A meriton Shqipëria t’i rikthehen vizat?

Nga Indrit Vokshi

Liberalizimi i vizave ka qenë një premtim i Partisë Demokratike në fushatën e vitit 2005 në një kohë kur shqiptarët zinin rradhë para ambasadave. Kohë kur jepeshin 5 mijë euro dhe siguroheshin edhe viza fallco.

Ky premtin u realizua në vitin 2010, sa nga puna e qeverisë shqiptare, sa nga predispozita pozitive e Bashkimit Europian. Por u realizua.

Asokohe Partia Socialiste, Edi Rama, Taulant Balla e Ditmir Bushati më vonë, deklaronin nëpër koridoret e BE se po u liberalizuan vizat do të ketë emigrim masiv të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, prandaj nuk duhet të liberalizohen. Gramoz Ruçi nga ana tjetër doli në foltoren e parlamentit dhe deklaroi se po prodhohen karta identiteti fallco. Dokumentet e sigurta ishin kusht për liberalizimin e vizave, ndaj Gramozi deklaroi se nuk kemi dokumente të sigurta ndaj mos na i liberalizoni vizat.

Mirëpo as emigrim masiv nuk pati e as dokumente identiteti fallco nuk po prodhoheshin. Vizat u liberalizuan.

Ku jemi sot?

Opozita e djeshme socialiste e cila degradoi në veprime histerike dhe idiote kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët, sot është pushtet dhe akuzon opozitën aktuale e cila dje në qeveri loboi dhe punoi fuqimisht për liberalizimin e vizave. Pra e akuzon se kërkon të zhbëjë arritjen e vet.

Sot qëndrimi zyrtar i pushtetit i shprehur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është se parlamenti i Hollandës është manipuluar nga një deputete e cila është mike e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Histerikë dhe idiotë dje, histerikë dhe idiotë sot.

Kur ishin në opozitë fabrikonin se do të kishte emigrim masiv sepse e dinin se emigrimi masiv bllokon liberalizimin, se nuk të liberalizohen vizat nëse shqiptarët vërshojnë për azil.

Herën e fundit kur unë kam lexuar Eurostat, institutin e statiatikave të Bashkimit Europian, shënohej se në tre vite, 2014-2017 ishin rregjistruar për azil plot 141.191 shqiptarë. Janë 5% e popullsisë së Shqipërisë.

Pra emigrimi masiv ndodhi pas vitit 2014 sapo kishin ardhur këta dhe po tiu përmbahemi rregullave se sduhet të ketë emigrim masiv se përndryshe quhet se nuk kemi plotësuar kushtet, atëherë Bashkimi Europian duhet t’ia rivendoste regjimin e vizave Shqipërisë qysh në vitin 2016.

Mirëpo meqenëse përveçse teknik liberalizimi është edhe politik, BE nuk ka dashur t’i dekurajojë shqiptarët sepse një vendim për kthimin e vizave do të dëmtonte aspiratën politike të shtetit shqiptar për tu anëtarësuar në BE. Prandaj është duruar dhe prej këtij konteksti ka përfituar edhe qeveria shpopulluese e drejtuar nga Edi Rama.

Në këto kushte, sipas ligjeve të Bashkimit Europian i kërkohet qeverisë së Shqipërisë që të marrë masa për të zvogëluar efektet e për të garantuar kushte më të mira për shqiptarët që shqiptarët të mos e kenë emigrimin opsion mbijetese.

E qeveria si vepron? Akuzon opozitën, shpik teorira se si dhe pse por vetëm masa për ta bërë Shqipërinë më të jetueshme nuk merr. E vetmja masë e marrë është plan-manipulimi për tiu thënë njerëzve se gjithkush në botë ka faj, vetëm qeveria dhe Edi Rama nuk kanë faj e përgjegjësi.

Si përfundim teknikisht Shqipërisë e cila vjen e treta për numër azilantësh pas Afghanistanit dhe Sirisë duhet t’i rivendoseshin vizat. Mirëpo politikisht po tolerohet sepse jemi popull në Europë. Prandaj është shumë e domosdoshme sot një qeveri serioze e cila rikuperon efektet shkatërruese të qeverisë “Rama”, e rikthen Shqipërinë në legalitet duke e nxjerrë nga ilegaliteti ku e kanë futur sunduesit aktualë, si në aspektin e veprimit të shtetit, si në aspektin e kushteve me BE.