraj. Po nga LSI ka marrë mandatin e deputetit edhe Nimet Musai, i cili do të zëvendësojë Petrit Vasilin. Numri i deputetëve të opozitës që janë zëvendësuar nga lista në Kuvend shkon në 17. Fenomeni i zëvendësimit të mandateve konfirmon bindjen e elektoratit se kryetarët e partive janë arrogantë dhe karakterozohen nga mendjelehtësia në përcaktimin e kandidatëve për deputetë.